-Ramush HARADINAJ-AAK:Shteti duhet të japë përgjigje për çfarë ndodhi sot në Prizren/
-Ministria e Drejtësisë e qeverisë së Kosovës në një komunikatë sonte bën të ditur se është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për vdekjen e të paraburgosurit në Spitalin Rajonal të Prizrenit/
Prishtinë, 5 Nëntor 2016/ Një i ri aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën në moshën 26 vjeçare në Prizren, ka njoftuar subjekti më i madh opozitar në Kosovë.
Astrit Dehari mbahej në burg prej 68 ditësh si i burgosur politik me prova të fabrikuara në një proces të montuar gjyqësor, bëhet e ditur në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kërkohet zbardhje e plotë e rastit dhe përgjegjësi institucionale për humbjen e jetës së Astrit Deharit.
Në komunikatë më tej thuhet: Në këto momente të rënda për familjarët dhe shokët e Astrit Deharit, dhe për të gjithë ne, Lëvizja VETËVENDOSJE! po ndjek nga afër deklaratat kontradiktore të organeve të shtetit të Kosovës lidhur me vdekjen e tij. Astrit Dehari po mbahej në burg prej 68 ditësh bazuar mbi akuza të montuara për terrorizëm nga Prokuroria dhe Policia e kapur e Kosovës. Astrit Dehari ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Nga njëra anë, Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij. Burime të tjera tregojnë se Astrit Dehari mund të ketë vdekur në burg si pasojë e mungesës së duhur të kujdesit ndaj shëndetit të tij. Kurse kryeprokurori i Prizrenit deklaron se vdekja është e dyshimtë. Të gjitha këto janë informata kontradiktore dhe të papërputhshme.Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë disa herë thirrje dhe protesta për lirimin e aktivistit Astrit Dehari dhe 5 aktivistëve të tjerë që ende mbahen si të burgosur politikë. Protesta e fundit për lirimin e aktivistit Astrit Dehari është mbajtur dje pranë burgut të Prizrenit, por kërkesa jonë e drejtë ka rënë në vesh të shurdhër.
Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! mban pikësëpari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.
MINISTRIA E DREJTËSISË ËSHTË NJOFTUAR NGA SHËRBIMI KORREKTUES I KOSOVËS PËR VDEKJEN E TË PARABURGOSURIT
Ministria e Drejtësisë e qeverisë së Kosovës në një komunikatë sonte bën të ditur se është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për vdekjen e të paraburgosurit A.D., në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Në momentin e marrjes së lajmit, janë aktivizuar të gjithë mekanizmat dhe institucionet relevante për t’u marrë me rastin.Zyrtarët e Shërbimit Korrektues, tashmë po kryejnë veprimet për sqarimin e rastit. Përveç kësaj, me kohë janë njoftuar ekipet e policisë, ndërkohë ekipi i Mjekësisë ligjore dhe Prokurorisë janë duke punuar për hetimin dhe sqarimin e rastit.Ministria e Drejtësisë i shpreh ngushëllime pjesëtarëve të familjes së të ndjerit A.D, duke ndjerë keqardhje të thellë për rastin tragjik dhe siguron opinionin se do të njoftohet me kohë, posa të merret raporti zyrtar nga organet gjegjëse.
NJOFTIMI I SHËRBIMIT KORREKTUES TË KOSOVËS
Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin se sot, më 5.11.2016, në rrethana ende të pasqaruara, i paraburgosuri A.D., ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh keqardhje të thellë për rastin tragjik të ndodhur sot në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.Shërbimi Korrektues i Kosovës, në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse, së shpejti do të japin raport për rrethanat dhe detajet e këtij akti tragjik.
I pandehuri A.D. ishte në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 136, par. 1, lidhur me nenin 135, par. 1, nënpar. 1.7 të KPRK-së dhe dyshim i bazuar për veprën penale neni 374 par. 1 të KPRK.
DEKLARATE E RAMUSH HARADINJAT
Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj deklaroi:Vdekja e Astrit Deharit, një aktivisti politik, në një burg në Kosovë, pavarësisht rrethanave të vdekjes, është një ngjarje e trishtë për të gjithë ne, edhe si politikë edhe si shtet!
Kemi mundur të kishim bërë më shumë për Astrit Deharin dhe shumë bashkëmoshatarë të tij, të cilët po shohin gjithnjë e më pak shpresë në këtë vend!
Shteti duhet të japë përgjigje për çfarë ndodhi sot në Prizren.
Në këto momente dhimbjeje për familjen, miqtë dhe kolegët e tij në Vetëvendosje, në emrin tim dhe të kolegëve të mi në AAK, ngushëllimet më të sinqerta!