Rrugët e qytetit të Preshevës sot ishin të mbushura me nxënës shqiptarë, të cilët kërkonin plotësimin e të drejtës së tyre elementare, që të mësojnë me abetare e libra shqip, e drejtë e cila u është mohuar nga institucionet e Serbisë.
Autoritetet serbe kanë bllokuar në terminalin doganor tekstet shkollore shqip të dhuruara nga Ministria e Arsimit të Kosovës, për nxënësit shqiptarë, shkruan Koha.net.
Protesta paqësore e mbajtur në Preshevë ka bashkuar nxënësit shqiptarë, të cilët protestonin nën moton “Dua abetaren time, duam librin shqip”, duke kërkuar kështu që t’iu lejohej të mësonin me tekste të botuara nga Ministria e Arsimit të Kosovës.
Nxënësit gjithashtu mbanin në duar edhe parulla me mbishkrimet, “Gjuha jonë nuk është bombë, tirania juaj po”, “Serbi, ndal etnocidin në Luginë të Preshevës”, “Liri për librin shqip” etj.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë duke i reaguar kryetarit të Këshillit Kombëtar të Luginës, Januz Muslit, tha se në librat që flasin për Adem Jasharin dhe UÇK-në nuk mund të mësojnë nxënësit në Serbi.