Dielli/
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha i ka kërkuar kongresistes demokrate Carolyn B. Meloney që të mundësohet një takim mes lidershipit shqiptaro-amerikan dhe presidentit amerikan Joe Biden takime dhe bisedime të udhëhequra nga Vatra për çështjet të cilat shqetësojnë komunitetin shqiptar në Kosovë, trojet shqipfolëse dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës si SHBA-të dhe Perëndimin. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve për të mbështetur rikandidimin e kongresistes demokrate Carolyn B. Meloney. Në fjalën e saj përshëndetëse Carolyn Maloney falenderoi organizatorët dhe u ndal në rëndësinë e aprovimit të paketës 1 trilon dollarë të Infrastrukturës nga Kongresi Amerikan. Kryetari i Vatrës z.Berisha diskutoi rreth situates në Kosovë duke deklaruar se: “Bisedimet Kosovë-Serbi duhet të bëhen nën udhëheqjen dhe përkujdesjen absolute të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Situata për shqiptarët në Ballkan është shqetësuese. Zhvillimet në aspektin e sigurisë në veri të Mitrovicës dhe përplasjet për kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, janë moment të vështira për shtetin e Kosovës dhe sigurinë kombëtare të shtetit. Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe rrezik në rritje për shqiptarët prezenca e Beogradit, ushtrisë serbe dhe ndikimi e intervenimi rus në raportet dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne kërkojmë me çdo kusht që Serbia të marrë dënimin dhe ndëshkimin e merituar për genocidin dhe krimet e kryera në Kosovë” tha ndër të tjera kryetari i Vatrës z.Berisha. Darka e patriotëve shqiptaro-amerikanë në mbështetje të kongresistes Carolyn Maloney u mbajt në restorantin “Allora”, të patriotit shqiptar Halil Ahmetaj në Manhattan nën organizimin e z.Vehbi Bajrami. Carolyn Maloney është anëtare e Kongresit që prej vitit 1993 dhe është kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve, Komitet që heton shkeljet, korrupsionin, dhe abuzimet e zyrtarëve më të lartë amerikanë në të gjitha institucionet më të larta të shtetit Amerikan.