Nga Frank Shkreli/
Ky vit, siç dihet, shënon 90-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit (2 Mars, 1925), nga një dorë shqiptare, para një hoteli në Bari të Italisë. Njëri prej personaliteteve më të shquara të Rilindjes Kombëtare, patrioti i flakët dhe demokrati konseguent, Luigj Gurakuqi mori pjesë së bashku me Ismail Qemalin, në lëvizjen patriotike për pavarësinë e Shqipërisë, dhe ndër aktivitete të shumëta patriotike që e dallojshin atë, ishte edhe njëri prej themeluesve të Kongresit të Manastirit. Fan Noli për mundin dhe për veprimtarinë e tij patriotike, pat lëshuar ofshamën, “Nëno moj, ç’është përpjekur”! Në të vërtetë, mund të thuhet se gjatë 25 viteve të para të shekullit të kaluar, Luigj Gurakuqi ishte i pranishëm në çdo përpjekje, aktivitet dhe tubim në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në nivel kombëtar si edhe në konferencat ndërkombëtare ku diskutohej dhe vendosej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Edhe aty, shkruan autori i një libri për Gurakuqin, ai e mbrojti popullin tonë me mençuri, me energji dhe dinjitet.Edhe atje, në nivelet më të larta të diplomacisë dhe punëve botore,ku fjala dhe urtësia e tij pasqyrojshin atdhedashurinë si dhe përgatitjen e tij me dije e kulturë, të gërshetuar me burrëninë e shqiptarit. “Për besë e burrëni”, ka thënë At Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, “qe i zoti të veprojë edhe kundra bindjes së vet.”
Luigj Gurakuqi, me përjashtim të ndonjë shkrimi të izoluar përrkujtimor aty këtu, është hedhur në harresë zyrtare në këtë përvjetor dhe veçanërisht me të drejtë është kritikuar — nga njerëz më kompetent se unë — mos njohja zyrtare e kontributit të tij me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë — për të cilën Gurakuqi punoi, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si asnjë figurë tjetër e kohës së tij. Megjithëkëtë, ai do të mbetet një prej personaliteteve më të shquara të historisë së kombit shqiptar, qoftë në fushën e atdhedashurisë, qoftë në jetën kulturore dhe letrare, por pa përjashtuar edhe vetitë e tija të burrënisë dhe trimërisë. Fan Noli e ka cilësuar Luigj Gurakuqin si, “gojë mjaltë e zemër hekur”, gjë që sipas Ernest Koliqit, i cili ka shërbyer si sekretar i tij në Tiranë në vitin 1924 dhe si i tillë e ka njohur për së afërmi, ka shkruar se elegjia madhështore e Nolit me epitetet gjeniale, “gojë mjaltë e zemër hekur”, e përshkruan natyrën dhe personalitetin e vërtetë të Gurakuqit, në mënyrë të mrekullueshme.
Fan Noli, Ernest Koliqi dhe bashkohas të tjerë të Gurakuqit,të cilët e kanë njohur dhe që kanë punuar me Gurakuqin fillim shekullin e kaluar nuk janë më. Por fjalët dhe kujtimet e tyre për Gurakuqin — përveç aktivitetit dhe veprave të vetë Luigj Gurakuqit, dokumentacion ky i dorës së parë — bëjnë pjesë me më të autoritetshmet vepra që janë shkruar për Luigj Gurakuqin, gjatë dekadave.
Kohët e fundit më ra në dorë një libër, që besoj se për nga dokumentacioni që mbartë, mund të konsiderohet se bën pjesë gjithashtu ndër veprat më të autoritetshme që janë shkruar mbi veprimtarinë dhe jetën e Luigj Gurakuqit. Është një libër doracak për të cilin autorinënvijon se i paraqet lexuesit të dhëna dhe fakte të reja; “Me këtë vepër kemi pohuar të dhëna të reja për Gurakuqët; kemi nxjerrë nga arkivat dokumente të heshtura; kemi paraqitur letra të pabotuara, të panjohura; kemi venë në dukje ndonjë shkrim mbetë në harresë; kemi zbuluar dhe indetifikuar materiale të harruara, me qëllim që t’i vemë para lexuesit dhe studuesit të ardhëshëm për të dhënë sintezën për këtë figurë kaqë të madhe, por jetëshkurtër. Sepse emëri i mirë i tij do të frymëzojë, në çdo kohë, vullnetet e dobishme të shoqërisë sonë”, shkruan autori i librit që më ra në dorë kohët e fundit.
Një mik i imi, shkrimtari dhe poeti Anton Çefa, para pak kohe më dhuroi librin, me titull, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, të autorit Kolec Çefa, me kryeredaktor Dr. Jusuf Bajraktarin dhe botuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë. Ky libër me dha shkak për të shënuar edhe njëherë jetën dhe veprimtarinë e këtij patrioti, veprimtari të cilën ai e filloi “me flakë ideali e guxim rinie, e vazhdoi me trimëri idealisti dhe e mbylli me burrëni martiri”. Është kjo një vepër që sipas autorit, “hecë nepër gjurmët e figurës së (Luigj Gurakuqit)” dhe si e tillë jep ‘identitetin e tij’, të kësaj figure të rrallë, me mendje të fuqishme, me zemër të virtytshme, me vullnet të palodhur, më i afti për të krijuar unitet shoqëror dhe kombëtar, përfaqsuesi më i denjë i mendimit politik opozitar shqiptar”, ka shkruar autori Çefa.
Çefa pohon se ndonëse në të kaluarën janë shkruar disa libra me vlerë për “këtë visar të paçmueshëm kombtar dhe mozaik virtytetsh shqiptare”, libri i tij është një përpjekje për të qitë në dritë figurën e plotë madhore të kësaj figure të madhe të kombit — të këtij, “Zëdhënsi të idealeve kombëtare, të kësaj shëmbylltyre të virtytit politik, e frymëzuesi të kulturës dhe qytetërimit europian.” Autori shkruan se Luigj Gurakuqi kishte një disiplinë prej guri, një vetpërmbajtje nervore të admirueshme dhe vetkontroll energjishë mendore e fizike, ai nuk e kishte, “hovin zemrak të Fishtës, as këmbnguljen idhnake të Mjedës, as fluiditetin qiellor të Poradecit, as andërrimin tërheqës të Naimit, as ekuivokun e Konicës, as fantazinë ngjyra-ngjyra të Shantojës”. Por ndryshe nga këta, shkruan Çefa, Luigj Gurakuqi kishte, “largpamësinë e politikanit, maturinë e diplomatit, kishte forcë Anteu, pa eufori”, dhe ndonëse jetonte në realitetin e botës shqiptare, Gurakuqi e bënte luftën politike mbrenda të gjitha rregullave moralo-etike.Si rrjedhim, këshillon autori, nga Luigj Gurakuqi, “Edhe sot kanë çka mësojnë politikanët, sidomos deputetët tanë.”
Në librin e tij, ”Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, autori e cilëson Gurakuqin si “Shënjtin e politikës shqiptare”, si zëri i “Ndërgjegjes së politikës kombëtare”, dhe si më i pastërti dhe më i afti, ndër patriotët më iflakti e ndër politikanët më largpamsi dhe më i ndershmi dhe më i drejti ndër udhëheqsit dhe shtetarët – “I riu që rreshtohet ndër etentë e Atdheut”. Bajram Curri këshillonte, “Pyesim djalin” dukeiu referuar Luigjit të ri.Por, fatkeqsisht këto virtyte personale dhe kombëtare që Gurakuqi posedonte si njeri, si shqiptar dhe si politikan nuk e ndihmuan atë as Atdheun e tij sepse, sipas autorit Çefa, ai jetoi në një kohë kur, “tradhëtia paguhej, shpifja përkrahej dhe akuza nxitej”.
Kolec Çefa në librin e tij trajton edhe marrëdhënjet e Gurakuqit me klerin katolik, ndërsa kritikon historiografinë komuniste dhe atë që autori cilëson si “periudhë e natës enveriste me besnikët e saj”, të cilët ndër të tjera,për arsye ideologjike kanë paraqitur marrëdhënjet e Luigj Gurakuqit me klerin katolik si jo miqësore. Çefa shkruan se përpjekjet për të paraqitur Gurakuqin si ateist dhe antiklerikalist, për të shtrembëruar marrëdhënjet e Gurakuqit me klerin katolik shqiptar duke i paraqitur ato si armiqësore, nuk kanë asnjë bazë reale dhe as nuk i shërbejnë së vërtetës historike. Autori u kundërvihet këtyre shtrëmbërimeve historike duke thekësuar marrëdhënjet e ngushta që Gurakuqi ka pasur gjatë gjithë jetës së stij, me ndër të tjerë, At Gjergj Fishten, “si vëllëzër jo vetëm gjaku por edhe shpirti”; me ImzotLazër Mjedën,“si dy bashkpuntorë e dy miq”; me At Anton Harapin, i cili ka shkruar për miqësinë me Luigjin se “NëLuigjin gjeta njeriun, hetova shqiptarin”, me Abat Doçin, “si dy breza veteranësh”, e të tjerë.
E vërteta është se sa më shumë të lexosh për Gurakuqin nga ata që e kanë njohur nga afër, njeriu zbulon se ai ishte miqësor me të gjithë dhe pa dallime, “me parinë dhe me vogjëlinë”. Fan Noli,bashkpuntor i ngushtë me Luigj Gurakuqin,ka pohuar se, “Sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë shtërnguar ta respektoj atë.” Libri i Kolec Çefës, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, me dokumentacionin e dorës së parë të të dhënave të reja që sjellë autoriteqë botohen për herë të parë, na bën ta njohim më mirë Luigj Gurakuqin dhe si rrjedhim ta respektojmë dhe t’a duam atë edhe më shumë, si model i një patrioti të të vërtetë –edhe për ditët tona — si një politikan i cili ishte kundër, “politikës orientale nga mbrenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë.”Autori ka të drejtë kur shkruan se si i tillë, Luigj Gurakuqi nuk mund të jetë vetëm një “personazh i përkohshëm në historinë tonë”. Por fatkeqsisht duket se si i tillë po trajtohet Luigj Gurakuqi:U harrua me rastin e 90-vjetorit të vrasjes dhe u anashkalua me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
E vetmja gjë që nuk duket se është e përkohëshme është harresa ndaj kujtimit të këtij të “madhi ndër të mëdhejtë” madje edhe në këtë përvjetor, megjithëse ai ia kushtoi gjithë jetën Atdheut të vet. Ndonëse, siç ka thënë At Anton Harapi, “Luigji qe i mbarë Shqipërisë i të gjithë shqiptarëve, por Shqipnia nuk qe për të.”Anashkalimi zyrtar dhe jo zyrtar ndaj kësaj figure të madhe të historisë së kombit shqiptar dhe njërit prej përfaqsusve të idealeve më të larta njerëzore dhe atdhetare tregon fatkqesisht, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë as sot për Luigj Gurakuqin dhe nxitë pyetjen se kush dëshiron që ai të hidhet në harresë të përhershme dhe pse?Libri i Kolec Çefës, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, me të dhënat e reja që ofron, hedhë më shumë dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e Luigj Gurakuqit si një model i politikanit shqiptar. Dhe si vepër e tillëshpresojmë që të kontribojë drejtë zhdukjes së mjegullës që e rrethon ende në disa qarqe këtë personalitet të shquar të kombit shqiptar.Pa përkujtimin dhe respektin që meriton Luigj Gurakuqi, jo vetëm në këtë përvjetor por gjithmonë, historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve mbetet e zbrazët dhe e varfër.Kujtimi i tij kombëtar do të shërbente gjithnjë në dobi të interesave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve. Për ndryshe, për të përdorur një thënje të vjetër, pa kujtimin e tij të denjë dhe pa vlerat “e njëmendta ushqyese, intelektuale dhe shpirtërore”, që ai përfaqësonte dhe për të cilat dallohej Luigj Gurakuqi, “I vdiq Ora Shqipënisë.”
Fritz Radovani says
Shqipnise i ka vdeke Ora me kohe!
Shqipnia e shkrete as nuk po e kupton se ku ka merrijte!
Vetem kujtoni pritjen “zyrtare” te Eshtnave te Kacorrit!
Shqipnia ka plot 70 vjete qe nderon vrasesit e Gurakuqit te vjeter e te rije, dhe “ata” qe i thurin lavdi tiraneve!
Peshoria e trunit ka mbete tek “kandari me kokerr”!
Falnderoj z. Shkreli dhe Cefa per kujtesen e Gurakuqit te madh e te Pavdekshem.