



Shkruar nga Avni Alcani/
Para disa ditësh rastësisht hasëm një hartë të Ilirisë antike, të pjesës nga Olcinium-i e deri në Oricum. Duhet theksuar se një hartë e tillë kishte qenë gati e panjohur për ne dhe si e tillë ajo ishte befasuese pwr ne. Harta ngjallte interes për studimin e zonës. Në hartë ishin vendosur disa nga vendbanimet ilire, duke filluar nga qytetet antike, si Olcinium, Scodra, Lissus, Epidamnus (Dyrrhachium), Uskana, Theranda, Luchnitis, Apollonia, Aulon, Oricum etj., emrat e disa prej krahinave të njohura ilire, si Labeates, Peneste, Taulantii, Albani, Dasareti, Antitania etj., si dhe emrat e një pjesë të lumenjve kryesorë, si Drilon (Drini), Isanus (Ishmi), Mathis (Mati), Genusus (Shkumbini), Apsus (Seman), liqeni i Luchnitis (Ohri) etj.
Në hartë ishte i regjistruar emri i krahinës ilire të Candavi-së, e cila ishte hera e parë që hasej në një hartë antike. Befasia ishte shumë e madhe, pasi për ekzistencën e një krahine ilire me emrin Candavia (Kandavia) ka qenë e dokumentuar vetëm nga disa autorë antikë, si Plini Sekundi (në librin “Historia e natyrës”), Ciceroni (filozofi i madh romak), Cezari (një nga strategët më të shquar të botës antike), Straboni (gjeograf) etj. Gjithashtu edhe emri i banorëve të krahinës (candaviensis), e kemi të njohur nga një zbulim shumë i rëndësishëm i vitit 1916 nga arkeologu austriak Kamilo Prashniker, i cili, gjatë kërkimeve të tij, pati hasur në banesën e një qyteti në Mal të Zi, të një fragmenti arkitektonik, që i përkiste një tempulli antik. Objekti prej guri kishte të gdhendur në faqen kryesore të tij një mbishkrim, ku ishte shkruar përkushtimi: “Diana augusta kandaviensis” (Diana mbretëresha e kandavëve). Në artikullin tim, të titulluar “Kandavët dhe Kandavia”, zbulimin e Prashniker-it e kam konsideruar si “një zbulim shumë të rëndësishëm për historinë e lashtë të Shqipërisë, pasi emri i një fisi ilir, siç ishte ai i fisit të kandavëve, dokumentohej nga një zbulim arkeologjik” (gazeta “Shqip”, 17 mars 2012).
Diçka e veçantë në këtë hartën është se vetë emri “Candavia” haset tri herë. Së pari, ai shënohet si emri i një rruge, “Via Candavia”, e cila fillonte nga qyteti i Durrachiumit dhe vijon nëpër luginën e lumit Genusus (Shkumbini i sotëm), deri te liqeni i Luchnitis-it (Ohrit). Në hartë është i regjistruar edhe emri i rrugës Egnatia (Via Egnatia), por ajo ndodhet e çvendosur në rrugën që lidh Apolloninë me stacionin rrugor Clodiana, aty ku bashkohet me lumin Genusus (Shkumbin) dhe Via Candavia-n. Së dyti, emri Candavia shënuon emrin e një qyteze, apo stacioni rrugor, e cila ndodhet në krahun e djathtë të lumit Genusus, afërsisht aty ku ndodhet Librazhdi i sotëm. Së treti, emri “Candavii” del në hartë si emri i një krahine, që ndodhet afërsisht ku ndodhet sot Mali i Shebenikut, por pak më në thellësi, të krahinën e Deborus (Dibrës së sotme).
Në hartë është emri “Albani”, i vendosur aty ku sot shtrihet krahina e Çermenikës, që ne mendojmë se është një çvendosje apo spostim i këtij emit nga hartuesit apo kopjuesit e hartës.
Duke e vëzhguar me vëmëndje hartën, natyrshëm lindin disa pyetje, si, p.sh., sa e saktë është harta, kujt i përkiste, e cilit vit është dhe cili mund të ishte autori i saj? Për të marrë një informacion sa më profesional, iu drejtova arkeologut të shquar shqiptar, prof. dr. Neritan Ceka, i cili, me shumë kompetencë profesionale, më ktheu këtë përgjigje: “E shoh për herë të parë. Është mbështetur tek Ptolemeu, por ka shumë gjëra të sakta (nënvizimi im- A. A.). Via Egnatia quhet nga Cezari pjesa e rrugës Egnatia në luginën e Shkumbinit”.
Duke u nisur nga stili i vizatimi, mendojmë se harta është një kopje e hartave të Ptolemeut, të cilat u hartuan përgjatë shekujve të 14-15-të e në vijim. Klaud Ptolomeu (87 – 150) ishte ndër gjeografët më të përmendur të kohës antike. Ai hatoi veprën e tij “Gjeografia” në njëzetë libra, që ishte e ilustruar me harta. Në mes të hartave të Gjeografisë ishin të përfshirë pjesët e Evropës Juglindore. Aty hasen shënimet e para që kanë të bëjnë me Ilirinë antike, në të cilat janë lokalizuar vendbanimet e gati të gjitha trevave të Ilirisë, si krahinat, qytetet, lumenjtë, liqenet etj. Gjetja dhe publikimi i kësaj harte është shumë i rëndësishëm për historinë e trevave të Librazhdit. Së pari, se vëndet dhe emrat e shënuara në atë hartë, që, sipas prof. Cekës, janë të sakta, korespondojnë me të dhënat e emrit “Candavi”, e cila vinte nga një zbulim arkeologjik (Prashniker). Së dyti, ato mbështen nga të dhënat që japin autorët antikë, që ne i përmendëm më sipër. Së treti, historiku i krahinës ilire të Kandavisë pasurohet edhe me disa të dhëna të reja dokumentare, siç janë emri i rrugës Via Kandavia, emri i një vendbanimi me emrin “Kandavia” (pranë Librazhdit të sotëm), si dhe vetë emri i krahinës së Kandavisë, i shkruar në një hartë antike të shek. të 2-të pas Krishtit.
Tiranë, 22 mars 2025.