Nga Harry Bajraktari/ New York/
Kam kënaqësinë t’ ju uroj zgjedhjen tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe njëherësh t’ ju uroj sukses në përmbushjen e shumë detyrave dhe obligimeve që populli i Kosovës pret nga qeveri e juaj.
Në këtë urim dëshiroj t’ i them disa nga prioritetet që mund te jenë të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj:
Z. Kryeministër, qeverinë tuaj e presin shumë punë të ngutshme që duhet t’ i kryej gjatë mandatit katër vjeçar. Mendoj se detyrat janë të shumta dhe të ndryshme, brenda dhe jashtë Kosovës. Vetëm lufta e pa kompromis në respektimin e normave shtetërore garanton sukses. Dhe, siç thuhet, vetë puna është suksesi. Jam thellësisht i bindur në këtë parim, të cilin e kam aplikuar dhe e aplikoj në biznesin tim.
– Zhvillimi ekonomik është bazë e stabilitetit politik. Krijimi i kushteve për biznese të brendshme dhe tërheqja e investitorëve të jashtëm nga vendet e ndryshme të botës, është një faktor i jashtëzakonshëm për Kosovën. Me ngritjen ekonomike do të kemi një zvogëlim të papunësisë dhe një stabilitet më të madh politik. Në këtë drejtim duhet të gjendet rruga më e lehtë dhe më e volitshme për ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë sociale.
– Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik, nëse nuk zbatohet ligji në të gjithë sektorët shtetërorë, njësoj për të gjithë.
Nuk mund të ketë drejtësi nëse gjykatat janë të varura nga politika ose të ndikuara në një mënyrë apo tjetër nga faktorët politikë.
Drejtësia në Kosovë duhet të lirohet nga këto ndikime, që janë shkatërruese për një shtet demokratik dhe për një shtet të së drejtes.
Gjyqësia duhet të respektojë të drejten e çdo personi, çdo individi dhe ta marrë atë në mbrojtje.
– Pa një luftë frontale për eleminimin e korrupcionit s’ mund të ketë zhvillim ekonomik, drejtësi as gjyqësi, shtet demokratik, e as prestigj në bashkësinë ndërkombëtare. Qeveria e juaj duhet të bëjë çmos që ta fitojë betejën ndaj korrupcionit dhe krimit të organizuar.
Kosova renditet në vendin 110 në raportin “Treguesi i përcaktimit të korrupcionit për vitin 2014″ publikuar nga Organizata Ndërkombetare “Transparency International”, në të cilin janë përfshirë 175 vende të botës. Miqtë tanë janë të befasuar me këtë shkallë kaq të lartë të korrupcionit. Qeveria dhe gjyqësia duhet ta ndalin këtë të keqe në Kosovë që po e gërryen prej dite në ditë.
– Apeloj që populli i Kosovës të organizohet dhe të vetëdijesohet më shumë dhe, nga ata që i ka votuar, të kërkojë përgjegjësi maksimale për punën e tyre.
– Qeveria juaj duhet të punojë më shumë e më shpejtë që Kosova të bëhet anëtare e NATOS, që të marrë liberalizimin e vizave ku edhe qytetarët e saj të lëvizin lirshëm si qytetarët e rajonit, që Kosovë të bëjë hapa përpara në proceset intekruese Evropiane, që të njihet edhe nga më shumë shtete të botës dhe të fitojë betejën për t’ u bërë anëtare e OKB.
Me respekt,
Harry Bajraktari,
10 dhjetor 2014