Nga Behlul Jashari /
Në Prishtinë të premtën e 13 Gushtit 2021 në sallën e Katedralës “Shën Nënë Tereza”, me fillim në orën 19:00, promovohet dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës” me regji të Ilir Buçpapajt, gazetarit të njohur të Radio Televizionit Shqiptar.
Marjan Cubi është veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, anëtar i Kryesisë dhe arkatar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, në Nju Jork ishte kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku janë mbledhur e dorëzuar mëse 2 milionë dollarë.Dokumentari vjen në Prishtinë nga Nju Jorku, ku më parë është shfaqur të dielën e 13 Qershorit 2021 në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Në promovimin në Kryeqytetin e Kosovës do jetë edhe Marjan Cubi, për të cilin që nga fëmijëria në vendin e lindjes në Drenoc të Klinës e deri në ditët e sotme flet dokumentari mëse dyorësh, ndërsa do ketë edhe fjalë rasti nga Këshilli Organizativ e pjesëmarrësit, mes të cilëve pritet të jetë edhe Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.