Nga Astrit Lulushi/
Gjatë këtyre 3 dekadave, shqiptari ka jetuar si i liruar me kusht pas qëndrimit në burg për 45 vjet. Si dëshmitar material i vjedhjes, krimit e korrupsionit, atij tani i mohohet e drejta për të udhëtuar dhe mbahet në izolim. Kjo është si kohë para-zgjedhjeve, kur njeriut i ofrohen premtime e dhurata, ose para-gjyqit, kur dëshmitari udhëzohet e përpunohet.
Pa lëvizje nuk ka gjallëri; të qenit gjallë është jetë; pa liri të lëvizjes nuk ka as të menduar, pasi duke mos qenë i lejuar për të dalë në rrugë, automatikisht eleminohet mendimi se “çfarë do të bësh kur të dalësh?”
Gjëja e parë që synon një qeveri tiranike – të cilën themi se e njohim, por duket se jo, por ekspertë të saj jemi – është kontrolli i lëvizjes së shtetasve, ashtu si me këmbën mbi pedal, shoferi kontrollon lëvizjen e makinës, duke e frenuar ose e lëshuar atë me vrull. Heqja e lirisë paralizon lëvizjet dhe njeriun. Keqbërësi dërgohet në burg për të mos patur kontakt me të tjerët jashtë pasi paraqet rrezikshmëri, ndërsa shtetasi nuk lejohet të dalë jashtë shtëpisë, pasi mund të sëmuret. Dhe kështu ndodh vetëm tek ne, ku qëndrimi në burg dhe jashtë tij, bëhen mënyra të ngjashme kufizimi jetese, ashtu si në luftë, ‘armiqtē’ e brendshēm bashkohen.