Poezi nga Arshi Pipa/
(Përgatiti për botim Anton Çefa)
Lamtumirë/
Delni e m’thoni udhembarë,/
mbanje veten t’forta,/
dridhnje n’erë shaminë me ojna/
prej mbi prak, o motra!/
Me shaminë fshini prej syshë
lotët tuej te votra,
hidhnje n’erë . . . nji dallëndyshë
ka me u ba, o motra!
Do ta shquej ndër mija tjera
te ku m’hodhi shorta
përtej detit n’dhena t’hueja
ku po shkoj, o motra!
Neli
Asnji sa Nelin s’deshta
ndër gjith’ shokët e burgut.
Kishte hijen e murgut,
kishte fjalët e thjeshta
qi n’buzë si lule çelin,
lule vjeshte të rralla,
e kundërmojnë të gjalla
te kujtesa ku ngelin.
Nji katundar ai ishte
prej Durrësi, nga rrethet.
E shtypshin keqas ethet,
me reuma ndër kërbishte,
përveç plagës mbi gju
qi mori n’arrati,
kur vëlleznit e ti
u vranë, ai vetë u zu.
E hiqte edhe ma keq
për ushqim, kishte lanë
tre kalamaj pa nanë
te votra me dy pleq,
por kurr s’e pata rrokë
n’aq ngushticë e nevojë
me namë e me shpërgojë,
nji herë me u grindë me shokë.
Shok, shpesh të kam kujtue.
Nji provë dojsha dhe e gjeta.
Prej asaj dite jeta
Pat kuptim me u jetue.
Mbramje katundare
Gjallnohet mbarë katundi
kur dita vjen tue shmangë.
Bariu me dhent përpara i la fushoret
tue fishkullue nji kangë.
Ndër ara punët sosën.
Lëshoi kostari kosën,
djersën nga balli fshinë qi rrjedh mbi gushë.
E vasha e nuse me shtambat mbi krye
te kroni i lanë me u mbushë.
Blegërojnë e dhen e dhi mbledhun ndër vathë,
lodrojnë kingjat rreth nanash
tek hyjnë e dalin tbanash
kalamaj përmbas grashë me kambë zbathë.
Nji derë mbyllet e çilet,
përgjegjet pallja e lopës qi po milet.
E dyndet nata tue përzanë kuqloshe
dritën përtej kodrinash
qi shkojnë zhdërvjelltas tue value kah deti.
Nji grue i këndon foshnjes
tue e lëkundun te djepi.
Përgjumet nana foshnjen tue lëvitun,
dridhet nji maje plepi,
e mandat qi pikojnë erna përdarin
e shejin rrotull barin.
Navigare necesse
« N’oqeanin e pamasë,
lundërtarë mbi zgavrra lisi,
çka kërkoni ju me hasë
ku ndër gjire joshë avisi ?
Para jush e mbrapa mjegull,
valë qi ndiqen rretheqark
ndër bunaca e shqota shrregull,
e nji qiell qi u mbyllet çark ! »
« Qielli i çamë rrezitë ylbera,
fundi i detit ka visare,
na përcjellë me vringull era
anash botës kufitare.
Ndiej! Kërset me u thye anija,
vjen nji frymë, na jemi gati,
velat ndenë për ne dashnia
e lundrojmë me busull fati.”
Agim
Andrrat bahen të shkurta,
flurojnë të shpejta
n’ajrin e rralluem,
u ndihet murmurimi.
Te hyjzit vezullimi
Asht i shqetë,
e fryjnë era t’ imta.
Fërgullon tash e cikun
gjethnaja.
Agim te maja.
Legjenda e Drenicës
Uluron murrani i çmendun,
fshan si bishë me zhgjetën n’bri.
Davaritet mjeglla e dendun
mbi katundin shkrumb e hi.
E mbi buzën e nji rrmorje
duket tash nji kullë mënjanë.
Nji djalosh përmbas dritorje
rrin mendueshëm e nuk bzan.
Asht për rrugë e n’armë shtërngue:
bomba dore me gjerdanë.
“Loke, s’mundem me mungue;
lamtumirë kam ardhë me t’thanë.”
Qan e ama e duert i mbeten
tu’i përdredhë n’idhnim e fshan:
“Dy qi pata shkuen e mbeten…
bir o bir, ku don me m’lanë?
Mbushë s’i ke ti pesëmbdhetat,
kush at gja s’ta ven ty barrë…”
“Nanë, do t’shkoj me u ba me çetat,
gjakun vllezënve me u marrë!”
“Kanë me t’vra: si tu vëllezën,
si tët at, i pushkatue!
Ku na len, ah, mue fatzezën,
tande motër fatshkretue?”
“Lene, nanë! Ma keq me e mbyllë:
ktu me e gjetë si berr e presin.
Shqe veç janë, me hyll pa hyll.
Qymen kanë ndërrue, jo vesin!
Lene t’shkojë, e mbarë ju dhashtë.
Ktheftë me nder. Por n’qoftë, o vlla…
(Perendija mos e thashtë!)
gjakun vetë kam me ta la!”
Fishkullon murrani rrmores,
me frullizë tue uturi,
hyn ndër hekrat e dritores
nalt te kulla shkrumb e hi.