Prof. Ass. Dr. Thanas GJIKA/
Media në Shqipëri përhapi më 26 nentor lajmin e vdekjes së papritur të Akademikut Jorgo Bulo, mikut dhe mentorit tim të dashur.
U shqetësova shumë mbasi jo vetëm unë humba mikun e mentorin tim, por edhe gjithë bota shqiptare humbi një nga studiuesit më të mirë të fushave filologjike, ku ai punoi për gjysëm shekulli me pasion e dashuri. Ndonëse shteti monist nuk e dërgoi jashtë shtetit për specializim, por ai punoi me këmbëngulje për kualifikimin e tij dhe arriti në nivelet më të larta të mundëshme të asaj kohe. Ai nuk nguroi kurrë të ndihmonte punonjësit e tjerë shkencorë brenda dhe jashtë Institutit për kualifikimin e tyre, për të përmirësuar artikujt shkencorë, disertacionet, etj. Në ato ambjente gati mesjetare të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë punova dhe unë për më shumë se 26 vjet. Mund të them me plot gojën se sukseset që arrita në fushën e shkencës, gradat shkencore që mora në ato vite pune janë refleks edhe i ndihmës së tij të pakursyer.
Studiuesi Bulo do të mbetet i paharrueshëm për veprat e tij cilësore që shkroi e botoi, për ndihmën që na dha ne nxënësve të tij, por edhe për karakterin e durueshëm e tolerant.
Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur bindjet politike të ne shqiptarëve u shfaqën hapur dhe ai e unë u pozicionuam në krahë të kundërt. Ai mbeti me bindje socialiste dhe simpatizant i PS-së, kurse unë u pozicionova si demokrat dhe nisa rrugën e evoluimit politik drejt së djathtës. Mirëpo edhe pse u ndamë për nga bindjet politike, ai asnjëherë nuk më refuzoi kërkesat e mia për ndihmë në fushën e shkencës, jo vetëm deri më 1996, kur vijuam të punonim në po atë Institut, por edhe pasi unë u shpërngula prej ardheut dhe u vendosa në SHBA. Për të tre monografitë e reja që hartova në vitet 2007, 2012, 2014, ai dha vlerësimet e tij me shkrim, të cilët u botuan në kapakët e prapmë të tyre dhe gjatë promovimeve e takimeve shkencore dha gojarisht vlerësime më të zgjeruar.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.
Prof. Ass. Dr. Thanas GJIKA.