(Melsen Kafilaj –Studiues)/
Ballkani, siç e emërtoi në vitin 1808 gjeografi gjerman, August Zeune apo siç duhet të quhet realisht Rajoni i Evropës Juglindore është një Rajon i cili ndryshe nga rajonet e tjera të Evropës krahas të tjerash ka edhe një karakteristikë tejet specifike: shquhet për mitomani dhe mitofili.Aq i vërtetë është ky konstatim saqë shpesh vihet re edhe fenomeni i “përvetësimit të figurave historike të njëri-tjetrit”, ndodhin sherre banale virtuale mes anëtarëve të kombeve të Rajonit në fjalë apo madje edhe ngërçe diplomatike shtetërore të përmasave ndërkombëtare. Mitet, këto ëndërra publike të transmetuara nga njëra gjeneratë në tjetrën dhe të deklamuara me një pathos Dionisiak, rrotullohen në këtë Rajon rreth një ndjenje të vetme: asaj të Madhështisë.Si karburant për këtë mitomani mund të shërbej lashtësia dhe etnogjeneza, fisnikëria e gjakut, aftësia qytetërimore, feja, historia (e cila shpesh është më tepër narrativë mitike sesa histori), nxjerrja e figurave të mëdha me impakt botëror prej etnive respektive e kështu me radhë. Përjashtim në këtë drejtim nuk bëjmë as Ne Shqiptarët.
Por ç’është Mitomania?! Mitomania, nëse i referohemi njërit prej përkufizimeve të Fjalorit Psikologjik të Shoqërisë Amerikane të Psikologjisë (APA) “është një interes jonormal për Mitet, tek të cilat Individi mund ta besoj dhe marr fantazinë për realitet dhe një tendencë e theksuar për të fabrikuar histori të pabesueshme” (Vandenbos, 2015:684).Mitofilia, nga ana tjetër është dashuria për këto mite, një devocion ky në Ballkan edhe më i madh se ai i treguar ndaj Zotit dhe Shenjtëve.Duke qënë të tillë, nuk është e rastësishme që fake news në këtë Rajon të jenë të shpeshta.Mitomania në Shqipëri ka forma të ndryshme por një prej formave më klasike është “tendenca për të bërë çdo personalitet të madh botëror me gjak shqiptar”.Këtë “eksportim të madhështisë së gjakut shqiptar” imagjinata jonë mitiko-poetike e ka çuar shumë larg. Aq larg saqë personalitete të jetës politike, kulturore a shkencore botërore si George Washington, Napoleon Bonaparte, Nicola Tesla apo së fundmi edhe presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan të jenë të gjithë “me gjak shqiptar”.Ler ti marrim me radhë dhe trajtojmë këto 5 fake news bombastike të përhapura në masë në Media apo Rrjetet Sociale të cilat çdo shqiptar i mirë, i thjeshtë dhe fisnik me të vërtetë i beson.
- George Washington ishte me gjak shqiptar nga ana e Nënës
Sipas mitit në fjalë Mary Ball Washington, nëna e “Atit Themelues të Shteteve të Bashkuara” George Washington e kishte emrin Marije Bala dhe ishte me origjinë nga Peja.Në të vërtetë, nëse i referohemi informacionit të marrë prej Librarisë Presidenciale George Washington në Mount Vernon dhe biografit të Washingtonit, John H. Rhodehamel, Mary Ball ka lindur në vitin 1707 në Epping Forest, Virginia nga bashkimi i Joseph Ball dhe Mary Johnson (p.13). Gjithashtu është fakt, se duke nisur me biografin e parë të George Washingtonit, Mason Weems dhe duke u konsultuar me atë më të fundit, Ron Chernow nuk gjen “asgjë shqiptare” në lidhje me pemën gjeneaologjike të Heroit Amerikan.Gjithë të tjerat janë trille fantastike të cilat Arsyeja dhe Logjika e shëndoshë nuk mundet kurrësesi që ti pranojnë.
- Napoleon Bonaparte kishte gjak shekullor shqiptar në venat e tij
Nëse në Antikitet thurësit e miteve kanë qënë më së shumti priftërinjtë dhe poetët, në ditët tona stafetën e kanë marr padyshim historianët entuziastë, publicistët pasionantë dhe profesorët.Eshtë interesante të vëresh që mitin e një Napoleoni me gjak shekullor shqiptar e kanë fabrikuar dhe hedhur për qarkullim publik nw Shqipwri pikërisht këta të fundit.Disa shkojnë aq larg saqë e çojnë këtë origjinë në Ilirinë e Jugut gjatë Periudhës Romake, të tjerë orvaten ta shpjegojnë këtë prejardhje përmes një morie emrash fisesh a familjesh fisnike të përmëndura dhe ndërlidhjesh që vetëm fantazia e tyre pegasiane mund ti arrij, ndërsa ca të tjerë megjithëse i mëshojnë hipotezës së një origjine të tillë arvanitase të Perandorit, tregohen më diplomatë duke theksuar se “prejardhja e Napoleonit ka mbetur një enigmë”.Studiues seriozë si André Castelot (Napoleon, 1968), Jacques Godechot (Napoleon, 1969) dhe së fundmi Andrew Roberts (Napoleon the Great, 2014- fituese e Çmimit të Madh të Fondacionit Napoleon) e përjashtojnë katërcipërisht këtë hipotezë, duke theksuar që Familja “Buona Parte” ishin pronarë të mëdhenj tokash me origjinë nga Firenze (Ky mbiemër figuron në regjistrin e këtij Qyteti që prej vitit 1261) teksa një prej pinjollëve të kësaj familjeje, Francesco Buonaparte qe i pari që emigroi për në Korsikë në vitin 1529..Ipse facto, vendlindja e Napoleonit është Ajaccio, Korsikë ndërsa prejardhja e tyre është Italiane.
- Nikola Tesla ishte me gjak shqiptar nga ana e Babait
Tesla, një prej Gjenive më të mëdhenj të Shek. XX dhe “master-brain” i një sërë shpikjesh civile-ushtarake të aplikuara në kohën tonë, sipas mitit më të fundit ishte me gjak shqiptar nga ana e Babait (një mitolog tjetër thotë nga Nëna, Georgina Gjuka).Sipas rrëfenjës në fjalë, familja e Teslës ishte nga Sanxhaku ndërsa babai i tij, Milutini (Shqiptar me emër të tillë vetëm Mitologu e gjen) ishte shqiptar orthodox, i cili shërbeu si prift dhe që më vonë u largua në drejtim të Kroacisë, ahera pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze.Por a ka ndonjë dokument në të cilin mund ta bazoj pohimin e vet, këtë mitologu nuk mund ta thotë. Kjo për faktin e thjeshtë se miti ndryshe nga historia bazohet tek fantazia dhe imagjinata dhe jo tek kultura e dokumentacionit.Mitologu vazhdon duke insistuar që emri i Teslës, Nikola është tipik shqiptar, dmth Nikolla.E vërteta historike është që Tesla e mori emrin e vet prej gjyshit nga ana e nënës, Nikola Mandić (gjithashtu prift orthodox në fshatin e tij).Një fakt tjetër historik është se teksa ishte student në Graz të Austrisë Tesla ishte edhe Kryetar i Shoqatës së Studentëve Serbë.Gjithashtu ai u nderua me një sërë urdhërash të lartë prej Serbisë, ku më i herëshmi është Urdhëri Mbretëror i Shën Savës, dhënë në vitin 1892.Për rrjedhojë, të pranosh një Tesla me gjak shqiptar është po aq absurd sa pretendimi i një Skënderbeu me gjak sërb.
- Rexhep Tayip Erdogan është me gjak të hershëm shqiptar
Mitomanët në Shqipëri janë gjithëfarësojësh por më përfaqësuesit janë; 1) Mitomanët e Alien-Illyrit, 2) të Kryqit, 3) të Hënës dhe 4) ata Kozmikë.Secili prej grupeve të përmëndura ka kanalin e tij komunikues ku shpërndan opinionet, besojmat dhe mitet e veta.Kështu psh, në njërin prej këtyre kazanëve mediatikë jepet dhe shpërndahet me bujë lajmi bombastik se Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan është me gjak të hershëm shqiptar nga Kraja e Malit të Zi.Mitologu e merr “ad literam” frazën e lëshuar prej tij “Jam rritur nga nënë shqiptare” gjatë takimit me Presidentin Nishani në vitin 2016, e shkëput nga konteksti, i jep krahë të lirë fantazisë dhe del në konkluzionin e dëshiruar paraprak.Sipas logjikës së tij simpliste, meqë Erdogan ka lindur në Güneysu (Rize) dhe Güneysu (Rize) banohej nga shqiptarët, ahera edhe Erdogan është shqiptar. Ndërsa Erdogan e pretendon prejardhjen e rrënjëve të tij familjare prej Batumit të Gjeorgjisë (deklaratë e vitit 2013) në vitin 2014, siç shprehet gazetari turk dhe eksperti i Lindjes së Mesme, Cengiz Çandar ai e mohon këtë fakt.Por çfarë thonë studiuesit për këtë gjë?! Politologu i Universitetit të Utah, Mehmet Hakan Yavuz në librin e tij “Secularism and Muslim Democracy in Turkey”(2009) shprehet se vendlindja e tij është Qyteza e lartpërmëndur (p.123). Të njëjtin qëndrim mban edhe biografi i tij “zyrtar” Mehmet Karahan i cili në broshurën e tij apoteozoike “President Erdogan’s Biography” (2019) shkruan: “Vendlindja- Qyteti i Rizes”.Por asnjëri prej tyre nuk flet për “përkatësinë shqiptare” të Presidentit në fjalë.Mitomanëve tanë që bëjnë çmos që ta “shqiptarizojnë” Idhullin e tyre turk dhe ta duan po aq sa Allahun, i këshilloj dashamirësisht që të falen dhe bëjnë sadaka sepse sipas “Umm al-Kitāb” janë në gjynah.
Si përfundim, mund të themi se pavarsisht këtyre 4 fake news spektakolar, nga gjaku shqiptar kanë dalë me të vërtetë një sërë personalitetesh dhe figurash të mëdha (shenjtë, muratorë, muzikantë, arkitektë, piktorë, gjeneralë, dukë, papë, perandorë, sadrazëmë, pashallarë, etj) të cilat as Vulgu dhe as Paria nuk kanë dëshirë dhe as interes që ti di.Me studiuesin e ndjerë Moikom Zeqo dhe disa studiues të tjerë në vitin 2019 i propozuam “ekspertëve” të Ministrisë së Kulturës për bërjen të mundur të një botimi të tillë por mesa duket qe një kërkesë “e rënë në vesh të shurdhët”.Shqiptarët nuk kanë nevojë për të përvetësuar dhe shqiptarizuar personalitetet e mëdha e të gjithë botës për të treguar sesa të mëdhenj që janë.Nëse do të njihnin ca më mirë historinë e tyre, do ta kuptonin që kjo Shqiptaromani histerike, me fake news kronik është e panevojshme dhe figurat që kanë do të ishin mëse të mjaftueshme për ti bërë krenar si komb dhe për ta mbajtur kokën lart.
© Melsen L. Kafilaj