Nga Ramiz LUSHAJ/
Atifete Jahjaga, e para femër presidente e Kosovës dhe e krejt regjionit të Ballkanit, 40 vjeçarja e Prishtinës, e lindur në Gjakovën akademike të “politikës së madhe”, po e përmbush mandatin e saj pesëvjeçar presidencial tue krijue si lidere: profilin e saj, formatin e vet. Asokohe, më 2011, ashtu si i erdhën rroçkullat e broçkullat politikës së ditës në Kosovë, zgjedhja Presidente e Atifete Jahjagës – ndonësi nuk ishte ma e afta ndër figurat publike e politike të Kosovës, ajo ishte zgjidhja ma e mirë dhe tashti tue i kqyrë tojat e tejat e politikës në Kosovë, si po i përdorë klasa politike tapitë e tokës, politikës e diplomacisë të Kosovës, po duket se Atifete Jahjaga si Presidente, ishte “zgjedhja ma e mirë”.
Ajo erdhi në krye të shtetit të Kosovës kur në ma pak se një vit kohor u (k)thyen në vargni e vorbulli katër burrshtetas të Kosovës, katër presidentë fron(tal): Fatmir Sejdiu (27 shtator 2010), Behxhet Pacolli (22 shkurt – 4 prill 2011), Jakup Krasniqi (në detyrë) një herë nja pesë muaj (27 shtator 2010-22 shkurt 2011) e mbi tre ditë (4-7 prill 2011). Ajo doli si e vetmja zgjidhje në tavolinë dhe si kandidaturë e zgjedhur në Parlament, atëherit kur u detyruan të heshtin zaret e zararet e politikanëve të fortë në votë e në “tortë”. Këta presidentë mandatshkurt(uar) vinin nga tri parti politike parlamentare: LDK, PDK e AKR, kurse Atifete Jahjaga vinte, si i thonë jo-shqip: Indipedente. Të gjithë këta presidentë, shto dhe Nexhat Dacin e 2006-tës, e kishin të vështirë të qëndronin presidentë të shtetit të Kosovës pas Presidentit legjend-ar dr. Ibrahim Rugova. Të gjithë patën kohë të pakët me krijue emër të madh, të vetin, modelin e vet. E, mos t’iu vijnë kurrnjanit keq nga këta burrështetas presidencial në se pas tyre në vargni, pas ikjes së tyre me “rreknim” e jo me “rrotacion”, Atifete Jahjaga e kishte ma të lehtë të ishte Presidente e Kosovës për pesë vjet tue mos pasë asnjanin prej të pesë presidentëve të mapërshëm “model” të saj, përveçse “Njëshit”, Ibrahim Rugovës. Jo se e imitoi Rugoven e madh se kësisoj do të kishte dështue në rritjen e vet politike, po duke mos e luftue Rugovën në vërtetësitë reale të kauzës së tij para e pas vdekjes, duke mos e “glorifikue” Rugovën për fronin e vet, duke mos e “privatizue” Rugovën për karrieren e vet, etj. Ndonjëri nga presidentët e mbajti Rugovën si “statujë” apo “tabelë” e jo si “flakadan”…Dikush tjetër si Krasniqi i hapi dy krahët politik përtej “tapetit”…, kurse Pacolli hodhi hapa përtej Pacollit…,etj.
Atifete Jahjaga, e vetmja femër gjeneral-majore në Europën Juglindore, si politikane e ushtarake me shkollime postdiplomatike euro-atlantike për Siguri e Drejtësi në Amerikë (në Departamentin e Drejtësisë, në Akademinë Nacionale të FBI, në Universitetin Virginia-s), në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe (në Universitetin Leicester-it), në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” Gjermani, etj. veproi ndryshe nga komandantët e luftës si Thaçi kryeministër, Krasniqi e Veseli kryeparlamentar, Ramush Hajredini ish kryeministër, Fatmir Limaj i Nismës, etj., të cilët ende e kishin dhe e kanë të pambyllur betejën për “kryekomandat të paqes”. Kjo u duk dhe vitin 2014 në krizën paszgjedhore parlamentare dhe po sy-duket në klimën politike të muajve të fundit në ecuri drejt zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Protesta e pazakontë e 9 janarit 2016, me ngjyrimet e saj kombëtare e politike, me demonstrim force vitale të Opozitës të Kosovës, në koft se përseritet prapë e ma ndryshe, atëherit dhe situata politike do të jetë krejt ndryshe… Hashim Thaçi po duket se turravrapon vendosmërisht drejt fronit presidencial dhe po kaq frikshëm i sheh “semaforët” gjatë këtij rrugëtimi politik. Isa Mustafa kryeministër po don “zonë të lirë” në territorin e udhjeksisë së tij pa Hashimin zv/kryeministër e ministër i Jashtëm tue ran ë ujdi-sje për një tjetër territor “ekstra”, atë presidencial, pasi “Qeveria Mustafa” po duket sikur është dhe “Qeveria Thaçi”. Me dy “kokëministra”. Me dy “luanë të politikës” në shilarsen a kaluçin e Qeverisë në një mot e një muaj.
Presidentja Atifete Jahjaga, një femër tipike dardane, duket sikur shembujt frymëzues të detyrës e jetës së saj politike e publike i kërkon e i merr brenda “gjinisë” së vet politike, tek bota femërore në avangardë të globit e të kohës së sotme, tek shembujt klasik, modern, magjik, si Hillary Klinton e Angela Merkel e ndonjë tjetër. Sigurisht Jahjaga nuk ka peshë politike, as palcë e as asht politik që të jetë si ato, si një nga ato, po duket se ajo ka shpirt idealisteje për t’u ngjarë atyre në raste, hapa e caqe të caktuara në detyrën e saj të lartë e me mjaft vështirësi të mëdha prej gjithkahit e për çdo ditë.
As Pozita dhe as Opozita në Kosovë në këto zgjedhje presidenciale nuk janë në kushte politike të atilla si duken në marrëveshje ultas e në buzëqeshje para kamerave, pasi situtata politike mund të përseritet si rasti politik 2010-2011, po disi krejt ndryshe, në kushte e realitete krejt të tjera (ndër)kombëtare, politike e diplomatike, etj. Troç, me thanë të drejtën, të vërtetën, kjo Pozita politike qeverisëse në Kosovë ka mëkate e makutëri shumëplanëshe, pasi mbi shpinën e tyre, në ndërgjegjen e tyre kombëtare shqiptare, randojnë dhe me presione e tensione akte të zeza si Marrëveshja “Zajednica” me Serbinë, “Demarkacioni” me Malin e Zi, gjykimet e pritshme të Gjykatës Speciale në Kosovë për krimet në luftë e në pasluftë të UÇK-së, etj. Ndaj po ka përnguti politike për ta zgjedhë Presidentin e Kosovës qyshce më 11 shkurt 2016, para kohës kushtetuese, me hakërrim politik. E, në këtë rast, si po duket mengjezi e si po vjen mesdita, prapë do të kemi President të Kosovës Atifete Jahjagën, pavarësisht se ajo deklaroi zyrtarisht e botnisht se do të dorëhiqet nga detyra e Kreut të Shtetit në datën e ligjshme, 6 prill 2016. Patjetër, Presidentja me mandat në përfundim, nisë dhe nga këshilltarët e këshillimtarët e saj politik e diplomatik është aq e zgjuar sa të mos e shpallin kandidaturën në një të tillë “politikë eksplozive”, po dhe politika në Kosovë në se do të ketë “shpërthime eksplozive” të saj nuk është aq e pazgjuar sa të mos e rizgjedhin prapë Atifete Jahjagën në krye të Shtetit të ri të Kosovës.
Presidente Atifete Jahjaga, ndaj të cilës kam pasë shkrime me pluse e minuse, duket se orakulli i saj ka të veçantë prillin, pasi në prill 1975 u lind e rrit si bijë e denjë në derën e Agajve të Rashkocit me kontribute e atribute atdhetare dhe në prill 2011 u zgjodh me marrëveshje vota Presidente e Kosovës. Çështja shtrohet ndryshe: a do të ketë një tjetër Prill si Presidente Atifete Jahjaga, pasi edhe Politika e Kosovës është në “Prillin” e vet politik?! Përndryshe, duke perifrazuar titullin e një vepre të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, do të thoshja dhe kësisoj: A do të kemi sivjet një “Prill të Thyer” në Zgjedhjet Presidenciale në Kosovë?!
Tashti, në përmbyllje, po e shoh rastin presidencial Atifete Jahjaga, në fokus e në spektrim të një thanie elitare të Presidentit Amerikan Barak Obama në Universitetin Cape Town: “Ne mund ta matim faktin se sa mirë është duke performuar një vend me atë se si ai vend i trajton gratë e vendit të vet”. E, në rastin e hapin e parë, me zgjedhjen e Jahjagës presidente, Kosova e tregoi performarcën e saj, e dha shembullin e vet. Ndaj ne po bajmë sikur e harrojmë rastin 2014 kur Presidentes Atifete Jahjaga iu kërkue dorëheqja nga posti lartnor i Presidentes nga politika në krizë politike e nga kulisat në kultivim politik në Kosovë, sepse mendojmë se në këtë prag pranvere 2016 me rastin presidencial Jahjaga kemi shansin publik politik diplomatik (ndër)kombëtar të tregojmë se si Kosova “i trajton gratë e vendit të vet”.