nga Albert HABAZAJ/
Konferenca e radhës e Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për degën e Vlorës i zhvilloi punimet në mjediset e sallës së konferencave të Pallatit të Kulturës “Labëria”, Qendra Kulturore, Skelë, Vlorë, më datën 3 dhjetor 2013. Në këtë takim mori pjesë edhe vetë Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, Prof. Dr. Ago Nezha. Shumë i nderueshëm, prekës dhe dinjitoz qe pjesëmarrja në këtë kuvend e z. Ahmet Demaj, kryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën. Akoma ishte e freskët dhe ende është e patharë plaga e rëndë që i shkaktoi trimit të urtë Ahmet Demaj ikja e parakohshme, aksidentale dhe e padrejtë e bashkëshortes së tij fisnike, mësueses Mirjane Demaj. Burri i Velçës dhe i Labërisë, për hir të nderimit që i bëri shoqëria labe, u ngrit mbi dhembjen dhe bëri zakonin e burrit lab, doli nga shtëpia, se e kërkoi detyra hyjnore e mëmës Labëri, priti shoqërinë e miqësinë në kuvend e mori pjesë në këtë takim të rëndësishëm. Vërtet nuk e mbajti ai raportin, por pjesëmarrja e tij, qëndrimi i tij, mesazhet që transmentoi, folën shumë e kuvenduan labërisht, vëllazërisht. Shembulli i tij është një model i lartë burrëror, që shënohet gati unikal në trevat tona e do të mbahet mend gjatë si gjest fisnik e trimëror dhe shkollë edukimi për të tjerët, sepse jeta i ka edhe këto halle, larg qofshin, sepse, si duket, edhe vdekja i duhet njeriut, për të provuar forcën, kurajon dhe karakterin e tij në këtë jetë “jallane”, me lule e furtunë.
Raportin mbi veprimtarinë e Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për degën e Vlorës e mbajti sekretari i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për Vlorën, z. Albert Habazaj. U bënë pyetje dhe u kthyen përgjigjet përkatëse, qysh në fillim të analizës. Pastaj filluan diskutimet, nga ku do të shënojmë për botim disa prej tyre: Qani Dervishi, përfaqësues i labëve nga Tepelena, me banim në Vlorë, ndër të tjera tha: “Kjo periudhë dy vjeçare ka qenë e sukseshme dhe janë kryer mjaft detyra shoqërore atdhetare – kulturore, sipas Statusit dhe, patjetër, si vijim i traditës më të mirë labe, në kohët e reja. Vlen për punë Albert Habazaj, sekretar i shoqatës; z. Ahmet Demaj, me një punë të shkëlqyer dhe u them të dyve: “Hallall iu qoftë!”. Kryesia e re të eci në shembullin e punës së këtyre dy viteve. Pjesëmarrja e grave në kryesi është pozitivisht evidente dhe një gjë shumë e mirë për të ardhmen”. Zotëri Dervishi shtroi problemin se, shumica apo, si i thonë tutje, mazhoranca e “qeverisjes horizontale” përbëhet nga burra, sidomos të moshës së tretë, prandaj të punojmë për futjen në shoqatë, – tërhoqi vëmëndjen ai, – dhe patjetër në kryesinë e shoqatës, të moshave të reja. Veprimtarja Vitori Hasani, Prof. As., mjeke në profesion, theksoi se veprimtaria e shoqatës ka qenë e madhe, sidomos në 100 vjetorin e Pavarësisë qe një gur i çmuar. “Dua të veçoj – u shpreh ajo – punën e z. Ahmet Dema dhe të Albert Habazit, prandaj jap dhe mendimin, që të dy, këta zotërinj të qëndrojnë”. Shpresim Kasaj, kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Armeni”, shprehet se është dakort me të dy parafolësit, aq më tepër që Labëria e Vlorës bëri gjithë atë “bum” aktivitetesh të shkëlqyera, që organizuan të dy drejtuesit e shoqatës sonë në Vlorë. Shtrirja e aktiviteteve qe e mirë, që nga Drashovica, Mesapliku, Dukati, sidomos dy aktivitetet në Teatrin “Petro Marko” qenë model e ngelen të papërsëritshëm. Aktiviteti i shoqatës “Labëria” për Vlorën, gjatë 100 vjetorit, qe i shkëlqyer në Vlorë. Po përmend për punë cilësore dy drejtuesit e shoqatës sonë, z. Ahmet Dema e Albert Habazaj”. Sulçe Çela, mësues veteran dhe sekretar i shoqatës “Velça” tha se të gjithë kemi kontribuar për mbarëvajtjen e veprimtarive atdhetare kulturore të Labërisë në Vlorë, por peshën e kanë mbajtur dy të parët, që ne i përmendim gjithmonë me respekt, z. Ahmet Demaj dhe z. Albert Habazaj, që kanë treguar aftësi të rralla drejtuese dhe komunikuese në komunitetin lab këtu, prandaj mendoj që të dy të qëndrojnë në krye përsëri. “Kam dy mendime, – theksoi ai – ta shkruajmë mirë atë që bëjmë. Për mua të mbahet ditar historik për veprimtaritë atdhetare – kulturore që bën kjo shoqëri e madhe e organizuar e Labërisë në Vlorën Bregdetare. Kushdo që të zgjidhet të ketë synim që të punohet për muzetë. Ditari dhe muzeu të jenë në qendër të punës së kryesisë, forumit dhe drejtuesve të rinj që do të zgjidhen”. I ftuar, Dr. Asqeri Llanaj, kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Cakrani” përshëndeti të dy drejtuesit e shoqatës “Labëria” për Vlorën, por edhe Prof. Dr. Ago Nezha, sidomos për rëndësinë që i kushtoi kësaj Konference në Vlorë, duke marrë pjesë vetë personalisht në këtë kuvend të rëndësishëm e nevralgjik labësh. “Keni qenë në krye të aktivitetev kombëtare – theksoi doktori – dhe me ç’di unë, edhe harxhimet janë bërë nga xhepi juaj. Edhe një herë ju falënderoj dhe jam gati t’ju ndihmoj”. Ndërsa mësuesi veteran Xhafo Muçaj, kryetar i shoqatës “Brati”, ndër të tjera, u shpreh: “Binom shumë i mirë dyshja që ka drejtuar këto dy vite “Labërinë” në Vlorë! Rëndësi t’i jepet shkollave të fshatrave për vlerësim. Dhjetë ndër to në rrethin e Vlorës kanë mbushur shekullin, 100 vjet dritë diturie në gjuhën shqipe. Veprimtari i dalluar, Serri Tushi nga Vermiku, vuri në dukje se drejtimi dhe veprimtaria e shoqatës “Labëria”, Vlorë ka qenë e shkëlqyer. “Them që ky binom të mos prishet edhe në të ardhmen” – nëvizoi veterani shembullor i arsimit, në gjakun e të cilit gëlon edhe zjarri ideal i Bajram Tushit, njërit nga katër Heronjtë e Topanasë. Piro Hodo, kryetar i shoqatës së Bashit, theksoi se edhe në Bashaj, këtë gusht të 2013 – ës, që kaloi, krijuam shoqatën. Si shoqatë e re që jemi, presim ndihma konsultative sipas statusit të Labërisë dhe përvojës që kanë Tërbaçi, Dukati, Vranishti, Bolena, Gumenica, Velça, Kuçi, etj. Punë të mirë bën gazeta “Labëria”, por në zona të thella kjo gazetë e dashur nuk vjen. Mirë ka nisur puna me muzetë dhe me lapidarët, të eci më mirë. Jam i mendimit që të dy zotërinjtë të qëndrojnë në drejtim, si element. Me interes u prit fjala e Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, kryetar i shoqatës “Vranishti i Vlorës”, nënkryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën, ish – rektor i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës për 10 vjet, “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Profesori dha mendime, se ka vend për shtrirje dhe për pjesëmarrje. Ka shumë intelektualë, bij të Labërisë, me të cilët, duhet të punojmë për t’i afruar atje ku u takon dhe së dyti, – theksoi ai – shumë mirë bëjmë, që bëjmë vlerësime të njerëzve, por të kemi një listë të figurave të shquara, për t’i vlerësuar pë vijimësi. Jam dakort me të dy drejtuesit. Me shumë emocion labërisht u pritën dy fjalët e Ahmet Demës: “Ju falënderoj sinqerisht për ndihmën shpirtërore, që më keni dhënë. Shtëpia nuk mbahet pa themele në këmbë. Falënderoj profesor Ago Nezhën për ndihmën që na ka dhënë si degë në Vlorë. Dhe një herë ju falënderoj”. Pa diskutim, me shumë dëshirë dhe interes u prit fjala e kryetarit të “Labërisë” Kombëtare, Prof. Dr. Ago Nezha: “Kemi bërë një program për zgjedhjet, por aktiviteti i madh u shty për në prill, – tha ai – dhe, sipas modulit të rotacionit, do të bëhet në Gjirokastër. Ngushëllimet për Ahmetin i kam bërë familjarisht në familje, por sot e ngushëlloj në emër të shoqatës “Labëria”. Më tej ai theksoi, se dega e Vlorës ka patur një dinamikë në rritje, sidomos këto dy vitet e fundit, prandaj falënderoj të dy drejtuesit. Është një punë e vlerësuar, por e papaguar. Secili të thotë: “Çfarë i jap unë shoqatës dhe jo vetëm të kërkojmë llogari çfarë bën kryesia. Drejtuesi duhet të thotë, mendoj kështu. Vlora, dega e saj u shqua, sidomos në 100 vjetorin e Pavarësisë. Shoqata “Labëria” nuk është asnjëherë politike, prandaj secili të kontribuojë për Labërinë pa te kutia të bëjë ç’të dojë. Bashkohem me gjithë opinionin, që z. Ahmet Demaj dhe Albert Habazi të qëndrojnë në drejtimin e degës së Vlorës. Kam asistuar në disa aktitivitete dhe kam ngelur shumë i kënaqur nga ata. Të punojmë më shumë për futjen e intelektualëve vlonjatë në shoqatë. Është shumë e drejtë futja e gruas në shoqatën tonë. Mirë është që ne të marrim njerëzit tanë, që të shtëpisë e të afërmit, sepse duke parë, duke qënë afër, ata do të shohin një punë të mirë. Kam qenë dhe jam shumë i angazhuar. Të zgjidhet një kryesie re edhe me gra, edhe me të reja e të rinj aktivistë. Lini edhe vende bosh, që të futen më vonë, me dëshirën e tyre. Më në fund Profesor Nezha theksoi tekstualisht: “Në këto grupimet tona shoqërore dhe konkretisht në shoqatën atdhetare kulturore, mos kërko llogari, jep llogari!” Mesazhi është i qartë, kuptimplotë dhe progresist për të gjithë ne, idealistët e Labërisë dhe bijtë e saj, që u dhëmb mëmëdheu i përbashkët lab.
Sipas procedurës, drejtuesi i konferencës lexoi emrat e kryesisë së mëparshme, të cilët u diskutuan e u votuan, nga ku një një pjesë u rikonfirmuan përsëri, ndërsa u shtuan edhe të rinj, që plotësuan kryesinë e re të shoqatës “ Labëria” për Vlorën, të përbërë për dyvjeçarin 2013 – 2015, si më poshtë: Ahmet Demaj (Velçë), Albert Habazaj (Tërbaç), Bilal Shkurtaj (Vranisht), Kristo Çipa (Himarë), Vitori Hasani (Vranisht), Dane Hoxha (Matogjin), Tajre Bozhani (Dukat), Ruzhdi Bajrami (Bolenë), Qani Dervishi (Sinanaj, Tepelenë), Sulçe Çela (Velçë), Kastriot Karabolli (Kallarat), Mustafa Dedenika (Dukat), Zigur Suli (Kuç), Luto Memokondi (Brataj), Sejmen Gjokoli (Gjirokastër), Astrit Muho (Lops, Tepelenë), Anila Amataj (përfaqëson brezin e ri, vajzat e Labërisë), Fatmir Hodo (Gumenicë), Eqerem Canaj (Smokthinë), Shpresim Kasaj (Armen), Asqeri Llanaj (Cakran – Mallakastër), Flora Malaj (Brataj), Piro Bregu (Kaninë), Nuri Llanaj (Treblovë) dhe Agim Ruka (Matogjin). Kryetar u rizgjodh Ahmet Dema dhe sekretar përsëri Albert Habazaj. Për kryetar i përgjithshëm u propozua Ago Nezha dhe sekretar i përgjithshëm Xhemil Çeli; si përfaqësues i Vlorës në qendër u propozua Bilal Shkurtaj, ndërsa u sugjerua që nga Tirana të promovohet një emër i ri, ai i Prof. As. Benard Zotajt, me origjinë nga Ramica.