
Albert Vataj – Koha Jonë/
Lufta e Mashkullorës është një nga ato momente historike që mbeten të pashlyeshme në kujtesën kombëtare shqiptare. Një betejë që nuk ishte vetëm përballje e armatosur, por një shpërthim i vendosmërisë së shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo përbën një nga gurët themeltarë të rezistencës kundër sundimit osman dhe një burim frymëzimi për brezat që pasuan. Ky shkrim sjell në vëmendje ngjarjet kyçe që paraprinë dhe pasuan këtë luftë heroike, e cila pati një jehonë të thellë në mbarë kombin shqiptar.
Më 18 mars 1908, kodrat e Mashkullorës u bënë arenë e një prej betejave më domethënëse të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur forcat osmane sulmuan çetën e drejtuar nga luftëtari patriotik, Çerçiz Topulli. Ndonëse të rrethuar nga një forcë armike shumë herë më e madhe në numër, luftëtarët shqiptarë u treguan të pashoq në trimëri dhe strategji, duke çarë rrethimin dhe shpëtuar nga kthetrat e pushtuesit.
Një nga ngjarjet që parapriu Luftën e Mashkullorës dhe ndezi flakën e revoltës ishte vrasja e Bimbashit, Halil Musa Beut, komandant i xhandarmërisë osmane në Gjirokastër, në shkurt të vitit 1908. Ky akt, i kryer nga çeta e Çerçiz Topullit, u pa si një sfidë e hapur ndaj pushtetit osman dhe shërbeu si kambanë alarmi për autoritetet osmane, të cilat u përpoqën ta shuanin me gjak revoltën shqiptare. Aksioni i parë që bëi jehonë jo vetëm në Gjirokastër, por edhe përtej kufijve të Perandorisë Osmane.
Pesë ditë pas këtij atentati të bujshëm, një pjesë e Çetës së Çerçiz Topullit, e përberë nga 9 luftëtarë, u strehuan në një haur në rrethinat e fshatit Mashkullorë, ku u rrethua nga ushtria turke e dislokuar në kalanë e Gjirokastrës.
Kjo betejë shënoi një kapitull të rëndësishëm në luftën për liri dhe pavarësi, duke përforcuar idenë se rezistenca e armatosur ishte një instrument i nevojshëm për arritjen e synimeve kombëtare. Ajo pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, duke ngjallur shpresë dhe frymëzim tek shqiptarët që synonin shkëputjen nga Perandoria Osmane.
Kjo ngjarje e jashtëzakonshme është përjetësuar edhe në një këngë që e këndojnë në të gjithë Shqipërinë:
“Te Rrapi në Mashkullorë / foli Çerçizi me gojë / mylazim largo taborë / se të bëj të kuq me bojë / Çerçiz Topulli më thonë”.
Kjo luftë heroike është përshkruar prej njërës nga penat më të shquara të publicistikës patriotike të atyre viteve, njëkohësisht luftëtar i kësaj çete, atdhetari dhe publicisti Mihal Grameno. Pena e pikuar mjaltë e Mihal Gramenos, nga pozita e një dëshmitari okular, ka shkrirë në një të vetme, stilin e veçantë publicistik, informacionin historik nga vendi i ngjarjes, me përshkrimin patriotik dhe frymën romantike të kohës.
Më 18 mars 1934, në Gjirokastër u shpalos një moment historik me vlera të jashtëzakonshme simbolike: përurimi i shtatores së Çerçiz Topullit. Kjo vepër artistike, e realizuar nga mjeshtri i skulpturës Odhise Paskali, u mundësua falë ndihmës financiare të gjirokastritëve brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë.
Ceremonia e inaugurimit u kthye në një manifestim të fuqishëm patriotik, me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve, të rinjve të veshur me kostume tradicionale dhe këngëve kushtuar Çerçiz Topullit, që kumbuan fuqishëm në rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës.
Lufta e Mashkullorës dhe aktet heroike të Çerçiz Topullit mbeten simbole të pashlyeshme të rezistencës shqiptare. Kjo betejë jo vetëm që forcoi ndjenjën kombëtare, por gjithashtu u kthye në një shembull të guximit dhe vetëmohimit për brezat e ardhshëm.