Gjykata kushtetuese e shpalli jokushtetuese zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar i Parlamentit të Kosovës në seancën e 17 korrikut.
Ky vendim vjen një ditë pasi që partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit në Kosovë u përballën në Gjykatën Kushtetuese në një seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për “vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit parlamentit në seancën e 17 korrikut”.
Në një njoftim të gjykatës Kushtetuese thuhet se “mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës së parë të Parlamentit më 17 korrik të këtij viti nga kryesuesja e seancës, kanë shkelur nenet e Kushtetutës dhe pjesë të Rregullores së punës së parlamentit”.
Sipas, gjykatës Kushtetuese zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve është kundër kushtetues, si për nga procedura e ndjekur edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Parlamentit. “Seanca e Parlamentit që ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Parlamenti duhet ta përfundojë seancën konstitutive duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me Kushtetutën dhe në pajtim me këtë Aktgjykim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës e përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili sipas tyre ishte i drejte dhe që buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga legjitimiteti i votës së qytetarëve të vendit.
Ndërsa, Koalicioni LDK-AAK-NISMA thotë se e ka marrë parasysh vendimin e gjykatës dhe se është në pritje të publikimit të tekstit përfundimtar. Ky koalicion shprehet i bindur që e “drejta për kandidim i është njohur dhe në këtë mënyrë është hapë dera e vetme për krijim të institucioneve të reja”, thuhet në reagimin e Koalicionit LDK-AAK-NISMA.
Njohës të çështjeve juridike thonë ndërkaq se vendimi i gjykatës e ka sfiduar edhe më shumë krijimin e institucioneve të reja. Ata thonë se me këtë vendim zgjedhja e kryetarit të Parlamentit i takon partisë Demokratike e cila ndërkaq nuk i ka numrat e nevojshëm për zgjedhjen e tij. Ata thonë se për krijimin e institucioneve ose duhet një marrëveshje politike ndërmjet partive politike për të ndarë pushtetin ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.(VOA)