Në 23 maj 2013, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Z. Basha gjatë vizitës së tij në Londër bëri një vizitë edhe në Ambasadën Shqiptare. Në një ceremoni zyrtare ai nderoi me medaljen “Mirënjohja e Tiranës”, ish-Lordin Mayor of the City of London, Sir Gavyn Arthur dhe Delegatin e Urdhrit të Kostandinit për Britaninë e Madhe dhe Irlandën, Sh.T. z. Anthony Bailey, OBE për kontributin e tyre të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike në fushën politike, ekonomike dhe të bashkëjetesës ndërfetare.
Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Londër Z. Mal Berisha falenderoi te pranishmit në këtë ceremoni dhe i dha fjalën kryetarit të Bashkisë së Tiranës Z. Lulzim Basha.
Z. Basha në prani të Sir Gavril Arthur i cili ishte veshur në uniformë ceremoniale, Z. Anthony Bailey dhe të një grupi bashkatdhetarësh dhe miqsh anglezë u dorëzoi personaliteteve britanike medaljen e Mirënjohjes, si dhe simbolin e kryeqytetit shqiptar, Sahatin e Tiranës që shënonte orën lokale të Tiranës dhe të Londrës.
Në fjalën e tij Z. Basha tha se ky është një moment i rëndësishëm në udhëtimin e gjatë për forcimin e marrëdhënieve midis dy kombeve dhe dy popujve tanë. Në vijim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Z. Basha lexoi tekstin e këtyre mirënjohjeve në të cilat thuhej:
Medalja “Mirënjohja e Tiranës” i jepet Sir Arthur Gavyn, GCFO, në shenjë mirënjohje të meritave të tij personale dhe kontributit që ka dhënë nëpërmjet zyrës së tij të lartë publike në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe politike ndërmjet qytetit të Tiranës dhe qytetit të Londrës si dhe në nderim të kontributit të tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike gjatë vitit të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po ashtu ai lexoi edhe tekstin e Mirënjohjes që i dorëzoi Shkëlqesisë së tij Z. Anthony John James Bailey, OBE, GCSS, në njohjen e meritave të tij personale për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe politike, ndër-fetare e bamirëse ndërmjet autoriteteve vendore dhe popujve të qyteteve të Tiranës dhe të Londrës si dhe për kontributin e tij të madh në vite për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-britanike.
Një medalje e tillë ju dorëzua në zyrën e tij edhe Lord Mayor of the City of London, të nderuarit Alderman Michael Roger Gifford me motivacionin:
Në njohje të meritave të tij personale dhe të Korporates së City of London në forcimin dhe rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet qytetit të Tiranës dhe qytetit të Londrës. Kjo certifikatë tregon nje vlerësim të madh të kontributit tuaj gjatë vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqiperisë dhe është nje vlerësim i lartë që qyteti i Tiranës ka për institucionin tuaj dhe për Korporatën e City of London, si dhe për kontributin e përbashkët në forcimin e marrëdhënieve reciproke ndërmjet dy kombeve, ndërmjet dy popujve tanë.
Takimet e shumta dhe veprimtaritë e organizuara gjatë vizitës së Z. Basha në Londër ngjallën interes të veçantë, jo vetëm tek bashkësia shqiptaro-britanike por edhe tek qarqe të larta të kësaj shoqërie si dhe të medias. Gazeta Daily Telegraph e ka pasqyruar atë në një informacion të posaçëm të datës 24 Maj 2013.1