Rafaela Prifti/
Në përkujtim të përvjetorit të vdekjes së Peter R. Priftit (17 gusht 2010) vlen të sjellim në mend përkushtimin e tij ndaj studimeve albanologjike si model i një intelektuali të përsosur si edhe një atdhetari të rrallë. Studimet e tij, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë të shkencave politike e sociale, janë botuar në gjashtë vëllime pa llogaritur punimet shkencore si bashkëautor veç shumë shkrimeve të tij në revista profesionale e gazeta të njohura në Amerikë. Përsa i takon kohës në Vatër, ai, në vitin 1958, u emërua bashkëeditor i gazetës Dielli dhe më pas kreu vetëm për një vit (1959-1960) detyrën e Sekretarit të Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra në Boston nën Kryesinë e të përndriturit Fan Noli.
Peter Prifti është anëtar nderi i Departamentit të Gjuhësisë të Universitetit të Kalifornisë në San Diego. Ai është autor i disa vëllimeve në shqip dhe anglisht si: Confrontation in Kosovo: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1988, Remote Albania – The politics of isolation, Land of Albanians – A Crossroads of Pride and Pain, Unfinished Portrait of a Country, Mozaik Shqiptar e të tjera.
Në ditën e përvjetorit të vdekjes, është me rëndësi të lexohet letra e tij drejtuar Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë z. Sali Berisha. Në të autori ngre zërin dhe argumenton qëndrimin e tij kundra emërimit të dhespotit grek Janullatos si kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe “shenjtërimin” e tij aty. E shkruar në Korrik të vitit 1992, letra ilustron mprehtësinë analitike, largpamësinë mendore përballë llogaritjeve politike dhe shpalos atdhedashurinë e një mërgimtari që ndonëse jetonte në Amerikë ishte thellësisht dhe deri në fund i përkushtuar ndaj vendit të tij të lindjes.
Figura e Peter Priftit mbetet nga më të shquarat e diasporës shqiptare në Amerikë.
Shënim: Letra i takon arkivit të familjes Prifti. Ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa miratimin e familjarëve është i ndaluar dhe i ndëshkueshëm me ligj.