Tregim nga Hasan KOSTRECI/
Gjatë jetës njeriu kalon shumë ndodhira, por disa prej tyre të ngelin në mëndje dhe kurrë nuk harrohen. Kjo që po tregoj është e shumë dekadave përpara, kur unë isha në atë kohë djalë i ri dhe punoja si mësues në rrethin e Gramshit…..
Qe një ditë e ftohtë Janari dhe qielli i nxirrë tregonte se së shpejti do t’ia niste shiu. Nga qëndra e qytetit të Elbasanit, deri tek Ura e Shkumbinit, sëbashku me Vasilin, të shoqen e tij, Zamirën si dhe djalin gjashtë vjeçar, Gjergjin, e morëm gati me vrap dhe nga që u djerrsitëm, u mbështetëm mbas një peme që të mbroheshim, sadopak prej erës që vinte nga gryka e lumit. Kthenim kokën herë pas here mbrapa që të shihnim mos vinte ndonjë makinë, por deri tani asgjë.
– Nëna më gatoi ca petulla që t’i kishim për rrugës, prandaj dhe u vonova – u justifikua gruaja e shokut tim dhe na nxorri përpara një gazetë të bërë si kaush.
– Do presim edhe ca, ndryshe do e lemë për nesër – u përgjigj Vasili.
– Ti edhe mundesh, sepse dy orët e para i ke bosh, kurse mua më duhet që të jem patjetër në orën tetë në shkollë – e kundërshtoi Zamira.
– Nuk i ke edhe aq mirë punët me drejtorin. Ç’farë ka ai me ty? – e pyeti ai.
– Ndonjëherë mirësjelljen, ju burrat, e keq kuptoni – iu përgjigj ajo dhe nuk e zgjati më atë bisedë.
Ata kishin gati dhjetë vjet martuar, patën bredhur për një kohë fshatrave dhe vetëm këto dy vjetët e fundit qenë transferuar në qëndër, por për kohën që flas, Gramshi ishte një qytet fare i vogël; vetëm me një rrugë kryesore, katër a pesë dyqane, një restorant, një kinema gjithashtu të vogël, ku banorët dhe sidomos mësuesët, shumica të ardhur, shkonin për të parë ndonjë film, që disa herë ndërpritej, si dhe shtëpia e kulturës, ku ata e kishin të detyruar të aktivizoheshin. Bile Zamirën, nga që kishte zë dhe këndonte bukur, e patën futur të merrte pjesë edhe në estradën e krijuar rishtaz, ndërsa djalin, nga që ende s’i kishte mbushur gjashtë vjeçët, e çonin në kopësht.
– Po vjen, më duket, një zis me targë Elbasani, por qënka i mbuluar – tha Vasili dhe i doli përpara – jemi për Gramsh – iu drejtua ai shoferit, i cili kur e uli shpejtësinë dhe ndaloi, e njohëm që ishte xha Sotiri i uzinës së Çekinit, një burrë i moshuar, i gjatë dhe me flokë të thinjura.
– Vëndet përpara deri në Gostimë, i kam të zënë – tha ai dhe u drejtua më shumë nga çifti – por nëqoftëse qëndroni dot mbrapa, hipni – shtoi dhe zbriti e hapi pak cepin e mbulesës prej mushamaje që të shikonin.
– Si thua? – iu drejtua Vasili të shoqes.
– Kam hall më shumë për djalin se mos turbullohet, por tjetër nuk kemi për të gjetur, prandaj hipim – iu përgjigj ajo dhe e ndihmuar nga i shoqi, një dorë e vuri tek spondi, ndërsa me tjetrën mbajti fustanin, që prej erës, iu ngrit përpjetë. Mbas saj hipën djalin dhe në fund unë me Vasilin.
– Vetëm ju lutem, mos bëni zhurrmë dhe rrini qetë – na porositi shoferi dhe u orvat sikur të na thoshte edhe diçka tjetër, por Vasili e ndërpreu.
– Mos kij fare merak – i tha ai dhe atëhere xha Sotiri uli përsëri mbulesën, i lidhi dy cepat mirë që të mos hapeshin dhe u largua.
Në karroceri qe errësirë dhe një llambushkë e vogël e vendosur në krye, bënte fare pak dritë. Duke ecur dhe u mbajtur me kujdes anash u ulëm në disa dërrasa të vendosura paralel, të cilat shërbenin si sedilje, por era e pluhurit të rrugës përzierë me gazin e pa djegur që vinte prej skapamentos dhe nuk kishte nga dilte, të zinte frymën. Mbasi u ambientuam sadopak, vumë re se në krye dhe të ulur me fytyrë nga ne, ishte edhe një çift, ndofta burë e grua, të cilët po rrinin në heshtje.
Makina, nga që ishte e lartë, kur u nis, lëkundej shumë dhe nëpër gropa, të dukej sikur nga çasti në çast do përmbysej. Përjashta shiu filloi të binte i rrëmbyeshëm dhe në vëndet ku mbulesa e mushamasë qe e grisur, futej edhe brënda.
– Si ndjehesh? – e pyeti përsëri Vasili të shoqen.
– Deri tani mirë, por më vonë, nuk di – iu përgjigj ajo dhe mbështeti kokën tek supi i tij, ndërsa djali nga që u mërzit, nisi të vijë vërdallë e të luajë. Unë, për një moment, mbylla sytë dhe fillova të mendohem.
– Palltua që qepe tek rrobaqepësi, të rrinte bukur – dëgjova Vasilin që i pëshpëriti në vesh të shoqes dhe ajo si shpërblim për komplimentin, i afroi atij buzët që ta puthte.
Shiu përjashta akoma vazhdonte dhe duke goditur mbi mbulesën e mushamasë, të krijonte një farë melankolizmi, por njëkohësisht të bënte edhe për gjumë.
– Ai xhaxhi atje nuk më le që të kaloj edhe në rreshtin e fundit – e prishi atë heshtje i biri i tyre, Arbeni, i cili u ankua për çiftin në ballë që po e pengonin të luante.
– Po a e dëgjove shoferin, kur na porositi që të mos bëjmë zhurrmë? – i tha atij e ëma dhe u mundua ta ulë, por ai nuk e dëgjoi.
– Hajde, se do të vë të dëgjosh një muzikë të bukur – u orvat këtë herë Vasili dhe nxorri nga çanta një radio me bateri nga ato që kishin filluar kohët e fundit të montoheshin në Durrës dhe kur djali dëgjoi zërin e Prashqevi Simakut të shoqëruar nga një kor fëmijësh, u afrua dhe sëbashku me to filloi të këndojë edhe vetë. Prej bubullimave dhe rrufeve që shkreptinin përjashta, nuk kishte rrezik që t’i dëgjonte kush, bile as shoferi përpara, prandaj filluam edhe neve me zë ta shoqërojmë, ndërsa vetëm çifti në ballë, për çudi, nuk bënte as dhe një lloj reagimi, por vetëm na vështronin dhe qëndronin në heshtje.
– Ç’pate? – e pyet e ëma mbas pak djalin, kur ai nisi përsëri të luajë, por diku u pengua dhe ra.
– Mos kalo edhe njëherë këtu! – iu drejtua fëmijës këtë herë burri i ulur në fund, që deri tani pat qëndruar në heshtje, por e ngriti zërin si shumë, sa habiti edhe prindërit.
– Fëmijë është fundja dhe nuk duhet që të mërzitemi – ndërhyri Zamira, por kur i vajti atij pranë dhe u përkul ta ngrinte, shtangu dhe iu muarr fryma, sepse shtrirë përpara këmbëve të saj, pa një arkivol të vogël, që të linte të kuptoje se ishte i një fëmijë.
– Çfarë ke? – e pyeti Vasili dhe fiku radion, por në këtë moment edhe makina kish ndalur dhe kur shoferi hapi fundin e mbulesës së mushamasë dhe në karroceri hyri drita, edhe ai u habit, kur në duart e çiftit që u ngritën për të zbritur, pa një arkivol të vogël mbuluar përsipër me një copë të kuqe. E humbëm edhe ai dhe unë njëkohësisht dhe nuk dinim ç’të bënim, por meqënëse për të kërkuar falje, nuk ishte momenti, u hodhëm menjëherë në tokë dhe sëbashku me xha Sotirin, i ndihmuam që të ulnim xhenazenë.
– Fëmija juaj? – i pyeti ata i pari Vasili dhe të dy u dhamë atyre dorën.
– I plasi apandesiti dhe infeksioni qe aq i madh, sa doktorët thanë, që nuk i bëhej dermani – na u përgjigj këtë herë gruaja dhe ia dha përsëri të qarit.
– Të rroni vetë dhe të na falni, për pakujdesinë që treguam – u tha gjithashtu edhe Zamira dhe me sy të përlotur, i përqafoi , por kur ktheu kokën, ndeshi me vështrimin e shoferit, cili, diçka, si duket kuptoi dhe heshti.
– Ta shpërblefshim në gëzime – iu drejtuan ata burrë e grua xha Sotirit, kur po ndaheshin dhe i shoqi u mat që ta paguante, por shoferi e kapi nga dora dhe e ndaloi.
– Në asnjë mënyrë – e kundërshtoi ai. Blijini diku qirinj dhe lutjuni për mua.
U rreshtuam sa ishim, përfshirë edhe dy pasagjerët e ulur përpara dhe dorë më dorë e kaluam arkivolin deri tek një karrocë që priste më tutje. Qe një moment tepër emocional, sa edhe Arbenin i vogël, mori një qëndrim serioz dhe s’po fliste. Vetëm mbasi ata u larguan, ndezëm të katërt nga një cigare dhe në heshtje po i pinim.
– Duhet të na kishe thënë – I tha xha Sotirit, Zamira, kur hipëm në kabinë dhe u nisëm.
– Kishit me vete edhe djalin dhe mendova se nuk do ndjeheshit mirë – iu përgjigj ai mbas një heshtje dhe psherëtiu – por Zoti, për diçka që s’e di dhe e bën pa dashje, të fal dhe nuk ta quan mëkatë – shtoi dhe si të krishterë, përjashtuar mua, megjithëse besimi fetar në atë kohë qe i ndaluar, bënë me dorën e djathtë kryqin.
Shiu në këtë moment pat ndalur, qielli u hap, por rrëketë e zbritur nga mali, e kishin dëmtuar mjaft rrugën ku po kalonim, prandaj duke u lëkundur sa majtas djathtas makina e lartë dhe e mbuluar e uli shpejtësinë dhe po ecte ngadalë…..