23 Qershor , Zgjedhjet Parlamentare ne Shqiperi
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dekretoi datën 23 qershor 2013 për mbajtjen e zgjedhjeve Parlamentare.
Sipas njoftimit nga Presidenca, “bazuar në nenin 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1, të ligjit nr. 10019 , datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e dielë, më datë 23 qershor 2013”.
Data e zgjedhjeve duket se ka qënë e vetmja pikë me të cilët janë bashkuar palët, pasi është shprehur edhe në takimet e forcave politike me kreun e shtetit.
Kryeprokurori i RI, ADRIATIK LLALLA
Adriatik Llalla, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, dekretohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Lajmi bëhet i ditur nga zyra e Presidencës, e cila publikon dhe dekretin për emërimin e pasardhesit të Ina Ramës, i cili hyn në fuqi menjëherë.
“Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737 , datë 12.02.2001 “Per organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, D e k r e t oj : Zoti Adriatik Llalla, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Nr. Dekretit 7840”, thuhet në dekretin e Presidentit.
Ashtu siç ishte parashikuar mandatit të kryeprokurores Ina Rama po i vjen fundi, pas dekretimit të Adriatik Llallës, i cili pritet të zërë vendin e saj në krye të organit të akuzës. Ishte vetë Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, i cili pas konsultave me partitë politike paralajmëroi se mandati i Ina Ramës përfundon më 22 nëntor, duke formalizuar edhe qëndrimin e mazhorancës për këtë çështje, ndërkohë që opozita kundërshtoi vendimin duke theksuar se mandati i kryeporkurores përfundon më 23 maj 2013-të, datë kur është dhe afati i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përcaktohet mandati pesëvjeçar i kryeprokurorit.
LLALLA: POZICIONIN E SHOH SI SFIDË DHE PËRGJEGJËSI
Kandidati për Kryeprokuror të Përgjithshëm, Adriatik Llalla e vlerëson pozicimin e ri si sfidë dhe përgjegjësi njëherësh.
Në një prononcim për mediat Llalla shprehet se do të vijojë në krye të ILDKP-së deri në momentin që dekreti i sotëm i presidentit Bujar Nishani të votohet. Llalla bën me dije se ka marrë telefonata urimi edhe nga opozita.
“Padiskutim që kam pasur telefonata urimi, familja, dashamirës edhe nga opozita, nga të gjithë. Nuk është ende momenti për të diskutuar, janë disa procese të tjera që duhen kaluar.”- deklaroi Llalla.
NISHANI: JA PSE ZGJODHA LLALLËN
Më 14 tetor 2008 Adriatik Llalla mori zyrtarisht detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, post të cilin e gëzon edhe aktualisht. Në relacionin shoqërues të dekretit, Presidenti shpjegon se ka përzgjedhur për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, duke vlerësuar eksperiencën e gjatë në strukturat e Prukurorisë.
“Me Dekretin Nr. 7840, datë 3.12.2012 kam vendosur të emëroj si Prokuror të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla. Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prukurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme. Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur. Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik”, thuhet në relacionin e kreut të shtetit.
KARRIERA
Zoti Adriatik Llalla është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 09.10.2008 nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dekret datë 14.07.2008. Zoti Llalla ka kryer studimet e Larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Drejtësisë, Titulli Jurist. Në muajin Janar të vitit 1998 ka filluar karrierën profesionale si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje. Më pas u emërua Prokuror në këtë Prokurori detyrë në të cilën punoi nga viti 1999]2002. Nga viti 2002]2003 ka punuar si Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2003 është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier detyrë në të cilën ka punuar deri në vitin 2005. Nga viti 2005]2008 ka punuar si Zv.Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2006 zgjidhet anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga viti 2007]2008 ka qënë Kryetar i Këshillit të Prokurorisë. Më datë 4 Maj të vitit 2010 zgjidhet Kryetar i Rrjetit të Ekspertëve të Integritetit, pjesë e të cilit janë institucionet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive për shtetet e Europës Jug]Lindore dhe disa vende të tjera të Europës. Në vitin 2011 ka përfunduar Masterin për “Të Drejtë Penale”, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Zoti Llalla ka njohuri shumë të mira në gjuhën angleze. (Kortezi Balkanweb)