


Albanian Roots Media/
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, organizoi një event të veçantë në nder të Organizatës Albanian Roots dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, për të vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që shqiptarët i kanë dhënë qytetit të Nju Jorkut, si dhe për të theksuar premtimet e mbajtura nga administrata e tij ndaj komunitetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe familja Rusi, përfaqësuar nga Sal Rusi, i cili së bashku me Marko Kepin dhe Bedrana Dukën mundësuan organizimin e Paradës së Parë të Albanian Roots në Nju Jork — një moment historik për komunitetin shqiptar në SHBA.
Eventi u hap nga z. Eli Rusi, i cili përshëndeti të pranishmit duke mirëpritur Valltarët e Albanian Roots me performancën tradicionale “Vallja e Dibres”. Pas prezantimit, Kryetari Adams u shpreh me mirënjohje për organizatën Albanian Roots dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, duke theksuar se shqiptarët janë një forcë pozitive dhe një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të qytetit.
Në ngjarje ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, z. Ervin Bushati, si dhe Ministrja për Punët e Jashtme, znj. Miriam Shyti. Atmosferën e pasuroi edhe pjesëmarrja e artistit të njohur shqiptar, Gëzim Nika, i cili u mirëprit ngrohtësisht nga të ftuarit.
Eventi shërbeu si një moment i rëndësishëm bashkimi, vlerësimi dhe reflektimi mbi rrugëtimin, arritjet dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në zemrën e qytetit më të madh në botë.
Photo Credit : Dritan Haxhija