Nga Behlul Jashari/. -Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, tha sot në Prishinë se “bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë, që ka hyrë në një dinamikë të re, ndihmon perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor”.
I pyetur nga ATSH-ja se, sa bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë, që ka hyrë në një dinamikë të re, e shpejton rrugën e Tiranës dhe Prishtinës drejt integrimit në BE, Meta tha se “ky bashkëpunim jo vetëm ndihmon Shqipërinë dhe Kosovën, respektivisht për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por ndihmon perspektivën e antarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.
Kryeparlamentari shqiptar, Meta theksoi se “është e rëndësishme për te gjithë vendet evropiane, për të kuptuar se vetëm anëtarësimi i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të garantojë një stabilitet dhe siguri afatgjatë jo vetëm për vendet tona, por edhe për vetë Bashkimin Evropian”.
“Kjo është mjaft e rëndësishme për t’u kuptuar akoma më shumë nga Bashkimi Evropian dhe unë besoj se do të kuptohet çdo ditë e më shumë”, deklaroi Meta, i pyetur nga ATSH, pas takimit me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, mbërriti mbrëmë në Kosovë për një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, me ftesë të kryeparlamentarit kosovar Jakup Krasniqi, me të cilin nisi sot takimet e shumta me krerë institucionalë të vendit dhe me kryetarë të partive në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, u prit në takim shumë të ngrohtë edhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa po vazhdon takime të tjera.
Kryeparlamentarin shqiptar Meta, e shoqërojnë deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Shpëtim Idrizi, Gramoz Ruçi dhe Luan Rama , ndërkohë që vazhdon vizita sipas një axhende të ngjeshur.