Xhelal Zejneli
Distria Krasniqi, (Pejë, Kosovë, 1995). Emri yt, Distria, na përkujton publicisten dhe shkrimtaren rumune me prejardhje shqiptare, Elena Gjikën, të njohur në qarqet kulturore evropiane si Dora d’Istrian (1828-
1888). Edhe emri i këtij personaliteti të shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare, do të na përkujtojë emrin tënd. Sot, në orët e para të së shtunës, pas betejash titanike me xhudistet më të shquara të planetit, u ngjite në piedestalin e arenës sportive të vendit ku lind dielli. Në ato çaste, për Ty
dhe për kombin shkëlqyen rreze të arta. Sakaq, ushtuan në qiell fjalët e moderatorit: “Distria Krasniqi – Kosovë”. Miliarda njerëz të rruzullit, panë në sytë e tu lotët e ngadhënjimit dhe të ngazëllimit. Në ato çaste kur Ti krijoje historinë, në zemër pate shqiptarinë, flamurin e Gjergj Kastriotit dhe himnin Arbërisë. Për Ty, për Kosovën dhe për kombin shqiptar, shkruajnë sot të gjitha mediumet dhe agjencitë e lajmeve, më prestigjioze të botës.
Ngadhënjeve, ngase je bijë e ilirëve të stërlashtë, e racës ariane. Në arenat e sportit botëror, të frymëzojnë luftërat dhe fitoret lavdiplote të Gjergjit dhe zjarri i atdhedashurisë – i rilindësve. Ia bëre me dije botës mbarë se je mbesë e Nënë Terezës. U stolise me medalje në kampionatin botëror dhe në atë evropian, në konkurrencën e juniorëve. U bëre edhe kampione e botës për femra, të moshës në 21 vjeç. Në kualifikimet olimpike more gjashtë medalje. More bronz në Drand Slam të Parisit (2017). Po atë vit more
bronz edhe në Open Europian në Sofje. Fitove medalje të artë në manifestimin sportiv Mjeshtrit e artë të xhudos 2021, të mbajtur në Doha të Katarit. Në prillin e thyer, u shpalle në Lisbonë, kampione e Evropës.
Erdhe në finale duke eliminuar me radhë: brazilianen Chibana, kinezen nga Taipei, Chao Lin, mongolen Munkhbat. Në fund, me një “Wasabi-Ari” kalove kryelartë nëpër portën triumfale, duke mposhtur në arenën “Nippon Budikan” ish-kampionen e botës, japonezen Funa Tonaki. Fitorja jote mbresëlënëse na e përkujton atë të heroinës Majlinda Kelmendit në vitin
2016 në Rio de Janeiro. Je nder i kombit, i shtatë milionë shqiptarëve në gadishull, i arbëreshëve në Sicili dhe në Kalabri, i diasporës shqiptare në Evropë dhe në ShBA. Para madhështisë Tënde, u gjunjëzuan edhe armiqtë tanë historikë. Ari i së shtunës së këtij muaji të korrjeve, i fituar në botën e agimit të mëngjesit, është stoli dhe dëshmi heroizmi në monumentet e përjetësisë dhe të pavdekësisë të burrave të kombit – Adem Demaçit, Ibrahin Rugovës, Adem Jasharit – të luftëtarëve të lirisë dhe të demokracisë.