Zonja Lela Prodani, ndër 30 gratë më të suksesshme në industrinë e financave në Amerikë/
Një durrsake me profesion analiste investimesh, është shpallur në listën e 30 grave më të suksesshme në fushën e investimeve institucionale në Amerikë. Bëhet fjalë për Lela Prodanin, analiste investimesh në Mercy Health në St. Louis, karriera e së cilës është ngritur në majat e saj më të larta në një hark kohor shumë të shkurtër. “Trusted Insight”, rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë, e ka renditur durrsaken Prodani, në top 30-shen e grave në ngritjen e shkallëve të karrierës në industrinë gjigante të financave. Por sa e vështirë është të fitosh një titull të tillë prestigjioz në Amerikë, dhe mbi të gjitha kur je femër? Me sa duket akoma më e vështirë është kur flitet për gjininë femërore, pasi kjo industri, tradicionalisht është dominuar nga meshkujt. Një pozicion që kërkon fuqi, autoritet, përkushtim, përballje me sfidat, dhe sigurisht shumë profesionalizëm. Por pasioni për këtë profesion nuk e ka penguar Lelën që t’ia dalë mbanë, dhe madje të arrijë aty ku çdo analisti tjetër do t’i dukej ëndërr në një periudhë kaq të shkurtër.
Rrjeti prestigjioz “Trusted Insight”, ka realizuar një intervistë të gjatë me Lela Prodanin, të cilën e ka përzgjedhur në kopertinën e revistës së saj, mes 30 femrave të tjera më të suksesshme.
Më herët, në tetor të 2015-s, Lela Prodanit i është atribuar çmimi prestigjioz i “Investitorëve Institucionalë” dhënë nga “Investor Intelligence Awards” .
Shkrimi i plotë i publikuar në “Trusted Insight”:
*Intervistë nga revista Trusted Insight me Analisten e investimeve në Mercy Health.
Lela Prodani është analiste investimesh në Mercy Health. Prodani filloi si analiste investimesh në nëntor 2013 dhe u rrit në detyrë po në nëntor të 2013-s. Më përpara ajo punonte si analiste e produkteve teknike dhe e performances në Mercer, si dhe analiste kapitalesh dhe specialiste e fondeve të përbashkëta tek Smith, Moore & Co. Prodani është e diplomuar në Biznes Ndërkombëtar dhe ka një Master Nga Universiteti Webster. Gjithashtu është e certifikuar në matjen e performancës së investimeve.
Trusted Insight: Financa është një industri që në mënyrë tradicionale është zotëruar nga meshkujt. Sa vazhdon të jetë i vërtetë ky mendim?
Lela Prodani: Puna ime e parë pas mbarimit të kolegjit ishte në një zyrë tregtare në një firmë të vogël broker. Kur fillova, shumica e këshilltarëve financiarë ishin meshkuj, dhe shumica në zyrat mbështetëse ishin femra. Të gjitha aktivitetet e tregut, ku unë kam marrë pjesë, ishin kryesisht të mbizotëruara nga meshkuj. Edhe sot, në fushën e investimeve institucionale, femrat mbeten një minoritet.
Megjithatë, pavarësisht kësaj që thashë më parë, unë nuk mendoj që gjinia është penguese për të pasur sukses. Pasi unë u largova nga firma broker, disa femra ishin rritur në detyrë në pozicione me autoritet dhe fuqi. Ti mund t’ia dalësh në këtë industri, pavarësisht nëse je një femër apo një mashkull. Diskriminimi mund të ketë qenë mbizotërues shumë kohë më parë, por nuk mendoj se kjo përbën më një problem. Unë besoj se çdo grua që hyn në industrinë e investimeve mund t’ia dalë të ketë sukses, për aq kohë sa ka pasion për këtë profesion.
Në rastin e ekipit në Mercy, katër profesionistët e investimeve janë të ndarë në mënyrë të barabartë : 2 meshkuj dhe 2 femra. Kjo më duket shumë inkurajuese dhe pres që të shoh edhe ekipe të tjera që mundohen të rrisin diversitetin.
Trusted Insight: A ka ndonjë gjë që industria mund të bëj për t’u përkujdesur që më shumë femra të angazhohen në të?
Lela Prodani: Po. Unë në fakt po diskutoja për këtë me Elizabeth Jourdan, përfaqësuesja jonë CIO në Mercy rreth mënyrave për të rritur angazhimin e femrave në këtë industri. Ajo është pjesë e një nisme në “Shoqatën CFA” në Saint Louis që po punon për të inkurajuar sa më shumë femra t’i bashkohen profesionit të investimeve dhe të ndjekin Charter CFA. Ky grup përbëhet nga meshkuj dhe femra. Ato po mendojnë të bëjnë shumë aktivitete që nga mbledhja e një grupi investitoresh femra për të biseduar rreth temave si aftësitë negociuese dhe mundësitë për karrierë, deri tek organizimi i takimeve sociale, ku anëtarët ndajnë përvojat e tyre rreth punës në një firmë investimesh.
Më duket sikur sa herë që ne bisedojmë me femrat, nuk ka shumë femra që luajnë golf. Sa herë që ka një event biznesi që përfshin golfin, shumë pak femra duan të shkojnë. Grupi po mendon të organizojë një aktivitet golfi, ku dikush të mund t’i mësojë bazat e golfit përpara se ato të mund të luajnë. Kjo mund të ndihmojë që më shumë femra të marrin pjesë nëpër aktivitete biznesi ku ato nuk do të shkonin, thjesht sepse nuk dinë si të luajnë golf. (Batutë e përdorur nga Lela për të treguar me humor se femrat janë të afta për gjithçka, madje dhe për ato “punë” që konsiderohen vetëm si pjesë e meshkujve).
Gjithashtu unë mendoj se në këto aktivitete duhet të tërheqim edhe studentët e kolegjeve, t’i edukojmë ata dhe t’i nxisim drejt ndjekjes së një karriere në investime. Të rrisësh ndërgjegjësimin është çelësi për të përfshirë sa më shumë njerëz, veçanërisht femra në këtë industri.
Trusted Insight: Ekipi i investimeve në Mercy ka një përqasje përgjithësuese. A mund të na tregosh për dinamikën e ekipit dhe ndarjen e detyrave?
Lela Prodani: Për momentin ne jemi katër persona në ekipin tonë të investimeve. Tony Waskiewicz, si Kryeoficeri i Investimeve, Elizabeth Jourdan përfaqësuese e CIO-s, unë si analiste e investimeve dhe Mike Werner si Menaxher i Operacioneve dhe Manaxhimit të Riskut. Gjithashtu ne kemi dhe asistenten Beth Gray, e cila është ajo që na mban të gjithëve të organizuar. Tani ne jemi duke kërkuar t’i shtojmë një tjetër anëtar ekipit tonë, i cili do të fokusohet në manaxhimin e riskut.
Siç e përmendet edhe ju, ne kemi një përqasje përgjithësuese. Megjithatë, rolet tona janë paksa të ndara. Unë dhe Elizabeth fokusohemi tek investimet me vëmendje. Ne jemi përgjegjëse për formulimin e ideve fillestare, për mbajtjen e kontakteve të ngushta me menaxherët tanë aktualë, dhe me monitorimin e ekspozimit dhe pozicionimit të portofolave (aksione, investime).Mike merret me anët operacionale të fondeve. Tony mbikëqyr si investimet ashtu edhe anët operacionale të portofolave; ndërkohë që na nxit çdo ditë që të mendojmë përtej zyrës sonë për të gjetur mënyra të reja për të përmirësuar portofolat dhe për të zgjidhur çështjet në mënyrë proaktive. Ndonëse detyrat na mbajnë pak të ndarë, ne komunikojmë në mënyrë të vazhdueshme me njëri-tjetrin: ne mblidhemi dy herë në javë ose më shumë sipas nevojës për takime zyrtare, ku rishikohen dhe diskutohen portofolat, e më pas merren vendimet.
Trusted Insight: Mercy Health praktikon investimet me përgjegjësi sociale. Na trego rreth këtij misioni.
Lela Prodani: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Në këtë moment investimi me përgjegjësi sociale ka vetëm një kufizim për duhanpirjen, por ne po marrim një iniciativë për të zgjeruar mandatin tonë për përgjegjësitë sociale. Tani po punojmë me Misionin këtu te Mercy për të na ndihmuar të formulojmë ide dhe struktura të mira.
Ne kemi një takim të komitetit tani shpejt, dhe ne po përgatitemi të drejtojmë investime me përgjegjësi sociale,iniciativa dhe përqasje në procesin e ESG-së.(mjedis,shoqëri,qeverisje-tre shtyllat e qëndrueshmërisë). Këto përqasje mund të variojnë nga pasqyrimet përjashtuese (të ngjashme me kufizimin kundër duhanit që po zhvillojmë momentalisht), në investimet me menaxherë që përfshijnë pasqyrimet e ESG-së në proceset e tyre, deri tek qasjet më direkte, si investimet me impakt. Tani në po planifikojmë t’i tregojmë komitetit rreth kësaj teme dhe aplikimeve të saja. Pasi ta kemi diskutuar me komunitetin rreth mënyrës që Mercy dëshiron t’i qaset përgjegjësisë sociale, atëherë do ta zbatojmë. Ne kemi filluar bisedimet me menaxherët tanë rreth SRI-së dhe ESG- së. Shumë nga menaxherët tanë përfshijnë ESG-në në procesin e tyre të investimit. Gjithashtu momentalisht ne sigurojmë një listë sigurimesh të kufizuara për menaxherët tanë aktualë me mandate llogarie të ndara (planifikojmë të zgjerojmë edhe më tej këtë listë, përtej kufizimit kundër duhanit në të ardhmen). Por sërish nuk kemi bërë shumë për sa i përket investimit me impakt. Ne mendojmë se investimet me përgjegjësi sociale janë shumë të rëndësishme dhe ne po punojmë për të zgjeruar qëllimin e tyre.
Trusted Insight: A do të thoshit që investimet me përgjegjësi sociale janë ndryshim themelor në industri, apo është thjesht një modë që disa institucione po ndjekin?
Lela Prodani: Shumë investitorë europianë janë përfshirë në mandatet e SRI-së dhe ESG-së për shumë kohë. Mendoj se ne jemi pak mbrapa këtu në SHBA, por nga bashkëbisedimet e kohëve të fundit me kolegët, shumë e më shumë njerëz po marrin iniciativa në investimet me përgjegjësi sociale, veçanërisht firmat jo përfituese ose ato me përkatësi fetare. Mua më duket se investitorët dëshirojnë të bëjnë më shumë se thjesht të investojnë, ato duan të ndikojnë gjithashtu edhe në komunitet. Një nga pengesat në investimet në SRI/ESG është që ndikon në performancën e saj. Shumë njerëz mendojnë se nëse ata investojnë në SRI/ESG, ata do të kenë kthime. Ne kemi bërë disa kërkime në këtë fushë dhe nuk mendojmë se kjo është domosdoshmërisht e vërtetë. Ne mendojmë se investimet e qëndrueshme mund të japin kthime që janë në të njëjtën linjë me etapat përkatëse. Megjithatë, ashtu si me çdo menaxher, ne mendojmë se përzgjedhja e menaxherëve është kyç në këtë fushë.
Trusted Insight: Zyrat e investimeve në spitale, përgjithësisht janë diçka e re në industrinë e kujdesit për shëndetin. Çfarë roli luajnë këto zyra në këtë industri?
Lela Prodani: Zyrat e investimeve në shëndetin publik përbëhen nga njerëz inteligjentë dhe inovatorë që përpiqen gjithmonë t’i dalin punëve përpara. Ka një ndjenjë të fortë bashkëpunimi midis ekipeve të investimeve në institucione të ndryshme. Sa herë që takohemi në konferenca ose në biseda me kolegët tanë, ne kemi bashkëbisedime të ngjashme : “Në rregull. Çfarë mund të bëjmë më mirë? Si mund t’i arrijmë objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis me kthime të ulëta? Si mund të gjejmë mënyra krijuese për të përfituar nga dislokimet e tregut dhe mundësitë e reja? A mund të jemi krijues dhe të shtojmë vlera nëpërmjet zgjidhjeve më të rregulluara, si makinat me kredi, apo gjëra të tjera si këto?” Nuk është çështje konkurrence, është më tepër për të ndarë ide dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Trusted Insight: Ky lloj bashkëpunimi duket i rrallë në fushën e investimeve.
Lela Prodani: Më duket se ka më shumë konkurrencë në universitete se sa në fushën e kujdesit për shëndetin. Ne komunikojmë me kolegë të tjerë dhe ndajmë ide; unë mund t’u telefonoj kolegëve të spitaleve të tjera për ndihmë ose për pyetje në lidhje me menaxherët. “ A ke folur me këtë menaxher?” Ata janë shumë mbështetës për të ndarë ide. Ne jemi njësoj dhe mua më pëlqen shumë ky fakt.
Trusted Insight: Me çfarë sfidash të veçanta përballen zyrat e investimeve të kujdesit për shëndetin?
Lela Prodani: Kthimet e ulëta janë një sfidë e madhe. Dhe kjo jo vetëm në fushën tonë. Ndoshta është e njëjta sfidë edhe për industritë e tjera. Është shumë e vështirë të arrish objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis. Ose të duhet të marrësh më shumë risqe, ose duhet të heqësh dorë nga disa likuiditete me qëllim që të mund të kesh kthime me të larta. Ndonjëherë as kompensimi (kthimi për sasinë e rrezikut) nuk është i mjaftueshëm për rrezikun e marrë në projekte. Është me të vërtetë një sfidë. Në këtë mjedis të duhet të punosh për të ulur pagesat, ose të hysh në investime private për të pasur kthime më të larta. Kjo nuk është një sfidë vetëm në fushën e kujdesit për shëndetin,është një sfidë e përgjithshme, por kthimet përfundimisht po ndikojnë në objektivat dhe qëllimet e fondeve.
Trusted Insight: Kë konsideroni bashkëpunëtorë të Mercy Health? Ku ndryshoni ju nga ata?
Lela Prodani: Unë do krahasoja Mercy-n me institucionet e tjera të kujdesit për shëndetin në rangun e 2-2.5 miliardë $ me zyra të vogla investimesh prej katër – pesë vetash. Ekipet që pëlqejnë të marrin vendime të pavarura rreth planeve të tyre, por duke qenë se ato janë kaq të vogla, përsëri ato duhet të mbështeten goxha në konsulencën e tyre. Me këta kolegë do ta krahasoja Mercy-n. Nëse do të doja ta dalloja zyrën tonë nga të tjerat, do të thosha që ne kemi një shpërndarje të lartë alternativash, rreth 50% është në alternativë dhe 50% në investime tradicionale. Gjithashtu ndërkohë që ne investojmë me menaxherë të mirënjohur dhe të mirëvendosur, ne nuk jemi të ndrojtur të investojmë me firma boutique-sh apo me mundësi të veçanta. Ne angazhohemi në partneritete që mund të jenë përfituese për ne. Një shembull është investimi ynë bazë në një fond dislokimesh me të ardhura të larta. Ne donim të përfitonim nga likuiditeti ne tregun me të ardhura të larta. Ne kemi pasur disa biseda proaktive me menaxherë aktualë dhe ata të mundshmit, dhe thamë: “Në rregull, ka likuiditet në tregun e krediteve, çfarë mund të bëjmë për të përfituar nga kjo?” Kjo na çoi të bëheshim një nga investitorët fillestar në këtë fond. Ose një shembull tjetër, ne kemi punuar me një menaxher tjetër për të përfituar nga mundësia e BB CLO Mezz. Mendoj që kjo është ajo që na dallon nga të tjerët, gjithmonë në kërkim për mënyra që të rrisim kthimet për planet tona.
Trusted Insight: Cilat janë këshillat që do t’u jepni grave të reja që duan të hyjnë në fushën e investimeve.
Lela Prodani: Ju duhet ta keni me pasion fushën e investimeve. Ju duhet të keni dëshirën të shkëlqeni kur jeni minoritet në industri. Të gjeni një ekip pune të mrekullueshëm që ushqen njohuri dhe mendjemprehtësi financiare. Mos ndalni kurrë së mësuari.
Duhet të shohim më shumë gra në industri. Ne duhet të punojmë shumë fort për të inkurajuar gratë e reja që kanë pasion financën, të zgjedhin fushën e investimeve si një zgjedhje për karrierën e tyre. Është një karrierë shumë emocionuese, dhe për njerëz që pëlqejnë të mësojë vazhdimisht është një vend i mrekullueshëm.
*“Trusted Insight” është rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë. Ai lidhet me vendimmarrësit e investimeve në dhurimet, fondacionet, pensionet, kompanitë e sigurimeve, fondet sovrane të pasurisë, zyrat familjare, korporatat dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.
***
Sqarojme lexuesit se jeten dhe emigrimin e Leles nga Durresi ne SHBA, Gazeta “Dielli” e ka percjelle ne nje shkrim te vecante vitin e kaluar. Ky eshte nje sukses tjeter i kesaj zonje qe perfaqson nje familje te nderuar ne Durres. Me kete rast redaksia e gazetes “Dielli”, i uron arritje te tjera zonjes se nderuar Lela Prodani!