
Sadik Krasniqi
Besnik Rraci
AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).
Abstrakt
Kumtesa me titull: “Masakrat Serbe në Kosovë 1998-1999 – sipas dëshmive materiale muzeore” trajton materien e krimeve serbe në Kosovë, përkatësisht do të fokusohet te masakrat e kryera nga forcat e okupatorit serb ndaj civilëve shqiptarë, duke mos i kursyer as kategoritë me të ndjeshme të popullit, siç ishin fëmijët, pleqtë dhe gratë. Punimi ynë do të përqendrohet kryesisht te rrëfimi i ngjarjeve tronditëse nëpërmes dëshmive materiale muzeore, siç janë: heshtat, thikat, sëpatat, shiringat, litarët, telat me gjemba, rroba të brendshme të femrave të përdhunuara, e deri te përdorimi i të gjitha predhave të kalibrave të ndryshëm të artilerisë serbe. Pra, janë këto disa nga burimet materiale autentike, të cilat janë përdorur nga forcat e ushtrisë dhe policisë serbe, për t’i masakruar në mënyrën më brutale popullsinë e pafajshme të Kosovës, me arsyen e vetme, pse ishin shqiptarë. Një pjesë e konsiderueshme e dëshmive materiale që i referohet luftës së fundit në Kosovë, përfshirë këtu edhe masakrat serbe ndaj popullsisë civile shqiptare, që kryesisht janë të mbledhura dhe të ruajtura nëpër muzetë e Kosovës, me theks të veçantë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Prandaj këtij punimi shkencor e profesional i jemi qasur nga këndvështrimi muzeor, me qëllim të pasqyrimit sa më të detajuar të këtij kapitulli, sa të dhimbshëm po aq edhe krenar.
Fjalët çelës: Masakrat, Kosova, Muzeu, dëshmitë, krimet, burime materiale, lufta, shqiptar, civile, forcat ushtarake serbe, etj.
Populli shqiptar në përgjithësi dhe ai i Kosovës në veçanti, gjatë historisë nuk i pushoi asnjëherë përpjekjet për çlirim kombëtar. Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë dhe me plot sakrifica të mëdha, dhanë kontribut të çmuar shumë gjenerata dhe kategori të ndryshme të popullit tonë. Në vitet 40 të shek. XIX udhëheqësit serbë filluan t’i mendojnë planet ekspansioniste për zgjerimin e Serbisë, të cilat e kishin zanafillën edhe më herët. Mbi këtë bazë ata filluan edhe të ndërtojnë platformën famëkeqe të „Naçertanies“, e cila u jetësua në vitin 1844, në krye me ideologun e këtij elaborati, Ilia Garashanin, rreth të cilit do të mblidheshin të gjithë krerët politikë’, por edhe ata fetarë që u vunë në shërbim të kësaj ideologjie duke u mbështetur edhe nga qarqet konservatore serbe. Ky plan në shënjestër kryesore i kishte vënë shqiptarët që, në fakt, pësuan dhunë, padrejtësi historike, shpërngulje dhe kolonizim të tokave të tyre të shoqëruara me një gjenocid të paparë deri te tentativat për shfarosjen e tyre të plotë.
Kthesa radikale që e favorizonte Serbinë ishte “Paqja e Shën Stefanit” dhe gjendja e brishtë e krijuar me dobësimin e Perandorisë Osmane, kur edhe filluan shpërnguljet e mëdha të shqiptareve nga trojet e tyre të përcjella më dhunë dhe krime monstruoze ndaj tyre, të cilat nuk u ndalën asnjëherë në vijimësi deri te lufta e fundit 1999. Përdorimi i metodave me drakonike si; dhuna shtetërore e pandërprerë dhe kolonizimi i tokave ua nxinë jetën shqiptareve dhe në fund i detyronte të shpërnguleshin, te asimiloheshin apo të vriteshin pa gjyqe nga falangat paramilitare serbe që vepruan lirshëm me leje të strukturave shtetërore. Pra, nxitja e ekseseve më banale ndëretnike bëhej me qëllim të caktuar për të pasur alibi për terrorin që do të ushtrohej ndaj gjithë popullatës së një rajoni të tërë. Duke mos mundur të ballafaqohej me rezistencën shqiptare, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë gjithë egërsinë e tyre e shfrynin kundër popullatës së pafajshme civile shqiptare, kundër grave e fëmijëve, pleqve e të rriturve. Në këtë kasaphane nuk mbeti metodë më monstruoze që të mos jetë përdoruar vetëm e vetëm që popullata autoktone shqiptare të shfarosej përgjithmonë.
Vrasjet dhe masakrat masive të shkaktuara nga aparati shtetëror serb në Kosovë, janë të shumta, gjithandej Kosovës. Në lidhje me këtë tematikë, fokusi ynë kryesisht bie te rrëfimi i ngjarjeve tronditëse nëpërmes dëshmive materiale muzeore, siç janë: heshtat, thikat, sëpatat, shiringat, litarët, telat me gjemba, rroba të brendshme të femrave të përdhunuara, e deri te përdorimi i të gjitha predhave të kalibrave të ndryshëm të artilerisë serbe. Pra, janë këto disa nga burimet materiale autentike, të cilat janë përdorur nga forcat e ushtrisë dhe policisë serbe, për t’i masakruar në mënyrën më brutale popullsinë e pafajshme të Kosovës, me arsyen e vetme, vetëm pse ishin shqiptarë.
Një pjesë e konsiderueshme e dëshmive materiale që i referohet luftës së fundit në Kosovë, përfshirë këtu edhe masakrat serbe ndaj popullsisë civile shqiptare, që kryesisht janë të mbledhura dhe të ruajtura nëpër muzetë e Kosovës, me theks të veçantë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, janë dëshmitë më reale që mund të shihen dhe preken me dorë, të cilat kanë shërbyer nga okupatori fashist serb për kryerjen e krimeve dhe masakrave në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Dëshmitë materiale muzeore të cekura si më lart, na argumentojnë edhe një anë tjetër të errët të medaljes, ku përmes përdorimit të tyre, kriminelët serbë i kanë copëtuar gjymtyrët e trupave të civilëve shqiptarë, duke ua prerë veshët, hundën, duart, këmbët, sytë, organet gjenitale, kokën, e deri te nxjerrja e organeve me vitale të trupit të njeriut siç janë mushkëritë, veshkat, zemra, etj.
Përdorimi i këtyre metodave morbide, nga aparati shtetëror serb, në mënyrë të organizuar, tentonte që t’ia fuste frikën në palcë, popullatës civile shqiptare, në mënyrë që ta nënshtronte dhe ta detyronte atë që të hiqte dorë nga kauza e tyre për liri dhe pavarësi. Gjithashtu, pushteti okupues gjenocidial serb pretendonte ta përdhoste edhe identitetin kulturor dhe kombëtar, duke i shkatërruar disa nga objektet e trashëgimisë kulturore dhe historike.
Prej këtyre dëshmive materiale posedojmë; dy shpata të shkurtra të gjetura në lagjen Arbana të Prizrenit; një thikë e gjetur në fshatin Vërmicë të Prizrenit; një thikë e gjetur në fshatin Celinë të Rahovecit; dy shpata të gjetura në fshatin Dresnik të Pejës; një sëpatë e gjetur në fshatin Marec të Prishtinës; dorëz e thikës me mbishkrime ruse e gjetur në fshatin Bellacerkë (Fortesë) të Rahovecit; shkop druri i gjetur në fabrikën e Ferronikelit në Drenas; një litar i përgjakur dhe një shiringë të gjetur në fshatin Duhël të Shtimes; sofër buke e traditës shqiptare e përdhosur dhe e dëmtuar me mbishkrime nacionaliste serbe, e gjetur në fshatin Bellacerkë (Fortesë) të Rahovecit, plisi i bardhë i përgjakur me mbishkrime nacionaliste serbe (shkrimi i katër “S-ve”), i gjetur në Fushë Kosovë; disa dhjetëra gëzhoja të predhave të kalibrave të ndryshëm të përdorura nga forcat artilerie ushtarake dhe policore serbe kundër popullsisë civile shqiptare të gjetura në të gjitha komunat e Kosovës ku kishte luftë; si dhe disa palë rroba të brendshme të femrave shqiptare të dhunuara seksualisht nga paramilitarët dhe militarët e forcave serbe.
Dy shpata të shkurtra: të gjetura në banesën e kriminelit Gadaf Demaj nga lagja Arbanë e Prizreni, i shkolluar në Beograd të Serbisë, i cili ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i UDB-së. Ka marrë pjesë në shumë masakra të kryera nga paramilitarët dhe njësitë e rregullta militare policore serbe në rajonin e Prizrenit dhe në tërë Kosovën. Pra sipas burimeve okulare thuhet se ky kriminel i njohur në këto anë me pseudonimin “Gadafi” me këto armë të ftohta ka masakruar shumë civilë shqiptarë. Krimineli në fjalë ka arritur t’i shpëtojë luftës dhe pas kapitullimit të Serbisë ka ikur në Serbi, ku jeton edhe sot e kësaj dite. Me qëllim të zbardhjes dhe argumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës nga ky kriminel, informatat për Muzeun Kombëtar të Kosovës i ka dhënë Enver Rexha, ish-veprimtar politik i LKÇK-së, me datën 18.02.2001.
Fig.1. Dy shpata të shkurtra të gjetura në lagjen Arbana të Prizrenit
Thikë: e gjetur në trupin e një femre civile shqiptare të paidentifikuar, në fillim të muajit nëntor të vitit 1999, në vendin e quajtur Vërmicë, fshat ky që gjendet ndërmjet kufirit shqiptaro-shqiptar, Kosovë-Shqipërisë. Sipas rrëfimeve autentike të dëshmitarit Xhemshit Krasniqi, i cili thotë se forcat serbe, kanë vrarë shumë civilë shqiptarë në shumë vende përgjatë vijës kufitare me Shqipërinë, përfshirë këtu edhe rastin në fjalë. Më tej ai shprehet se: “kudo që kemi arritur t’i shohim vrasjet dhe masakrat e bëra ndaj civilëve shqiptarë kemi hasur në shumë dëshmi materiale kryesisht armë të ftohta. I vetëdijshëm për vlerën dhe rëndësinë argumentuese që ka thika, e kam marrë nga vendi i ngjarjes për të dëshmuar për rastin”. Ndërkaq me datën 16 qershor 2001, këtë eksponat ia ka dhuruar si dëshmi Muzeut të Kosovës.
Fig.2. Thikë e gjetur në fshatin Vërmicë të Prizrenit
Thikë ushtarake: e gjetur në fshatin Celinë, përkatësisht në lagjen Hasanaj të Rahovecit me datën 25 mars 1999. Sipas rrëfimeve të deshmitarit Sadik Hasani, vërtetohet se thika është përdorur nga paramilitarët dhe militarët e forcave serbe për të vrarë dhe masakruar civilët shqiptarë të këtij fshati. Pra, pikërisht në mars të vitit 1999 janë masakruar 81 fshatarë të të gjitha moshave. Dëshmitari veç të tjerash thekson se forcat serbe përveç që i vrisnin civilët shqiptarë më pas ata i masakronin duke ua prerë organet e ndryshme të trupit, si: hundët, gjuhën, syrin, kokën, duart, këmbët dhe në fund fare ua nxjerrin jashtë të gjitha organet e brendshme, kështu që në shumë raste ishte e pamundur ta identifikoje familjarin tënd. Për t’i vrarë njerëzit me lehtë zakonisht i përdornin armët e zjarrit, ndërsa më pas kufomat e tyre i prenë e i copëtonin në format më barbare të mundshme me armët e ftohta, vetëm e vetëm që t’i frikësonin shqiptarët dhe t’i bënin të vuajnë sa më shumë. Sipas dëshmitarit Sadik Hasani, në kohën kur janë vrarë fshatarët e fshatit Celinë në mesin e tyre kanë qenë edhe pesë anëtarë të ngushtë të familjes së tij. Pas përfundimit të luftës me qëllimet me mira që t’i kontribuonte ndriçimit të krimeve serbe, dëshmitë materiale përfshirë këtu edhe thikën ia dorëzoi Muzeut të Kosovës, si institucioni më kompetent për ruajtjen dhe prezantimin e krimeve të luftës më 10 dhjetor 2000.
Fig.3. Thikë e gjetur në fshatin Celinë të Rahovecit
Dy shpata: të gjetura në shtëpinë e një serbi në fshatin Dresnik të komunës së Klinës në tetor të vitit 1999. Sipas të dhënave të marra nga Halit Sahitaj, thuhet se shpatat janë përdorur nga forcat paramilitare dhe militare serbe për të bërë masakra ndaj civilëve shqiptarë në rajonin e Pejës. Sipas tij shpatat e përgjakura janë dëshmia me autentike konkrete në të cilat shihen qartë gjurmët e krimit, që forcat serbe i përdorën si metodat me monstruoze për të treguar edhe kësaj here se urrejtja e tyre ndaj shqiptarëve është patologjike dhe e organizuar mirë nga aparati shtetëror që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, e në vijimësi shpërfaqet deri në përfundim të shekullit XX. Po e themi këtë për faktin se të përdorësh në luftë armë të tilla për t’i prerë dhe copëtuar viktimat e pafajshme, duhet të jesh shumë i prishur në shpirt, në shkallë kanibali ose të jesh egërsirë e çmendur, aq më tepër në këtë shekull kur vetëdija e njeriut dhe botës së qytetëruar në përgjithësi kishte arritur në një nivel tjetër, derisa mendësia e okupatorit serb kishte mbetur nën nivel mesjetar. Të dy shpatat janë sjellë në Muzeun e Kosovës me datën 6 dhjetor 1999, si dëshmi për ta argumentuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe për t’i informuar e edukuar brezat e rinj se çfarë kishte ndodhur në Kosove gjatë luftës 1998-1999.
Fig.4. Dy shpata të gjetura në fshatin Dresnik të Klinës
Sëpatë e gjetur në fshatin Marec të komunës së Prishtinës, me të cilën është masakruar shqiptari Faik Vitia nga forcat policore serbe në prill të vitit 1999. Sipas të dhënave të kushëririt të tij të afërm, Behxhet Vitia, i cili thotë se forcat serbe përveç që ishin të armatosur dhe të organizuar paraprakisht me armë të ftohta, gjithashtu edhe kur hynin nëpër shtëpitë e fshatrave shqiptare i vrisnin dhe i masakronin ata me veglat e tyre të punës, qofshin ato bujqësore apo të amvisërisë siç ishin sëpatat, kmesat, drapërinjtë, kosat, sharrat, etj. E në rastin konkret me sëpatat tona që fshatarët kryesisht i kanë përdorur për nevoja familjare, përkatësisht për prerjen e drunjve në pyll apo në shtëpi është masakruar Faik Vitia. Pas përfundimit të luftës këtë eksponat e ka sjellë në muze Behxhet Vitia, e cila ka shërbyer si dëshmi materiale për t’i prezantuar përmes ekspozitave tematike në muze krimet serbe para opinionit vendor dhe sidomos atij ndërkombëtar.
Fig. 5. Sëpatë e gjetur në fshatin Marec të Prishtinës
Dorëz e thikës me mbishkrime ruse e quajtur “DUMA”: e gjetur në shtëpinë e familjes së Avdurrahman Kelmendit në fshatin Fortesë të Rahovecit. Sipas rrëfimit të tij, me datën 24 prill 1999, forcat serbe dhe paramilitar rusë të ardhur vullnetarisht dhe si mercenar nga Rusia, janë stacionuar në shtëpinë e tij prej nga janë dhunuar seksualisht, vrarë dhe masakruar shumë shqiptar në mesin e tyre edhe Nadie Spau nga Rahoveci, Shaipi me djalë nga fshati Brestoc i Rahovecit dhe shumë të tjerë. Për këto krime dëshmojnë edhe dëshmitë e shumta materiale përfshirë këtu edhe thikën me mbishkrime ruse, të përdorur nga paramilitarë rusë kundër civilëve shqiptarë, që shumë prej tyre kishin marrë pjesë në luftën e Kosovës 1998-1999, në kuadër të forcave serbe. Dorëza e thikës është dëshmi konkrete që flet qartë për pjesëmarrjen dhe kryerjen e krimeve në Kosovë. Është me rëndësi të potencohet fakti se, gjatë kësaj kohe në fshatin Bellacerk (Fortesë) të Rahovecit janë vrarë dhe masakruar dhjetëra shqiptarë të këtij fshati nga forcat serbe dhe paramilitare ruse. Dorëza e thikës që mban emërtimin rus “Duma”, pas luftës me datën 13 janar 2001, i është dhuruar Muzeut të Kosovës, si dëshmi historike materiale për ta argumentuar pjesëmarrjen dhe masakrat e shkaktuara edhe nga paramilitarët rusë.
Fig.6. Dorëz e thikës me mbishkrime ruse e gjetur në fshatin Bellacerkë (Fortesë) të Rahovecit
Shkop druri: i gjetur në fabrikën e Ferronikelit në Drenas, si rezultat i hulumtimeve kërkimore të bërë nga bashkëpunëtorët shkencorë dhe profesionalë të sektorit të historisë në Muzeun e Kosovës, gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1999, me ç‘rast, krahas shumë dëshmive materiale u gjet edhe ky shkop druri. Sipas të dhënave okulare të marra nga komuniteti shqiptar që jetonte pranë këtij lokaliteti, rrëfyen për ngjarjet që kishin ndodhur gjatë luftës në këtë qytet. Ata veç të tjerash, na treguan se për çfarë ishte përdoruar shkopi i drurit nga forcat serbe. Shkopi i drurit apo siç njihet në opinionin e gjerë si “shkop beizbolli” ishte përdorur nga forcat serbe për rrahje masive në grup dhe individuale te të gjithë shqiptarëve që në mënyra të dhunshme i kapnin nëpër qytet dhe i grumbullonin në fabrikën e Ferronikelit në Drenas, pikërisht aty ku ishte stacionimi kryesor i forcave serbe. Si pasojë e rrahjeve brutale, shumë prej civilëve shqiptarë vdisnin, ndërsa një pjesë e vogël prej tyre mbetën përgjithmonë invalidë. Aq lart shkonte brutaliteti sa kriminelët serbë, përveç që i mbytnin, me pas kufomat e tyre i gjymtonin dhe i tjetërsonin duke ua ndërruar rrobat para se t’i varrosnin masivisht. Eksponati në fjalë, është pjesë integrale e koleksioneve të luftës, të cilat shërbejnë si dëshmi historike për t’i argumentuar krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.
Fig.7. Shkop druri i gjetur në fabrikën e Ferronikelit në Drenas
Litar i përgjakur: i gjetur në fshatin Duhël të Shtimes, me datën 10 korrik 1999. Sipas burimeve të marra nga Zona Operative e Pashtrikut, sektori për informim, nën udhëheqjen e eprorit Halil Çadraku, i cili konfirmon se të gjitha këto dëshmi materiale përfshirë këtu edhe litarin në fjalë, janë përdorur nga forcat paramilitare dhe militare serbe për të bërë dhunë dhe vrasje kundër popullatës civile shqiptare, duke mos i kursyer as kategoritë me të ndjeshme që ishin fëmijët, gratë, pleqtë dhe të hendikepuarit. Sa i përket litarit, në të cilin shihen qartë gjurmët e krimit është përdorur posaçërisht për ngulfatjen e civilëve në shkallë vdekjeje. Pra, barbaritë serbe nuk lanë asnjë metodë apo mjete të ndryshme që nuk e përdorën për t’i dhunuar dhe vrarë shqiptarët në format më shtazarake. Përzgjedhja e vrasjeve nëpërmes litarëve, telave me gjemba dhe me gjësende të tjera ishin të menduara mirë nga kriminelët serbë. Këtë e bënin me pretendimet se shqiptarët gjatë procesit të vrasjeve duhej të vuanin sa më shumë, t’i frikësonin për ta braktisur atdheun e tyre dhe që Kosova të popullohej me popullsi serbe. Eksponati në fjalë iu dhurua Muzeut të Kosovës, si dëshmi historike me datën 09 dhjetor 1999.
Fig.8. Litar i përgjakur i gjetur në fshatin Duhël të Shtimes
Shiringë: Sipas burimeve të marra nga Zona Operative e Pashtrikut, drejtoria për informim, nën udhëheqjen e eprorit të UÇK-së Halil Çadraku, shiringa është gjetur në fshatin Duhël të Shtimes me datën 10 korrik 1999. Sipas tij shiringat janë përdorur nga njësitë paramilitare dhe militare serbe për drogimin e tyre në mënyrë që veprimet e tyre të ishin sa me të shfrenuara dhe më të rënda në ekzekutimin e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë. Këtë formë e aplikonin kryesisht njësitë paramilitare serbe që shteti serb në mënyrë të organizuar i kishte mbledhur dhe mobilizuar kriminelët nga burgjet serbe, kriminelë me përvojë nga luftërat e zhvilluara në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe kriminelë të ardhur nga bota e krimit në Serbi dhe jashtë saj. Me fjalë të tjera, të gjitha këto grupe kriminelësh duke përdorur drogë dhe lëndë të tjera narkotike, përpiqeshin ta mënjanonin ndjenjën e dhimbjes shpirtërore dhe nën ndikimin e saj të dhunonin, vrisnin dhe masakronin popullatën shqiptare të Kosovës.
Fig.9. Shiringë, i gjetur në fshatin Duhël të Shtimes
Sofër buke e traditës shqiptare: e dëmtuar dhe e përdhosur me mbishkrime nacionaliste serbe dhe ruse, e gjetur në shtëpinë e familjes së Avdurrahman Kelmendit në fshatin Bellacerkë (Fortesë) të Rahovecit. Sipas rrëfimit të tij, më 24 prill 1999, forcat serbe dhe paramilitare ruse të ardhur vullnetarisht dhe si mercenarë nga Rusia, janë stacionuar në shtëpinë e tij prej nga kanë vrarë dhe masakruar dhjetëra civilë shqiptarë të këtij fshati. Dëshmitë e shumta dhe materiale të disponueshme vërtetojnë fakte të rënda kriminale, përfshirë këtu edhe sofrën e bukës me shenja cirilike serbe dhe ruse.
Siç dëshmon Avdurrahman Kelmendi, sofra e bukës fillimisht ishte përdorur për qëllime normale të ngrënies. Pasi kishin konsumuar alkool, sofra u keqpërdor për tallje, duke shfaqur mospërfillje për trashëgiminë etno-kulturore të shqiptarëve. Ata kanë shkruar simbole nacionaliste, grafika të figurave femërore të zhveshura dhe në fund, bënin veprime të turpshme, duke kryer edhe nevoja fiziologjike mbi të.Veprime të tilla ndaj kulturës dhe trashëgimisë historike shqiptare ka pasur nëpër të gjitha komunat e Kosovës, gjë që dëshmon edhe për krimet kulturore apo siç njihet në terminologjinë ndërkombëtare kulturocid.
Është me rëndësi të potencohet fakti se sofra e bukës me tërë pamjen e saj karakteristike që pasqyron barbarizmin serb dhe rus, në korrik të vitit 1999, pas hyrjes së NATO-s në Kosovë është përdorur si dëshmi kundër vendosjes së ruseve në Rahovec, krahas shume krimeve të tjera të bëra në këtë rajon. Ndërkaq më 13 janar 2001, sofra e bukës i është dhuruar Muzeut të Kosovës, si dëshmi historike materiale për t’i dëshmuar krimet kulturore në Kosovë.
Fig.10. Sofër buke e traditës shqiptare e përdhosur dhe e dëmtuar me mbishkrime nacionaliste serbe, e gjetur në fshatin Bellacerkë (Fortesë) të Rahovecit
Plisi i bardhë i përgjakur me mbishkrime nacionaliste serbe (shkrimi i katër “S-ve”), i Shefki Halil Dedincës nga fshati Lajthishtë (Leshkoshiq), i gjetur në banesën i tij në Bresje të Fushë Kosovës. Sipas rrëfimeve të Naim Buelnicas, Shefkiu ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë nga forcat paramilitare serbe me datë 7 mars 1999, i cili ende nuk është gjetur. Raste të tilla ku janë vrarë civilët shqiptarë me plisin e bardhë në kokë ishin të shumta, kjo për faktin se forcave serbe u pengonte çdo simbol kulturor e kombëtar që lidhej me shqiptarët, ndaj edhe në rastin e plisit të bardhë të Shefki Dedincës, janë shkruar katër S-të, për të treguar ambicien e tyre shoviniste për Serbi të madhe. Pas përfundimit të luftës, këtë relikt e ka sjellë në muze Naim Buelnica, i cili ka shërbyer si dëshmi materiale për t’i prezantuar krimet serbe.
Fig.11. Plisi i bardhë i përgjakur me mbishkrime nacionaliste serbe
(shkrimi i katër “S-ve”), i gjetur në Fushë Kosovë
Dhjetëra gëzhoja të predhave të kalibrave të ndryshëm të përdorura nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë, të gjetura si rezultat i hulumtimeve kërkimore të bërë nga bashkëpunëtorët shkencorë dhe profesionalë të sektorit të historisë në Muzeun e Kosovës gjatë viteve 2000-2015. Sipas të dhënave okulare të marra nga komuniteti shqiptar që jetonte pranë këtyre lokaliteteve, rrëfyen për ngjarjet që kishin ndodhur gjatë luftës nëpër vendbanimet e tyre. Ata, përveç të tjerash na treguan se për çfarë dhe nga kush ishin përdorur gëzhojat e ndryshme të artilerisë serbe. Sipas tyre, në secilën bazë ushtarake ku operonte ushtria serbe në Kosovë, ishte përdorur artileria rëndë në mënyrë që t’i bombardonin nga larg vendbanimet ku ishin mbledhur dhe strehuar popullata civile shqiptare; nëpër fusha, male, gryka, fshatra e deri nëpër qytete. Si pasojë e këtyre predhave u vranë dhe u gjymtuan mijëra civilë shqiptarë anekënd Kosovës. Numri i vrasjeve nga artileria serbe vinte kryesisht nga madhësia e predhave dhe volumi i tyre në gjuajtje. Gëzhojat e predhave të lartcekura të të gjitha kalibrave që nga ato me të voglat e deri te me të mëdhatë janë dëshmitë faktike që i pasqyrojnë krimet serbe në Kosovë në shkallë gjenocidi. Gëzhojat e predhave të ndryshme, tashmë të shndërruara në eksponate muzeore, në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, janë pjesë integrale e koleksioneve të luftës 1998-1999, të cilat shërbejnë si fakte historike për t’i argumentuar krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.
Fig.12. Dhjetëra gëzhoja të predhave të kalibrave të ndryshëm të përdorura nga forcat artilerive ushtarake dhe policore serbe kundër popullsisë civile shqiptare të gjetura në të gjitha komunat e Kosovës ku kishte luftë 1998-1999
Në kuadër të krimeve serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, një segment mjaft i ndjeshëm që ndodhi në Kosovë gjatë luftës 1998-1999 ishte edhe dhunimi i femrës shqiptare. Sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Statutit të Tribunalit të Hagës, dhunimet janë vepra penale që radhiten si krime kundër njerëzimit. Ndaj pushteti terrorist i Serbisë në krye me kriminelin Milosheviç nuk qe kursyer edhe rreth dhunimeve masive të femrës shqiptare në Kosovë. Këto forma të veprimeve të kriminelëve serbë kishin për qëllim diskreditimin politik, psikologjik, moral dhe shpirtëror të shqiptarëve në përgjithësi e të femrës në veçanti. Në bazë të informacioneve nga terreni të marra prej dëshmitarëve dhe viktimave të ndryshme, rezulton të jenë më shumë se njëzetmijë (20.000), numri i femrave shqiptare të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.Për këtë dimension të krimeve, posedojmë disa fotografi, dhe tri palë rroba të brendshme të femrave të dhunuara të gjetura në fshatin Duhël ndërmjet komunës së Shtimes dhe Suharekës.
Rroba të brendshme të femrave shqiptare të dhunuara seksualisht:
Sipas burimeve të marra nga Zona Operative e Pashtrikut, drejtoria për informim, rrobat e brendshme të femrave shqiptare të dhunuara seksualisht janë gjetur në fshatin Duhël të Shtimes që kufizohet me komunën e Suharekës me datë 10 korrik 1999. Sipas të dhënave, rrobat e brendshme të femrave janë dëshmi autentike që dëshmojnë se gjatë luftës në Kosovë, ushtria dhe policia serbe kanë dhunuar seksualisht femrat civile shqiptare. Me qëllim të zbardhjes dhe argumentimit të krimeve seksuale të kryera nga kriminelët serbë, si dëshmi materiale muzeore, për Muzeun e Kosovës i ka dhënë Halil Çadraku, ish-epror i lartë i UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, me datë 9 shkurt 1999.
Fig.13. Rrobat e brendshme të femrave shqiptare të dhunuara seksualisht
nga forcat ushtarake dhe policore serbe 1998-1999
Përfundime
Materia e zhvilluar si me lart, na sjell te përfundimet se punimi është një përpjekje serioze për ta pasqyruar drejt luftën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Në mënyrë që të realizohej kjo kauzë u kërkua që të sakrifikohen shumë qytetarë të Kosovës ndër vite, duke i vënë në fokus krimet e bëra në shkallë gjenocidi të shkaktuara nga forcat okupatore kriminale serbe, siç ishin; shkatërrimet, djegiet, vrasjet, dëbimet, dhunimet e duke shkuar deri në ekstremitet ku u vranë dhe u masakruan edhe kategoritë me të ndjeshme të popullit tonë si, fëmijët, gratë, pleqtë dhe të hendikepuarit.
Gjithashtu, në vijim po e paraqesim një përmbledhje të përgjithshme të vrasjeve, masakrave, dhunimeve, dëbimeve, të zhdukurve dhe shkatërrimeve, të cilat janë të renditura si më poshtë:
-Numri i shqiptarëve civilë të vrarë nga forcat serbe në Kosovë janë: 9. 525
-Numri i dëshmorëve nën organizimin e luftës së UÇK-së janë: 2. 800
-Numri i shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës dhe të pagjetur deri më sot, është rreth 1. 600
-Pra numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, arrijnë shifrën rreth
14.000
-Më shumë se 800.000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga atdheu i tyre.
-Numri i komunave, fshatrave, shtëpive të dëmtuara dhe të djegura nga forcat serbe gjatë luftës
në Kosovë 1998-1999, janë: 29 komuna, 100 fshatra, 99. 362 shtëpi.
-Numri i objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe shërbimeve publike të dëmtuara janë:
objektet e arsimit dhe edukimit 534, Numri i objekteve të shëndetësisë 240, numri i objekteve të
kulturës (trashëgimisë) 869, numri i objekteve të shërbimeve publike 407.
Ndaj falë rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës ndër vite, luftës së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-s të udhëhequra nga ShBA-ja, bënë të mundur që krimet dhe masakrat më shumë se 100 -vjeçare serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, të ndërpriten dhe Kosova të ecë në rrjedhën e vet historike.
Burimet dhe Literatura:
- Arkivi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Prishtinë
- Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, “Historia e Popullit Shqiptar II ”, Botimet Toena, Tiranë, 2002
- PhD. Besnik Rraci & Dr. Sadik Krasniqi, “Veprimtaria Atdhetare e heroit Sali Çekaj”,Botues, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Prishtinë, 2022
- Nysret Pllana, “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, Prishtinë, 2001
- Mikel Ndreca, “87 VJET, terror dhe gjenocid shtetëror (1912-1999)”, Prishtinë, 2001
- Mr. Sadik V. Krasniqi, “Lufta për Çlirimin e Kosovës (1997-1999)”, Prishtinë, 2009
- Luljeta Selimi, “Rrëfime tronditëse (femra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë)”, Prishtinë, 2003
- Mr. Tefik Morina “Mozaik Historik”, Prishtinë, 2011
- Katalogu i ekspozitës tematike me titull:”Drama kosovare”, e hapur zyrtarisht më 12 qershor, 2000, në hapësirat e Muzeut të Kosovës në Prishtinë.
- Gazeta “Koha Ditore”, qershor, 1999, Prishtinë
- Koleksioni muzeor i dëshmive për krime lufte në MKK
- Raporte pune nga terreni, gjatë hulumtimeve kërkimore në mbledhjen e dëshmive materiale të luftës ndërmjet viteve 2000-2015, Sektori i Historisë, Muzeu i Kosovës, Prishtinë.
- Raport pune, “Lista me dëshmitë materiale të luftës1998/99”, Sektori i Historisë në Muzeun e Kosovës, Prishtinë.
- Deklaratë me gojë e Enver Rexha, Prizren.
- Deklaratë me gojë e Xhemshit Krasniqi, Prizren
- Deklaratë me gojë e Sadik Hasani, Celinë-Rahovec.
- Deklaratë me gojë e Halit Sahitaj, Çifllak-Rahovec
- Deklaratë me gojë e Behxhet Vitia, Marec-Prishtinë
- Deklaratë me gojë e Avdurrahman Kelmendit, Bellacerkë (Fortesë), Rahovec
- Deklaratë me gojë e Halil Çadrakut, Prizren
- Deklaratë me gojë e Naim Buelnica, Fushë Kosovë