Intervistë e shkrimtarit Visar Zhiti,
dhënë gazetarit Liridon Mulaj
në “Gazeta Si”
1. Shteti i Illinois-it në ShBA ka shpallur datën 28 Janar si Ditën e Lirisë në nderim të figurës tuaj si një zë kundër shtypjes dhe regjimit. Cilat janë ndjesitë tuaja?
Më vjen mirë për ndjesitë e të tjerëve, do të thosha, që e çmojnë lirinë e tjetrit si pjesë të lirisë së tyre. Siç duket liria e vërtetë është kur është e të gjithëve bashkë. Edhe pse Dita e Lirisë nuk u shpall në atdheun tonë, – po më thoshin, – ku mua dikur m’i morën liritë të gjitha, kur dhe atdheu vetë nuk ishte i lire, – po u thosha unë, – dhe aty më hodhën në burg, ku gjeta qindra e mijëra të tjerë, kundërshtarë dhe heronj që iu kundërvunë diktaturës, dhe nga aty u liruam, – dhe po vazhdonim të thoshim, se larg, shumë larg shpallet Dita e Lirisë, në një shtet tjetër të një vendi të madh, ku liria është princip dhe realitet.
E përsëris, më erdhi mirë. E çmoj se ashtu si juve, u bëri përshtypjeve dhe shumë e shumë të tjerëve.
Po ju them, nuk nisi me mua, as e kisha menduar ndonjëherë, por nga të rinj si ju, ia arritën të ishte dhe një ditë e tillë në nderim të vuajtjes njerëzore të dheut amë, të qendresës ndaj së keqes në dheun amë.
Më kanë shkruar të rinj si ju që në Proklamatën e Governorit të shtetit të Illinois-it, zotit JB Pritzker, kanë gjetur se aty bëhet fjalë dhe për lirinë e poezisë, po aq e rëndësishme sa liria e njeriut. Kështu bashkë të dyja, a nuk është një mrekulli?
2. Pse Shqipëria nuk e ka një ditë të tillë? A mendoni se është bërë pak nga shteti shqiptar në gjithë këto vite për të përkujtuar ata njerëz që humbën jetën burgjeve?
Që pse Shqipëria nuk e ka një ditë të tillë, më trishton që bëhet kjo pyetje, e çmoj guximin tuaj, por nuk duhet t’i përgjigjem unë, por Shqipëria, ata që janë në krye.
Ditë të lirisë duan njerëz të lirë dhe kulturë lirie të përbashkët, po edhe poezi jete. Po i përmend të dyja se e mësuam nga Proklamata. Shqipëria jonë vjen nga traumat e mëdha të diktaturës dhe nga një Realizëm Socialist, që më shumë se një metodë letrare, ishte antiletërsi.
Më lejoni të tregoj diçka që më duket domethënëse, se kur një shkrimtar dhe përkthyes që e njohim, shkruajti me dashuri dhe vlerësime një ese për poezinë e dikujt që kishte dalë nga burgu, një tjetër, që s’e di a e njihni, bëri një kundër-ese po atë ditë, flakë për flakë si revolucionar, gabim, shkruante i zemëruar, ç’është kjo, thyhej rutina, atij i dukej se e ndjejnë për detyrë të mbronte shokët (?!), pra ishin të tjerë shokët e tij dhe si në shumëçka që shkruan ai, ndjehej fryma e përçarjes si dhe e përçartjes, instiktivisht i dilte për zot socrealizmit të tij.
Një inat të tillë shfryrës më duket se kanë ditët tona, ditë robërie ende.
Liria është dhe dashuri dhe kulturë. Thënë troç, Shqipëria jonë ecën drejt lirisë duke patur në krye më shumë nga ata që ishin kundër lirisë. Na ka mbetur shumë nga ai terri i shpellës së Platonit, edhe pse tashmë kaluan 3 dekada nga rënia e perandorisë komuniste dhe ndryshimi i sistemit në vendin tonë, nga diktaturë në pluripartitizëm dhe demokraci.
Ju më pyesni: “A mendon se është bërë pak nga shteti shqiptar në gjithë këto vite për të përkujtuar ata njerëz që humbën jetën burgjeve?”
Prapë, mendoj se shoqëria sot duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje. Unë jam njëri nga ata që e humbëm jetën burgjeve. Ende nuk kanë varre të pushkatuarit… Demokracisë shqiptare sot i mungon fryma e atyre që e ëndërraun atë dhe u sakrifikuan për ditën e lirisë.
.
3. Edhe ju si çdo i dënuar , i njihni persekutorët tuaj. Disa prej tyre janë gjallë. Sipas jush si mund të mbijetojnë letrarisht në një shtet edhe persekutori edhe viktima?
Unë do të thosha: “edhe persekutori edhe i persekutuari”, se shpesh nuk janë thjesht viktima, por dhe disidentë, kundërshtarë, të dënuar burgjeve deri në martirizim.Madje janë liderë morale dhe shenjtër.
Dhe, nëse e kam kuptuar saktë pyetjen, të mbijetuarit letrarisht, pra në letërsi, e mendoj të arrirë, me kohë dhe përherë. Le të kujtojmë “Iliadën” ashtu janë bashkë, mbijetojnë njëlloj dhe ata që mbrojtën Trojën dhe ata që e dogjën dhe Troja u bë më e forte, kur s’ishte. Edhe te Shekspiri bashkë janë vrasësit, të vrarët, fantazmat, të dashuruarit të vdekur e të gjallë, ashtu si aktoret mbasi mbaron shfaqja, jashtë teatrit, edhe te Kafka, që e kemi më pranë a jemi më brenda librave të tij. etj, etj.
Edhe në librat tanë bashkë janë, ish të burgosur, oficerë burgu, komunistë, të traumatizuar, ish të internuar, spiunë, ish poetë, kritizerë të realizmit demokratik, të pa shtëpi, me shumë pallate, të ikur, të ikur nga mendë, studentë në metropolet e botës, trafikantë, vrasës modern, fantazma moderne, punëtori që kthehet në mbrëmje në familje, etj, etj.
Po, po, i njohim persekutorët tanë, Liridon, shumë gjallë janë të gjithë. Edhe ashtu si realisht, edhe letrarisht mund të mbijetojnë dhe brenda një shteti .
Jeta i jep letërsisë dhe merr prej saj, edhe letërsia merr nga jeta dhe i jep asaj, janë dy domosdoshmëri, dy jetë që bashkëjetojnë. Edhe duke u bërë një shpesh…
4. Letërsia e kujtesës sipas jush a i ka tashmë emrat simbol të saj të cilët kanë bërë bashkë nivelin estetik me pervojën. Kujtoj këtu se pas rënies së sistemit diktatorial, të gjithë nisën të shkruanin përvojat e tyre. Për ta riformuluar, a duhet të ketë dhe kjo lloj letërsie përfaqësuesit e saj më të denjë?
E shoh me interes shqetësimin tuaj. Shpesh është folur për atë që edhe ju po e quani “letërsi e kujtesës”. Sipas meje e gjithë letërsia, e përsëris, është e kujtesës. Me këtë emërtesë siç duket, donin të dallonin jo vetëm memoaristikën, por veçanërisht veprat e autorëve që erdhën nga harresa e qëllimtë, nga pamundësitë, nga burgjet dhe internimet.
Unë e shoh si pjesë të së tërës, letërsi shqipe. Që për fat solli vepra madhore, poezi dhe prozë dhe eseistikë.
Pas rënies së sistemit diktatorial filluan të shkruanin dhe ata që s’mundeshin ose nuk lejoheshin gjatë diktaturës, është e drejtë e gjithkujt, por nuk besoj se kanë shkruar “të gjithë”, por nga “ata që dinin” për të gjithë…
Në qoftë se do ta quanim për arsye studimi ‘letëri tjetër” siç thuhet dhe “Shqipëria tjetër”, atë letërsi që erdhi nga burgjet dhe internimet, unë jam nga ata që besoj se ajo i solli letërsisë shqipe të vërtetat e mungura, madje dhe moralin dhe kujtoj shpesh një porosi të Franz Kafka-s që nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin.
. Kjo është e gjitha. Nuk duhet ndarë letërsia e as përçarë. Dhe patjetër që i meriton përfaqësuesit e saj më të denjë letërsia shqipe dhe, për fat, i ka ata..
5. Jeni etiketuar shpesh si Primo Levi shqiptar pavarësisht se ju vuajtët në vendin tuaj dhe nga njerëzit tuaj. Sa e vështirë ka qënë të mbani këtë staturë, Visar?
Kjo që më thoni, më huton disi. E di Primo Levin, vuajti kampet e përqendrimit nazist në kohë lufte, 4-5 vjet, ndërsa ne holokaustin tonë e vuajtëm gjysmë shekulli në kohë paqeje, të një paqeje të keqe që siç e thatë dhe ju, në vendin tonë dhe nga njerëzit tanë.
Unë them shpesh që ne u munduam të mbeteshim njerëz, edhe kur nuk lejohej, atje ku ishte e pamundur. A ia dolëm? Përgjegjësia është dhe për të tjerët…
6. Edhe një pyetje që e kam bërë dhe herë tjetër, çfarë do të thotë të emigrosh në këtë moshë dhe me këtë status?
Do të thosha se ka ngjarje, rrethana dhe kushte, dëshira dhe pengesa, pengje, ëndrra dhe ikje, etj, dhe jo moshë të paracaktuar për ato..Vërtet unë shkova të jetoj në SHBA në atë moshë, kur zakonisht kthehen… dhe e kam treguar pse, kur as unë nuk e di saktë.
Mosha ndryshon si në atdhe dhe në emigrim, po aq njëlloj dhe jo njëlloj, mund të thinjesh brenda një nate ose të rinohesh befas apo ndjehesh pa moshë, pa status gjithashtu.
Liridon, Mosha është kohë, ndoshta nuk është koha që ikën por ne. Statusin e kuptoj si gjendje. Nuk është e pandryshueshme, qoftë dhe si poezitë, si karrierë a si marrëdhënie, … por më i sigurti dhe më i vërteti, madje i përjetshëm është statusi: njeri.
Shpesh ngjarjet, copat e jetës, nuk pyesin për moshë e status, i ke kërkuar dhe vijnë, edhe kur nuk e pret.
Që të jem më pranë pyetjes tuaj, sinqerisht unë nuk ndjehem i ikur nga vendi im, aq më tepër nga gjuha ime, nuk mund, thjesht jam shpërngulur në një shtëpi tjetër, në një breg tjetër, do të thosha, të vetes. Dhe nuk po përsëris atë që thonë shpesh që mund të jesh më emigrant në vendin tënd, etj, etj.
Ç’do të thotë të emigrosh? – më pyesni ju. Jetë, ju them. Që aq sa ç’e bëjmë, edhe na bën. Ndoshta shtojmë ca drita a ndryshojmë një trishtim apo fashot e një plage në shpirt…
7. Pse shqiptarët presin kaq shumë nga Amerika? Ju jetoni atje dhe mund të na jepni nje definim të kësaj pyetje.
Do të duhej përgjigje institucionale. Nuk besoj se kam një definicion a për të thënë më shumë se bashkatdhetarët e mi në përgjithësi, por duke qenë dhe gazetar po flas si ata se ne si popull e duam Amerikën si aleatin jetik, mbështetës të kauzës kombëtare. Kur jemi kërcënuar nga historia për ndarje të metejshme, pikërisht SHBA i ka ndaluar duke patur si princip mbrojtjen e kombeve të vegjël, ndërsa diaspora shqiptare në Amerikë ka patur mundësitë dhe bashkëpunimin qe të bëhet si një qeveri e Shqipërisë në mërgim. SHBA mori pjesë në dy Luftrat botërore, mbajti anën e drejtë të historisë, i fitoi ato duke bërë historinë e re të botës. Perandoria Komuniste dhe diktaturat e saj ranë, sepse SHBA iu kundërvu dhe u përball me totalitarizmin dhe regjimet shtypëse dhe u bë arritja më e madhe dhe kampion i lirive dhe i të drejtave të njeriut dhe popujve, i mirëqenies, i superfuqisë, edhe kozmike, ndërkaq e mbështeti Shqipërinë tone fuqimisht të ndërtonte demokracinë, e bëri dhe antare të NATO-s dhe së fundmi u bë dhe shpëtimi i Kosovës, gjysmës së Kombit tonë. Shqiptarët presin nga Amerika mbështetjen për stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik, integrimin euroatlantik dhe forcimin e institucioneve demokratike. Kur ia dalin të emigrojnë në SHBA, prekin një ëndërr, të ardhmen e fëmijëve të tyre, shkollim, kulturë, siguri. Ndërkaq nga Amerika mësohet se zhvillimi i vërtetë vjen vetëm nga vetvetja, kur bëhesh një shoqëri të përgjegjshme. Më lërë të shtoj se poezinë tonë do ta bëjmë ne. Tanke për mbrojtje do marrim nga jashtë, por romanin shqiptar prapë do ta bëjmë ne. Shqipërinë e kanë bërë shqiptarët dhe duhet ta ruajmë me dashuri.…
8. Si nis dhe mbyllet një ditë e juaja? Amerika apo Shqipëria e nxisin më tepër nevojën për të shkruar?
Nuk besoj se ka ndonjë gjë me interes për t’ua treguar të tjerëve. Dita ime është imja. Jetojmë në Çikago tani, përballë kemi liqenin e madh, më i madh se Adriatiku dhe Joni bashkë, është më i madhi në botë, nga aty lind dielli, sikur del nga ujërat mahnitshëm, por ka dhe ditë me mjegull dhe gri, ka dhe akull, vendet e varkave dhe motorskafeve janë bosh tani, mërzia këtu është më solemne dhe dielli përëndon pas grataçieleve, që teksa ndezin morinë e dritave, ato duken sikur kanë copëtuar dieje…
Ç’t’ju them, ende shkruaj poezi, edhe rruges më ndodh. Shkoj librarive, por lexoj më pak, me time shoqe, Edën, shohim ekspozita, ndjekim dhe koncerte, opera, kthehemi dhe tek vendet ku kemi shkuar dhe me djalin tonë, Atjonin e vogël, marrim pjesë në meshat e së dielës në kishë, kemi vajtur në shtëpitë që ka themeluar shenjtja Nënë Tereza në Çikago, kemi ndjekur dhe gjurmët e shkrimtari çam këtu, Bilal Xhaferri. Shkruaj artikuj për gazetat, etj.
Takohem me bashkatdhetarë, e kam treguar, këtu ka nga të persekutuarit, por po aq dhe nga ata që kanë qenë me persekutorët, Amerika na bashkon, por çuditërisht një pjesë e ruajnë nostaligjinë për atë kohë e sistem, kur ndjeheshin të begenisur, protagonistë dhe ofensivë, edhe këtu pëlqejnë marrëdhëniet, si të thuash, në celulë dhe duan të përvetësojnë atë traditë patriotike dhe kulturore të shqiptarëve më të hershëm, të Konicës dhe Nolit dhe Arshi Pipës, etj, ka të rinj të mrekullueshëm, që duan atdheun e prindërve të tyre, gjuhën, nërkohë kanë arritur maja si amerikanë, etj, etj.
Dëshirën për të shkruar nuk besoj se ma ka dhënë Shqipëria dhe nuk besoj se mund të ma heqë apo shtojë Amerika.…
9. Shkrimtarët janë dhe qënie politike ndaj dua me patjetër t’jua shtroj këtë pyetje. Zgjedhjet po afrojnë në Shqipëri. A mendoni se ka ende alternativa apo historia mbetet e njëjtë për ne? Dy forca politike që sfidojnë njëra tjetrën?
Çdo njeri është qenia politike, Aristolteli thoshte se “është kafshë politike” (zoon politikon), i angazhuar në çëshjtet e polis-it, qytet-shtetet e atëhershme. Mua më vjen rëndë të them se shpesh ne bëjmë “politikë kafshësh”, të angazhuar në përvetësimin e shtetit.
Gjithmonë ka alternative, historia nuk mendoj se mbetet e njëjtë për ne, por shpesh mbetemi ne në vend, madje ecim dhe mbrapsht. Dy forcat politike, më shumë se sa sfidojnë njëra tjetrën, më duket se pengojnë dhe shtyjnë njëra-tjetrën për më keq..
Është e domosdoshme një rilindje tjetër, jo si kjo e tanishmja, por e fuqishme, e zanafillës naimjane, që thoshte “lind nga perëndon”, me fuqinë e kulturës së demokracive perëndimore, koniciane dhe at-fishtjane për ne, me atë frymë dhe dashuri të martirëve, të atyre që u përndoqën dhe të studentëve sot në metropolet e botës, etj, etj.
Unë ju thashë se të rinj si ju janë ata që arritën të kenë një Ditë Lirie emblematike në Shtetin e Illinoisit, kanë emra të bukur si yti, Liri-don, ja, është Edon Shaqiri, president i Komunitetit Shqiptar aty, bashkë me skuadrën e tij dhe me Sonila Sejdaras, presidente e organizatës Care for Albania/ Kujdesu për Shqipërinë, që me shoqet dhe shokët e tyre të shumtë në SHBA dinë dhe si të votojnë, shembull se ne së bashku mund dhe duhet të bëjmë që ditët tona të gjitha të jenë të lirisë.