Tirane- 8 Prill-Partia Demokratike kërkoi sot dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për t’i çelur rrugë dekriminalizimit të plotë të parlamentit dhe administratës shtetërore.
Partia Demokratike mblodhi sot grupin paralamentar ku analizoi situatën e rëndë në Patoz Marinzë dhe kërkoi nga qeveria që të dëmshpërblehen të gjithë banorët e zonës së dëmtuar, ndërsa u ndal edhe te gjendja e rëndë kriminale dhe ekonomike në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, i kërkoi qeverisë të marrë masa për dëmshpërblimin e plotë të familjeve dhe subjekteve të dëmtuara nga shpërthimi në Patoz Marinzë. “Të marrë përgjegjësi për shkaqet, pasi banorët janë lënë pa asistencë shëndetësore, si dhe të marrë masat për rehabilitimin e zonës, pasi ne e kemi ndjekur me interes situatën atje dhe do ta mbrojmë kudo dhe në parlament”, tha Basha.
Duke sjellë në vëmendje skandalin e fshehjes së kërkesës së Interpol për çështjen e deputetit, Mark Frroku, akuzuar nga drejtësia belge për vrasje, Basha tha se “deputetët tanë argumentuan bindshëm në sy të shqiptarëve fshehjen e provave dhe fakteve të kërkesës së Interpol nga një strukturë vertikale, që nisë me krerët e lartë të shtetit”.
“Skandali ndjek skandalin. Sapo arrestohet Mark Frroku, vjen akti tronditës dhe lirohet Arben Frroku, i akuzuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Ky akt, ky vendim i njollosur nga zhvlerësimi i dëshmive, zhdukja e dëshmitarëve, publikimi mafioz i emrit të dëshmitarit të mbrojtur si dhe lidhjet e forta familjare të gjyqtarit kryesor me Partinë Socialiste, është prova kryesore e lidhjes së shtetit me mafien”.
“Ne do t’i shkojmë deri në fund fshehjes së kërkesës së Interpolit, sepse kemi bindjen se në këtë skandal është përfshirë një pjesë e madhe e shtetit. Ne ngulmojmë me forcë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke konsideruar këtë dorëheqje një kusht të domosdoshëm për të çliruar fillimin e hetimeve të krimeve të rënda nga dara e pushtetit dhe njëkohësisht për një dekriminalizim të vërtetë që starton me shkurajimin dhe jo inkurajimin e krimit nga krerët e qeverisë”, u shpreh Basha(Ilir Vata)