Letër e Mehmet Shehut mbi denimin me vdekje te Zyber dhe Sherif Lita/
Nga Qerim Lita/*
LETËR/
nga Mehmet Shehu, dërguar më 7 shtator 1944 deri te Shtabi i Korp-Armatës së I, në të cilën ndër të tjera thuhet se Zyber e Sherif Lita janë dënuar me vdekje pushkatim/
Peshkopi, 7 shtator 1944
Ne Shtabin e Mehmet Shehut ishin dhe Jugosllavet, nxitesit e luftes vellavrasese/
SHTABIT TË KORP-ARMATËS SË PARË
Po ju përcjellim procesin dhe vendimin e Gjyqit Ushtarak mbi Zyber Litën dhe Sherif Litën. Siç do t’a shini nga procesi dhe vendimi i marrë që të dy këta reaksionarë kanë bërë faje të rënda dhe i kemi dënuar me vdekje. Vendimin e kemi dhënë për ekzekutimin e të dyve për arsyet që tregohen në proces dhe jemi plotsisht të bindur në rast pushkatojmë Zyber Litën (i cili duhet pushkatuar pa tjetër) dhe të lirojmë Sherif Litën, ky i fundit, me shpirtin hakmarrës që ka, me ndërgjegjen e kalbur që ka mund të hidhet në ekstremitet për hakmarrijen e Zyberit që e ka ungj[1]; në rast se do ta lëmë si partizan në repartin t’onë ai patjetër mund të tentojë mbi jetën e ndonjë përgjegjësi dhe në qoftë se do t’a lëmë të lirë ai nuk munt të shmanget nga gjaku i Zyberit e të mos bahet një kriminel e reaksionar i rrezikshëm. Jo vetëm kjo por ai është përgjegjës për sa e sa kosovarë e malazezë që janë vra nga intrigat dhe mashtrimet e tij e fajet e tij, sado në të kaluarën janë tepër të mëdha që të mos peshojnë për të zhdukun nga faqja e dheut. Përpara se të merrnim vendimin e kemi gjykuar çështjen nga çdo anë dhe me gjakftohtësi[2]. Presim aprovimin t’uaj për të zbatuar këtë vendim. Mundësisht përgjigja të na jepet menjëherë.
Brigada e XVIII-të ka marrë ndonja 20 partizanë nga Reçi e Dardha. Me autorizimin t’uaj, Reçi e Dardha si dhe katundet nga e djathta e Drinit do të mobilizohen për Divizionin e I-rë. Prandaj propozojmë që të urdhëroni Brigadën e XVIII-të që të na i dorëzojnë këta partizanë sa më parë, Gjith’ashtu ju vemë në dijeni se Shtabi i Divizionit nuk ka radio për të dëgjuar lajmet e jashtme mbasi ata që kishte u a ka dorëzue juve; nga ana tjetër informohemi se Brigada e XVIII-të ka tri radio. Propozojmë që t’urdhëroni Brigadën e XVIII-të që të na dorzojë njërën nga radiot që ka në dispozicion.
Një Kompani e Brigadës së V-të që kish qenë për mobilizim në krahinën e Zerqanit, u kthye sot në Peshkopi me 26 rekruta të pa armë. Duke qenë se Brigada e IV-të ka një efektiv të vogël në krahasim me Brigadat e tjera të Divizionit dhe se duhet t’a ballancojmë efektivin e çdo Brigade, ne i mbajtëm këta 26 rekruta për Brigadën e IV-të. Mobilizimi u krye pjesërisht në Lurë, Reç e Dardhë dhe jemi duke vazhduar mobilizimin edhe në qarkun e Peshkopis, këtej Drinit e mbrenda kufive të vjetra. 10 partizanë nga Reka që na erdhën sot, i drejtuam për në njësitë partizane të Maqedonisë.
Sot qe këtu i gjithë Këshilli i Lurës me të cilin biseduam gjërë e gjatë e nuk është e vërtetë se ekziston një përçarje në Lurë, janë vetëm disa vogëlsira të cilat i ndreqëm dhe partizanët që po na vinë do të ndahen nëpër skuadra të ndryshme e nuk do të formohen njësira në bazë të terrenit.
Xhelal Ndreu erdhi dhe biseduam gjerë e gjatë me te. Bëmë dakord që të shkojë si partizan i thjeshtë në Brigadën e I-rë por për disa ditë e dërguam në Reç e Dardhë për të përfituar nga influenca e tij me kryerjen e mobilizimit e pastaj menjëherë do të shkojë në Brigadë. Cen Elezi nuk është kthyer akoma. Na jepni udhëzime ç’masa të marrëm[3]. Në bashkëpunim me Këshillin provizor dhe komandën e qarkut jemi në ndjekje të disa t’arratisurve të cilët po t’i kapëm do t’i gjykojmë dhe vendimin do t’ja u përcjellim për aprovim. Zbuluam se Baba Faja në kokën e tij ka dënuar nja shtatë persona me vdekje dhe u a ka dhanë artilierëve t’anë për ekzekutim. Ekzekutimi është krye pa gjyq, vetëm me urdhëra personale të baba Fajës. Kjo formon një faj të rëndë në mos një krim. Ne nga ana jonë i hoqmë vrejtjen shumë rëndë Komisarit dhe Nënkomisarit të artilerisë dhe u dhamë urdhër kategorik që të mos përsëritin gjera të këtilla.
Inglizët akoma nuk kanë hedhur material. Ne po insistojmë por insistoni edhe ju. U kemi dhënë shokve të Pezës 400 Fr. A.për ushqimin e kafshëve.
Presim përgjigje të shpejtë.
Të fala
Për Shtabin e Div. I-rë Sulmues
Komandanti (Kol. Mehmet Shehu)
Peshkopi, me 7 Shtator 1944
AQSH. F. 202. V. 1944. D. 73. Fl. 3-4
[1] Axhë.
[2] Zyber Lita, i lindur në vitin 1911 në Kala të Dodës. Përndryshe ai ishte djali i njërit ndër krerët më të njohur të Lumës, Mustafa Lita. Kishte kryer shkollën e mesme të plotësimit në Tiranë. Një periudhë ka qenë i kyçur në Ushtrinë Shqiptare me gradën Aspirant. Në vitin 1942 Zyber Lita emërohet komandant i Detashmetit Shëtitës Luma, me qendër në Kukës, detyrë që e kreu deri në arrestimin e tij më 5 shtator 1944 nga Brigada e V-të komuniste shqiptare. Sherif Lita, lindi në vitin 1914 në Kala të Dodës. Në vitin 1936 kreu akademinë ushtarake në Modena të Italisë, duke fituar gradën toger. Nga viti 1937 u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Shqiptare, fillimisht në Elbasan e më pas në Tiranë. Më vonë, përkatësisht me kapitullimin e Mbretërisë jugosllave, Sherifi një periudhë punoi si nëpunës i lartë në prefekturën e Prizrenit e më pas edhe të Pejës. Këtu bashkëpunoi ngushtë me disa krerë të njohur të Kosovës si: Rifat Begollin, Xhevat Begollin, Asllan Boletinin etj. Me kapitullimin e Italisë, Sherif Lita kthehet në vendlindje, përkatësisht në Kala të Dodës, ku mban lidhje të përhershme me Misionin Ushtarak Anglez. Që të dy, arrestohen nga Brigada e V-të më 5 shtator 1944, ndërsa siç shihet nga letra e mësipërme më 7 shtator, Mehmet Shehu, në cilësinë e kryetarit të Gjyqit Ushtarak i dënon me vdekje pushkatim.
[3] Cen Elezi, ishte djali i Elez Isuf Ndreut, përndryshe kushëriri i parë i Dali Ndreut, i cili në atë kohë ishte komandant i Korp-Armatës së Parë. Ndërkohë, Xhelal Ndreu ishte djali i Cen Elezit. Ai deri sa nuk qe dorëzuar, mbante postin e komandantit të Xhandarmërisë Shqiptare në Elbasan.
- Nxjerre nga “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje dokumentesh”, Vëllimi III (2016, shtepia botuese LOGOS A, Shkup).