Nga Pertefe Leka/Kur Ministri i Arsimit Dr.Prof.Mirash Ivanaj po zbatonte reformën arsimore,.programi bazohej në luftën kundër padijes dhe plogështisë intelektuale,dhe në luftën që pengonte lirinë e mendimit dhe kërkimin shkencor.Kontradikta, që lindi ndërmjet kërkesave pedagogjike dhe aftësive konkrete të kuadrove kërkonte spastrimin e shkollës nga të paaftit dhe të papërkushtuarit duke futur ligjin e kategorizimit përmes testimit. Në Vlorë ka pasur shumë mësues të ardhur nga Shkodra, të përzgjedhur nga ministria e arsimit si mësues me experience te mire për ta bërë shkollën sa me funksionale me programet bashkëkohore.Vlorës nuk i mungonin mësuesit e aftë por reforma arsimore përfshiu të gjitha rrethet e Shqipërisë për të këmbyer metodat më të mira të mësimdhënies.
Edhe para reformës arsimore, një gjurmë të pashlyeshme në Vlorë dhe në historinë e arsimit kombëtar ka lënë mësuesi i nderuar shkodranë Kolë Kamsi, i cili qe një shembull i përkryer për mësuesit e tjerë që erdhën pas tij.Në vitet 1930, në Shkollën Tregtare të Vlorës ishte mësues edhe Ernest Koliqi, të cilin e përmend me krenari,i madhi Petro Marko, si mësuesin e tij të nderuar.
Në një foto të marrun nga fototeka e familjes së Jahja Domnorit,e vitit 1935, paraqitet një grup mësuesish, shumica e tyre janë nga Shkodra. Mbrapa kësaj fotografie janë shkruar emrat e personave, që për kënaqësi të trashëgimtarëve të këtyre familjeve ,pasi është një foto 80-vjecare,janë shënuar këto emra:Nga e djathta në të majtë,dominon familja Beltoja nga Shkodra,dy bashkëshortët Cuku e Zina Beltoja,Neta, vajza e tyre studente ne Tiranë dhe dy djemtë,ngjitur me to është mësuesja Varvara Miho,me skufe të bardhe në kokë dhe Gjena me Jakun.Në qendër të fotos është drejtori i shkollës,Jahja Domnori nga Shkodra ).
Historiku i kësaj fotoje është i thjeshtë:Ky grup mësuesish pasi kanë festuar së bashku ditën e Pashkës katolike,në familjen Beltoja, kanë dalë së bashku me përcjellë për në Tiranë, Neten(vajzën e tyre ), e cila vazhdonte shkollën në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Është një foto mbresëlënëse, personat në fjalë, i përkisnin të tri feve dhe moshave të ndryshme. Vlorës nuk i mungonin pamjet mahnitëse,as institucionet fetare,apo qendra të trashëgimisë kulturore, që të pozonin para tyre,por ato zgjodhën të faleshin përpara Tempullit të Pavarësisë.
Pasi kishin celebruar me shumë mirëkuptim një festë fetare katolike,paçka se disave prej tyre nuk u përkiste ai religjion.kishin dalur së bashku të shoqëronin mësuesen e ardhshme, Neten, e cila së shpejti do te ishte kolegia e tyre.
Ata i bashkoi një ndjenjë e pastër, pa dallim veri a jug, feje apo moshe, ishte dëshira për të transmetuar një mesazh:Të gatshëm për t’i shërbyer Atdheut në çdo skaj..
Në mes të grupit bie në sy mësuesi,Jahja Domnori, i emëruar drejtor i shkollës, në Lagjen Zogu i parë,Vlorë.
Ministri i Aresimit, Prof.Mirash Ivanaj,i kishte bërë thirrje ish studentit të tij,në Gjimnazin e Shkodrës, të shkonte atje pasi kishte larguar disa mësues të padisiplinuar.(jo vlonjatë) Ministri i njihte mirë aftësitë pedagogjike dhe organizative të ish nxënësit tij, kur Ivanaj ishte mësues dhe drejtor i atij gjimnazi.
Nga ditari i mësuesit J.Domnori mësojme se e kishte marrë në dorëzim shkollën, në skelë të Vlorës, me 80 nxënës,E kishte filluar punën vetëm me një mësuese, Varvara Miho,një zonjë shumë e nderuar. Shkolla kishte shumë nevoja, por mbi të gjitha duhet të përfshiheshin edhe femijët e portit që nuk kishin frekuentuar asnjëherë në shkollë.
Me një punë këmbëngulëse,drejtori i emëuar, arriti të regjistrojë shumë nxënës që punonin ose endeshin në port.Ai arriti ta trefishojë numrin e nxënësve.
Duke pasë një kontigjent nxënësish të vështirë,drejtori i kërkonte vazhdimisht Ministrit t’i dërgonte mësues,”dorë e fortë”,veçanërisht burra, por ministri kishte besim te kuadrot që kishte emëruar atje,prandaj i shkruante- po të dërgoj mësuese të afta- .
Kështu u rrit personeli mësimor me mësueset,Razije Kallulli (Nëna e Adriatik Kallullit),Ifet Asllani(vajza e Ali Asllanit), Hava Xhaferi,të cilat punuan me përkushtim dhe krijuan me drejtorin e shkollës një kolektiv shumë kompakt dhe serioz.
Në mes të kolektivit përmendet edhe Kadriu nga Dukati i cili bënte punën e higjenistit në shkollë.
Drejtori i shkollës shkruan për te se ai na ndihmonte në kontrollin e pastërtisë se çdo nxënësi, para se të futeshin në mësim.
Për këte,drejtori, kishte blerë peshqire,sapun dhe një fuçi të cilën Kadriu e mbante me ujë të ngrohtë, per t’u larë kokat e nxënësve që vinin të papastër.Ndërsa,për nxënësit që kishin nevojë më shumë kishte blerë makinë qethëse të cilën e bënte vetë drejtori dhe pastaj e mësoi edhe Kadriu.
Ai e bënte punën me shumë përkushtim dhe ishte bërë pjesë e pandarë e trupit mësimor. Drejtori i shkollës shkruante me shumë respekt për Kadriun sa nuk e dallonte nga mësueset e tjera. Mirëkuptimi në kolektiv,me mësuese të përgatitura dhe organizimi me një disiplinë shembullore bëri që shkolla të dali shumë shpejt nga prapambetja.
Për t’i angazhuar nxënësit me punë,drejtori, kishte,krijuar kopshtin e shkollës ku fëmijët praktikonin,mësimet e tyre.po ashtu edhe një biblotekë modeste. Botimet e metodistit,Kolë Kamsi, “Mësime përmbi natyrën”dhe “Lulet e mendimit”(1919),ishin present në përgatitjen e mësuesve,për të ofruar dijet nxënësve me natyrën.
Në ditarin e drejtorit theksohet se në shkollë kishte shumë femijë të familjeve ebrej.Ata sapo mbaronin mësimin shkonin në pikat e shitjes, ku i kishin caktuar prindërit.Një praktikë që i stimulonte fëmijët e tyre akoma më shumë për mësim dhe fitim,që t’i dinin më mirë vlerat e shkollës e për ta përballuar me shpenzimet e tyre.
Interesante ishte ,njohja e drejtorit të shkollës me Kryetarin e Bashkisë, Z.Ali Asllani.Për ate flet me një konsideratë të admirueshme,jo vetem në sjelljen e tij prej diplomati,por edhe në sjelljen e tij,si njeri i thjeshtë i punës,organizator që kontrollonte në terren detyrat e ngarkuara prej tij,si Kryetar Bashkie.
Një ditë, Kryetari i Bashkisë,Z.Ali, po shkonte të verifikonte,një punë që ua kishte ngarkuar punonjësve të tij. Kur po kthehesh, afër shkollës dëgjoi shumë fëmijë, që flisnin me një dialekt tjetër.U ndal të takonte drejtorin e shkollës të cilin e vlerësonte shumë për punën cilësore që kishte bërë në ate shkollë.Në bisedë e sipër e plot humor i tha:- Z.Jaho të përgëzoj për të gjitha punët e mira, por si është e mundur që fëmijët flasin në dialektin tuaj.-
Drejtori në bisedë e sipër i ishte pergjegjur.-Në kopshtore është mësuese Zina Beltoja,ajo flet një shkodranishte të pastër, ndërsa unë jam lidhur shumë me femijët e portit për t’i tërhequr sa më shumë pas shkollës,kështu që fëmijët së bashku me mësimet kanë pëlqyer edhe dialektin e Shkodrës, janë fëmijë shqiptarësh,Zoti Ali,kjo tregon se dialektet kapërcehen lehtë.
Drejtori në vazhdim të bisedës i kishte thënë: edhe ju, Zoti Ali, e keni pëlqyer shumë, kur unë shqiptoj në dialektin tim, Vlona për Vlora sepse, siç jeni shprehur ju,në Vlonë, vlon shpirti i vlonjatit. Dhe plot dashamirësi, Drejtori i kishte thënë: edhe unë Z.Ali,ta kam mësuar përmendsh “Hanko Hallen” në toskërishten tuaj të bukur.Kështu e gjithë biseda kishte kaluar me humor pozitv.
Drejtori,J.Domnori komunikonte shumë mirë me Kryetarin e Bashkisë jo vetem për probleme pune por edhe në diskutime të ndryshme për kulturen botërore.Te dy njihnin gjuhët orientale,dhe shpesh ndaleshin në poetët Persianë, Saadi e Rumi,Kajami,Avicena por edhe në kulturën përendimore. Të dy e kishin për zemër Gëten. Drejtori shkruante: “Z.Ali Asllani si në bisedë edhe në poezi kishte një humor të hollë,çfarë kishte në shpirt ja pasqyronte shprehja e fytyrës,të cilën e përcillte me një buzëqeshje të ëmbël.Por kur shpërthente në poezitë e tij kundër padrejtësive ishte i rreptë dhe shpesh më kujtonte Fishten tonë të shtrenjtë”
Si në zyrë ashtu e dhe në shtëpi kishte një sjellje dhe një etikë që rrallë mund ta gjeje te intelektualët e kohës. Kur Z.Ali bashkë me Zonjën e tij, më ftonin në shtëpi, më bënin një pritje shumë të ngrohtë dhe të kulturuar.
Ishte interesante se në marrëdheniet me njerëzit ishte shumë i thjeshtë, por kur i shkonin ne zyrë i donte njerëzit me një paraqitje dinjitoze dhe me një veshje të rregullt sepse siç thoshte vetë, respektojnë institucionin”
Inisiativen e drejtorit, për të hapur kurset kundër analfabetizmit për vajza dhe gra Kryetari i Bashkisë e përshendeti me entuziazëm. Ishte shumë përparimtar,shumë modern, emancipimin e gruas shqiptare e shihte me përparësi.,dhe këte e kishte shumë të qartë se këte zhvillim mund ta bënte vetem shkolla.
Në afishen e shpallur në shkollë shkruar në dialektin verior nga drejtori i shkollës shkruhej:
”Zoja e zojusha – Çdo punë para se m’ba duhet me ditë se si bahet, për me ditë asht nevoja që të mësohet .Prandaj çdo nanë apo vajzë e rritshme do të mundohet të mësojë sa të jetë e mundur.Pra, për me zhdukë analfabetizmin e kësaj lagje ç’me sod asht cilë nji kurs për femna .Për këtë punë janë ngarkue dy mësueset: Zoja Hafa Xhafa e Zojusha Ifet Asllani ,për të mësue çupat e rritshme e grat që s’kanë pasë fatin me mësue në shkollë.Prandaj ata që dishrojnë le të merren vesht me to e t’urdhnojnë ditën e enjte pas drake. Me kaq ju falnderojmë nga zemra me gjithë personelin t’im,që keni pasë mirësin me urdhnue.”(Jahja Domnori 1935)
Mbështetja që na dha Z.Ali, për ndryshimet progresive në edukimin arsimor,ishte ndihma me e madhe që i bëhej shkollës sonë.Ishte fat i madh për mua,që nepërmjet Z.Ali dhe Kadriut nga Dukati njoha Labin bujar,trim e patriot.(shkruan Jahja Domnori)
Kështu, reforma arsimore,bëri një mobilizim të përgjithshem duke i korrur shpejt frytet e punës.Nuk ishte thjeshtë një dukuri e re për arsimin por ishte një thirrje për të punuar se bashku,në çdo skaj të vendit aty ku ishte e nevojshme; pa dallim krahine, feje, e ideje ne dobi të popullit dhe të Atdheut.Ky ishte orientimi i Ministrit të Arsimi, M.Ivanaj për Shkollën e Shtetit ose shkollën e lirë të cilën e shikonte si shkollë të Atdheut. “Shkollë të mendimit të lirë e të përparimit.Shkollën për djelmërinë e tri besimeve,për të forcue ate bashkim që vetë zoti na e ka dhanë me nje gjak,me nje gjuhë ,me nje interes,megjithëse me tre besime të ndryshme.”