
Gjon F. Ivezaj/
Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricës), u mblodh në pllajën e Greçës, pranë Trieshit( Triepshit ), në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe. Kuvendin e përgjithshëm të krerëve shqiptarë, i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin Memorandumi i Greçës, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Ai ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Ded Gjon Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare .Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë . Në dokumentin e shkruar, ose siç u quejt ( Libër i Kuq”) , u formuluan 12 kërkesa të paraqitura më 23 qershor 1911, drejtuar qeverisë turke. Kryengritësit kërkonin që të njihej kombësia shqiptare dhe që, mbi bazën e decentralizimit administrativ, në vilajetet ku ndodheshin shqiptarë, të krijohej një administratë me nëpunës shqiptarë, me xhandarmëri e polici të formuar nga shqiptarë dhe me valinj që, mundësisht, të njihnin gjuhën e doket e vendit. Në administratë do të përdorej gjuha shqipe krahas turqishtes që mbetej gjuhë zyrtare. Sultlani do të caktonte një përfaqësues me cilësinë e inspektorit të përgjithshëm, i cili do të kontrollonte veprimtarinë e adimnistratës. Në kuadrin e kësaj autonomie teritoriale administrative, kërkohej liri e plotë për të zgjedhur deputetët e vet, liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe dhe për themelimin e shkollave shqipe me ato të drejta të shkollave të tjera shtetërore, garanci kundër veprimeve antikushtetuese dhe respektim i të gjitha feve, dokeve e traditave të garantuara nga kushtetuta e të konsakruara nga kanunet e vendit.
Në memorandum kërkohej gjithashtu e drejta për të gjithë shqiptarët që të kryenin shërbimin ushtarak në kohë paqeje brenda kufijve të vilajeteve shqiptare, si dhe e drejta për një organizim të veçantë për vendësit e viseve që ndodheshin në kufi me shtetet ballkanike, duke u dhënë atyre lehtësi në mënyrë që të bënin shërbimin në vend e të ruanin kufijtë. Përveç këtyre, në memorandum bëheshin edhe një varg kërkesash me karakter ekonomik, që ishin pjesë e pandarë e atyre për autonominë teritoriale administrative të vendit. Kështu kërkohej që të gjitha të ardhurat fiskale, me disa përjashtime, të përdoreshin për zhvillimin ekonomik dhe kultural të vendit dhe që e drejta për administrimin e buxhetit t’u lihej këshillave të përgjithshme. Të mashtruar disa herë nga qeveria turke, kryengritësit dëshironin të kishin garancinë e fuqive të mëdha për realizimin e kërkesave të tyre. Prandaj ata ua dorëzuan memorandumin përfaqësuesve të shteteve evropiane në Cetinë, ndërsa qeverisë engleze në një memorandum të veçantë i luteshin t’i përkrahte këto kërkesa.
Në memorandumin e Greçës formuloheshin në mënyrë të qartë kërkesat për autonominë teritoriale administrative të Shqipërisë. Karakteri kombëtar i këtij memorandumi hidhte poshtë trillimet e bëra nga qeveria turke dhe propaganda e shteteve fqinje që mohonin qëllimet kombëtare të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje për ruajtien e venomeve. Memorandumi i Gerces i dha fund qëndrimit pritës që kishin mbajtur deri atëhere rrethet patriotike të krahi-nave të tjera dhe bëri që ato të hidheshin në veprim të hapur kundër turqve. Si pasojë, në korrik lëvizja e çetave në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme mori përpjestime të mëdha. Por përpara lëvizjes kombëtare shqiptare qëndronte gjithnjë rreziku që qeveria turke ta trajtonte atë si lëvizje lokale. Për këtë arësye duhej që kërkesat e Greçës të gjenin në krahi-nat e tjera të Shqipërisë një mbështetje të fortë gjë që do ta detyronte qeverinë turke t’i pranonte ato. Komitetet e Shoqërisë së zezë për shpëtim” mendonin se mjeti më i mirë për këtë ishin veprime sulmuese të armatosura kundër garnizoneve dhe administratës turke. Ato vendosën edhe lidhje me repartet shqiptare të redifëve, që ndodheshin në qytete të ndryshme të vendit. Më 17 korrik u vendos të sulmohej Vlora si qendër e rëndësishme bregdetare, prej nga mund të komunikohej lirisht me komitetet e kryengritjes jashtë vendit. Çetat iu afruan qytetit, por sulmi dështoi, për arësye se repartet e redifëve në qytet në çastin vendimtar nuk pranuan të bashkëpunonin me çetat. Sulmi mbi Vlorën duhej të përkrahej nga sulmi mbi qytetet e tjera. Por jo të gjithë krerët e lëvizjes ishin për veprime të armatosura sulmuese.
Qeveria turke kishte filluar të grumbullonte forca të mëdha ushtarake dhe kishte filluar të bënte një agjitacion të gjerë për t’i larguar udhëheqësit e lëkundshëm të lëvizjes nga lufta e armatosur, duke premtuar se do të bënte të forcohej rryma lës qeveria turke duhej detyruar të pranote kërkesat e shqiptarëve jo me luftë të armatosur, por me anë mitingjesh të armatosura. Një vendim të tillë kishte marrë Komiteti i fshehtë i Janinës, i cili kishte dhënë udhëzime të bëheshin më 23 korrik, në përvjetorin e revolucionit xhonturk, miting të armatosura në qytetet e vilajetit në favor të autonomisë së Shqipërisë. Ndërkaq, qeveria turke u kishte bërë kryengritësve në Veri propozimet e veta për marrëveshje, të cilat jo vetëm ishin shumë larg kërkesave për autonomi të shprehura në memorandumin e Greçës, por përfshinin vetëm zonën e kryengritjes në Malësinë e Mbishkodrës. Qeveria turke shpallte amnistinë e përgjithshme dhe pranonte që shërbimi ushtarak të bëhej brenda vilajetit e vetëm një vit në Stamboll, që si krahinarë ose anëtarë këshillash administrative të emëroheshin edhe bajraktarë, që taksat të caktoheshin duke marrë parasysh gjendjen ekono-mike të popullsisë, që të mbaheshin armët, por me lejë të posaçme, që të ndërtoheshin shkolla, rrugë etj. Një pjesë e krerëve të lëvizjes në Jug rrezikun kryesor që vinte nga propozimet turke e shihte jo në faktin që ato nuk e njihnin autonominë e Shqipërisë, por në faktin që ato përfshinin vetëm zonën e kryengritjes në Veri. Për të shmangur një rrezik të tillë, ata organizuan para afatit, më 21 korrik, një miting të armatosur në Manastirin e Cepos (afër Gjirokastrës) me çetat që ishin grumbulluar rreth Gjirokastrës.
Në vendimin e marrë këtu vihej në dukje dëmi që i sillte njësisë kombëtare krijimi i një administrimi të posaçëm për Malësinë dhe kërkohej që Shqipëria të kishte një sistem të vetëm administrimi e që qe-veria otomane, siç thuhej në këtë vendim, të themelonte „një lloj regjimi në veri e në jug të Shqipërisë”, për të siguruar që shqiptarët të mund të jetonin „si element kombëtar”. Propozimet turke nuk u pranuan nga shumica dërmuse e kryengritësve në Veri e në Jug, të cilët kërkonin zbatimin e memorandumit të Greçës dhe garanci ndërkombëtare për ma-rrëveshjen që do të arrihej me turqit. Edhe qeveria engleze kërkoi nga fuqitë e tjera që të ndërhyhej kolektivisht pranë Stambollit në favor të kërkesave të shqiptarëve. Ajo deshi ta shfrytëzonte rastin e memorandumit dërguar asaj nga Greça për t’i shkaktuar Turqisë vështirësi të reja, të cilat do t’i lejonin të ndërhynte më lehtë në punët e saj, në një kohë kur në Turqi po forcoheshin gjithnjë e më shumë pozitat e rivales së saj, Gjermanisë. Por kërkesa e Anglisë nuk u përkrah nga fuqitë e tjera me pretekstin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Turqisë. Malësorët në Veri vazhdonin të qëndronin, ndërsa Shefqet Turgut Pasha detyrohej ta shtynte vazhdimisht afatin për kthi-min e tyre. Mbi malësorët, përveç Turqisë, filloi të ushtronte tani gjithnjë e më shumë presionin e vet edhe Mali i Zi. Tendencat kombëtare të lëvizjes së malësorëve ishin në kundërshtim me planet e mbretit Nikollë. Ai u bashkua me turqit në përpjekjet për ta konsideruar kryengritjen si lëvizje me karakter lokal. Kur më 28 korrik me ndërhyrjen e Rusisë dhe Austro-Hungarisë u arrit marrëveshja midis Turqisë dhe Malit të Zi për t’i dhënë fund konfliktit, qeveria malazeze jo vetëm nuk i ndihmoi më malësorët kryengritës, por me kërcënime, i detyroi ata të pranonin propozimet turke. Qëndresa e malësorëve u thye më në fund nga krerët, të cilët, të detyruar nga gjendja e vështirë që u krijua, në fillim të gushtit pranuan të nënshkruanin marrëveshjen me Turqit, në bazë të propozimeve të Stambollit.
Në këtë kohë autoritetet turke në jug të vendit po merrnin masa të rrepta kundër lëvizjes kombëtare shqiptare. Gjatë korrikut ato arrestuan në Korçë një numër të madh patriotësh. Natën e 29-30 korrikut çetat e udhëhequra nga Qamil Panariti dhe Spiro Bellkameni u rrethuan nga forcat turke në Orman Çiflig (aër Korçës), por pas një mbrojtje heroike, ku lanë gjashtë të vrarë, e çanë rrethimin dhe u larguan. Në krahinat e tjera të Jugut çetat e vazhduan edhe për disa kohë veprimtarinë e tyre në favor të memorandumit të Greçës. Në vendimin e marrë në mbledhjen te ura e Drashovicës (Vlorë) më 31 korrik, vendim i cili iu dorëzua përfaqësuesve të huaj në Vlorë, shprehej solidariteti me malësorët e Veriut dhe aprovoheshin kërkesat e Greçës. Një vendim i tillë u muar edhe në mitingun në Qafën e Sinjës (Berat). Por këto veprime nuk ishin në gjendje ta ndalonin rënien e përgjithshme të lëvizjes. Pasi u nënshkrua marrëveshja në Veri, turqit vendosën t’i jepnin fund me të njëjtën mënyrë edhe lëvizjes në jug të Shqipërisë. Në ditët e para të gushtit qeveria e Stambollit me një thirrje drejtuar popullsisë së vilajetit të Janinës shpallte faljen për ata që ktheheshin në shtëpinë e tyre pa armë dhe premtonte se do të merrte parasysh disa nga kërkesat e shqiptarëve në lidhje me shkollat, alfabetin dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike. Me inisiativën e qeverisë turke më 18 gusht u organizua në Tepelenë mbledhja e përfaqësuesve të parisë shqiptare dhe të krerëve të çetave të vilajetit të Janinës për të shqyrtuar propzimet e qeverisë turke. Në këtë mbledhje morën pjesë si përfaqësues të qeverisë turke shqiptarët Abdyl Ypi dhe Fejzi Alizoti. Kërkesat e patriotëve shqiptarë për të zbatuar memorandumin e Greçës në gjithë Shqipërinë nuk patën rezultat. Por në Jug propozimet e qeverisë turke parashikonin të drejta më të gjera se ato që u premtuan në Veri, siç ishin amnistia e përgjithshme, dhënia e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore, subvencionimi nga shteti i shkollave shqipe, caktimi i nëpunësve që të njihnin gjuhën e doket e vendit, shërbimi ushtarak në vilajetet shqiptare, caktimi i taksave sipas mundësive të popullsisë, mbajtja e armëve, me lejë të posaçme, rihapja e shkollës normale të Elbasanit dhe caktimi i një fondi të posaçëm shtetëror për mbajtjen e saj etj. Me mbledhjen e Tepelenës ra edhe në Jug, ndonëse përkohësisht, lëvizja e armatosur për autonominë e Shqipërisë. Kryengritja e vitit 1911 dështoi pa arritur të kthehej në një kryengritje të përgjithshme. Megjithëse u vendosën lidhje midis Veriut dhe Jugut, në të vërtetë nuk u arrit të krijohej një udhëheqje e vetme e lëvizjes që të kishte autoritetin dhe ndikimin e duhur në të gjithë vendin dhe të ishte në gjendje të drejtonte e të koordinonte veprimet kryengritëse në Shqipëri.
Në krye të forcave kryengritëse pati edhe elementë të lëkundshëm e bejlerë çifligarë të cilët u trembën përpara presionit turk dhe u pajtuan me qeverinë e Stambollit në kundërshtim me dëshirat e patriotëve të thjeshtë, që kishin rrëmbyer armët për çlirimin e Shqipërisë. Përveç kësaj, kryengritja u zhvillua në kushte të vështira ndërkombëtare. Kundër saj mbajtën qëndrim armiqësor si shtetet fqinje ashtu edhe fuqitë e mëdha imperialiste. Në dështimin e kryengritjes ndikoi në mënyrë të veçantë politika e atëhershme armiqësore e Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Por kryengritja e vitit 1911, nga ana tjetër, pati një rëndësi të madhe. Ajo shënonte një hap përpara në organizimin dhe mobilizimin e masave popullore dhe në ngritjen e ndërgjegjes politike të lëvizjes kombëtare. Ajo e detyroi Turqinë të hynte në bisedime me shqiptarët, t’u bënte atyre lëshime të cilat, ndonëse ishin larg autonomisë, shënonin një bazë për kërkesa të reja në të ardhmen.