-Në bankën e të akuzuarve duhet të ulen edhe organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë që u shqiptuan dënime me burg të përjetshëm shqiptarëve të pafajshëm, duke u shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre – trauma të përjetshme./
Nga Xhelal Zejneli/Para rreth 6 vjetëve, gjyqësia e Gruevskit dhe e qeverisë së tij, për rastin “Monstra” i dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë të pafajshëm. Dy prej tyre, mbetën jashtë duarve të policisë dhe të gjyqësisë së ish-kryeministrit. Kryeministri i përtashëm z. Zaev ia bëri me dije publikut faktin se nga përgjimet rezulton se në Maqedoni kemi procese gjyqësore të montuara, me prapavijë politike. U dënuan me burg të përjetshëm, njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me vrasjet në liqenin e Smilkovës, që ndodhi më 12.04.2012, me ç‘rast mbetën të vrarë pesë shtetas të Maqedonisë, të kombësisë etnike maqedonase. Lidhur me tragjedinë e sipërthënë, shprehën keqardhje të thellë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, përfshi edhe shqiptarët.
Maqedonia e kohës së Gruevskit dhe e qeverisë së tij ishte një shtet thellësisht antishqiptar. Qeveria e tij, me subjektet politike shqiptare në koalicion, i arrestonte shqiptarët, i gjykonte, i torturonte dhe si në asnjë vend tjetër të botës, i dënonte me dënime drakonike.
Të dënuarit e rastit të liqenit të Smilkovës, për dënimet me burg të përjetshëm, pësuan tronditje të thellë shpirtërore, me pasoja të përjetshme. Tronditje të thellë pësuan edhe të afërmit dhe familjarët e tyre. Dhimbja shpirtërore e tyre nuk do të mund të kompensohet kurrë dhe me asgjë.
Tani, gjyqësia e depolitizuar, pafajësisë së tyre sa më parë duhet t’i japë formë të prerë. Pas kësaj, për dënimin e shqiptarëve të pafajshëm, në bankën e të akuzuarve duhet të ulet ish kryeministri Gruevski, bashkë me të gjithë qeveritarët e qeverive të tij antishqiptare. Qeveritë e Gruevskit e shndërruan Maqedoninë në burg për shqiptarët.
Në bankën e të akuzuarve duhet të ulen edhe organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë që u shqiptuan dënime me burg të përjetshëm shqiptarëve të pafajshëm, duke u shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre – trauma të përjetshme.
Pasi pafajësia të ketë marrë formën e prerë, të dënuarit shqiptarë duhet të kompensohen në aspektin financiar. Me fjalë të tjera, për vitet e kaluara në ferr, pa pikë faji, si dhe për dramën që përjetuan ata vetë dhe familjarët e tyre, të dënuarve të pafajshëm duhet t’u paguhet zhdëmtim apo dëmshpërblim. Kështu veprohet në të gjitha vendet demokratike të botës.
Duhet të zhdëmtohen edhe qytetarët e rëndomtë të cilët, duke qenë të ndërgjegjshëm, dolën në protesta për të kërkuar drejtësi dhe për të luftuar padrejtësinë. Ndonëse kërkuan drejtësi, protestuesit hasën në dhunën e forcave policore të Gruevskit dhe të qeverisë së tij, me subjektet politike shqiptare – partnerë të bashkëqeverisjes.
Subjektet politike shqiptare që ishin partnerë të bashkëqeverisjes që nga viti 2006 deri në vitin 2016, nuk çanin kokën për drejtësi dhe barazi. Preokupim i tyre ishin ruajtja e kolltukëve dhe interesat meskinë – personalë dhe koniunkturalë. Demagogët e tillë – tregtarë flamujsh, nuk janë të denjë të ekzekutojnë himnin kombëtar dhe të ngrenë në qiell flamurin shqiptar. Gjatë bashkëqeverisjes, subjektet politike shqiptare duhet të kenë parasysh faktin që, nga partner koalicioni të mos shndërrohen në kuislingë dhe në kolaboracionistë.
Drejtësia duhet të ngadhënjejë edhe në rastin e Sopotit si dhe në tragjedinë e Brodecit. Gruevski dhe qeveritarët e tij duhet të ulen në bankën e të akuzuarve edhe për përdorimin shpërpjesëitmor të forcës ushtarako-policore edhe në rastin e Brodecit, duke u shkaktuar tragjedi shqiptarëve.
Që nga viti 1991 deri më sot, pushteti sllavo-maqedonas, i ndihmuar prej kolaboracionistëve shqiptarë, ushtroi dhunë vetëm mbi shqiptarët. Që atëherë, ndaj shqiptarëve u ndoq një politikë diskriminuese, centraliste, monoetnike, represive dhe opresive. Njësoj si në kohën e diktaturës komuniste të Jugosllavisë kominterniste, avnojiste rankoviqiste dhe serbo-komuniste të viteve 1945-1991.
Që nga viti 1991 e këndej, Maqedonia vazhdon të jetë i vetmi shtet në Evropë, me të burgosur politikë. Të burgosur politikë në Maqedoninë dyetnike, janë vetëm shqiptarët. Një shtet me të burgosur politikë, nuk e ka vendin në familjen evropiane.
Pushtetarët sllavo-maqedonas i kanë të ushtruara vrasjet e kurdisura. Në Vreshtat e Rashtakut, më 2 mars 2002, u ekzekutuan me pabesi dhe me gjakftohtësi gjashtë shtetas të Pakistanit dhe një i Indisë, për të cilët thanë se kanë pasur ndërmend të sulmojnë disa nga ambasadat e vendeve të Perëndimit. Në brez të të rinjve të shtrirë për toke, kishin vënë nga një revole, librin e shenjtë të fesë islame si dhe emblemën e UÇK-së.
Të vrarët ishin djem të rinj që kishin përjetuar golgotë, në rrugën e tyre të mundimshme për një jetë më të mirë. Në çastin e vrasjes nga policët e Lube Boshkovskit, këta të rinj pakistanezë ishin të lodhur, të rraskapitur, të pagjumë, të mërdhirë, të etshëm dhe të unët. Për krimin makabër, nuk u përgjigj askush.
Ky farë Lube, pas ndërprerjes së granatimeve ndaj pozicioneve të UÇK-së në malësinë e Sharrit, në mbrëmjen e 25 marsit të vitit 2001, me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare sllavo-maqedonase, u ngjit në një fshat rrëzë Sharrit dhe u tha mediumeve:
“I çliruam fshatarët shqiptarë nga terroristët e UÇK-së”. Është e turpshme për çdo shqiptar të fotografohet në të njëjtin resht me brat Luben, siç kishte ndodhur para do kohësh.
Në asnjë vend të rruzullit dhe asnjëherë në historinë e kohës më të re, nuk janë shqiptuar 746 vjet burg, siç ndodhi me të dënuarit e tragjedisë së Kumanovës. Është detyrë e organeve të gjyqësisë që dënimet drakonike ndaj 35 shqiptarëve të tragjedisë së sipërthënë, t’i suprimojnë dhe duke u bazuar në fakte, rastin ta zbardhin me drejtësi.
Gjatë tërë periudhës së pluralizmit, sllavo-maqedonasit kanë ndjekur ndaj shqiptarëve strategjinë bizantine: duke u krijuar shqiptarëve probleme të paqena, i kanë detyruar ata që të merren me to, me qëllim që të shmangen prej problemeve reale të tyre, sikundër janë ato politike, kombëtare, sociale dhe ekonomike.
Qeveria e Zaevit, meqë ka shumicën, sa më parë duhet ta miratojë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, madje pa asnjë ndryshim, në mënyrë që t’i mundësojë faktorit politik shqiptar të përkushtohet në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e viseve shqiptare, ekonomikisht të degraduara. Ndryshe, shkollat do të mbeten pa nxënës, universitetet pa studentë. Të rinjtë ndërkaq, “për një jetë më të mirë”, do t’i marrin në sy – rrugët pa kthim.