*Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë/
*Prof. Dr. Nusret PLLANA, Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884-1999, botimi i gjashtë i plotësuar, Arkivi Shetëror i Kosovës, 2015/
Nga Prof.dr.Don Lush GJERGJI/
Përgëzoj Autorin Prof. Dr. Nusret Pllaën dhe Arkivin Shtetëror të Kosovës, si dhe bashkëpunëtorët recensentë dhe përkthyesit për punën e madhe dhe meritore të kësaj monografie, e cila dëshmon tmerrin dhe ferrin që kemi pësuar dhe mbijetuar me dekada dhe shekuj. Kjo, në një anë paraqet, dokumenton dhe dëshmon fuqinë e së keqes, frytet e urrjtejes, punë dhe dëshirën për asgjësim dhe shkatëriim të një populli që ka një “faj” të madh dhe të pafalshëm: “Jemi gjallë dhe jemi Shqiptarë”, prandaj duhet t’na asgjësojnë me çdo mjet, mënyrë dhe kohë.
Ana tjetër është “mrekullia e mbijetesës sonë”, e cila s’ka shpjegim tjetër përpos këtij: Zoti nuk e deshi zhdukjen tonë, populli qëndronte, pësonte, vuante, vdiste, masakrohej, por ishte i motivuar dhe me plotë vullnet për jetë, atdhedashuri, vëllazëri gjithëshqiptare. Pra, ndihma e Zotit, aty – këtu edhe e popujve miq, vëllazëria jonë ishte më e madhe dhe vendimtare për mbijetesën tonë.
Në këto dy “binarë” apo peshojë duhet ta masim këtë libër – testament, që na mundëson dhe dhuron Prof. Dr. Nuser Pllana, si qortim dhe klithje e së kaluares, si përcaktim që ne kurrë dhe me askënd mos të sillemi keq, si “Terrori i Sebisë Pushtuese..”, por ta përkujtojmë, nderojmë dhe çmojmë këtë histori dhe martirizim që është mbjellë dhe shkruar me shumë lotë, djersë dhe gjak, për ne dhe brezet pas nesh.
Kjo tokë e bekuar arbërore, në gjiun e saj ruan lashtësinë, autoktoninë, martirizimin, flijimin, dhurimin, atdhedashurinë, martirët e lashtë dhe të afërt, nga Shën Flori dhe Lauri dardan, nga Ulpiana historike, deri te martirët anonim dhe pa varr të fëmijëve, grave, pleqve, plakave, luftëtarëve për Liri dhe Pavarësi, në krye me Adem Jashin dhe shumë të tjerë, për Paqe dhe Pajtim, për bashkëjetesë dhe përparim njerëzor, kombëtar dhe gjithënjerëzor.
Për mua ishte dhe është vështirë shikimi i këtyre pamjeve rrënqethëse dhe tronditëse, leximi dhe meditimi i këtyre fakteve, e jo më përjetimi, përkujtimi, gjallërimi i tyre në mendjen dhe zemrën tonë. Ky kujtim na përndjek dhe shtron këso pyetje dhe qortime: Ne bëmë gjithça për ju, për mbijetesën tonë dhe tuajen, deri te asgjësimi, dëbimi, dhunimi, masakrimi, deri edhe tretja e gjurmëve tona, eshtrave tanë, pa varre, emra, shënime, vizitorë… E ju, a i dini dhe përkujtoni së paku këto ngjarje, apo na keni harruar dhe përjashtuar? Kjo do të ishte vrasja jonë e dytë, nga ju, pasardhësit tanë, më e rëndë se e para!
Shi për këtë urtia jonë popullore thotë: “Mos na nemshin të parët dhe varret tona”, sot po i them unë vetvetes dhe juve, populli ynë shqiptar!
Gjatë këtij promovimi, thënë të vërtetën, jam i hutuar dhe i shqetësuar shumë, sidomos për mospërfilljen tonë të jetës dhe flijimeve të tyre, për mungesën e njohurive, moskujdesin, harresën, deri te injorimi i gjithë këtyre ngjarjeve dhe personave, duke u nisur prej fëmijëve të vegjël, të pambrojtur dhe të pafajshëm, deri te gratë, pleqtë, plakat tona, mos të flasim për luftëtarët tanë në krye me legjendën Adem Jashari dhe flijimtarëve tjerë në stilin e tij.
Në kokën dhe ne zemrën time “bluajnë dhe vlojnë” disa mendime dhe përjetime, shqyrtime dhe përsiatje të pashmangshme.
• Populli thotë: “I meçmi shkruan, i marri mban në mend”, që për ne mund të thuhet jo vetëm për të kaluaren tonë, por edhe për të tashmen e afërt dhe bashkëkohore.
• “Pa histori nuk ka as ardhmëri”, sepse ka ndodhur vetëm ajo që është shënuar, siç tha dikush në stilin cinik dhe ironik, apo si thotë fjala e urtë latine: “Verba volant. scripta manent” që domethënë: “Fjalët fluturojnë, shkrimet qëndrojnë”.
• Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë, sepse i shkel dhe poshtërson flijimet e të parëve, prandaj, në një mënyrë mund të themi se është “kriminel” dhe “bashkëkriminel” me ata që na kanë vrarë, dhunuar, djegur dhe përjashtuar, janë munduar të na shfarosin nga faqja e dheut, deri edhe na i kanë tretur varret, eshtrat, gjurmët në trojet tona iliro-arbërore. Mungesa e njohjeve sa më të sakta të këtyre ngjarjeve, është po ashtu edhe mungesë e nderimit dhe falënderimit ndaj të parëve tanë martirë, ndaj së kaluares tonë të përgjakshme dhe të lavdishme, ndaj djepit dhe rrënjëve tona të lashta burimore arbërore, martire, pa të cilat s’ka të tashme dhe të ardhme.
• Prof. Dr. Nusret Pllana është munduar që ta “mbulojë” disi këtë zbrazëti dhe mangësi jetësore, duke bërë atë që është detyrë e institucioneve tona shtetërore dhe kulturore. Mos të harrojmë se mungesa e nderimit dhe falënderimit ndaj vuajtjes, flijimit, dhurimit, gjakut të të parëve , është “vetëvrasje shpirtërore dhe morale” e një populli, siç po ndodhë shpesh me ne sot dhe këtu, të robëruar dhe kufizuar, mos të them të vërbuar, pa pamje historike, perspektivë dhe ardhmëri.
• Përfundimi im dhe ynë do të ishte ky, si një lloj betimi dhe përcaktimi jetësor: “Mos u harroftë dhe mos u përsëritë kurrë më ndër ne dhe askund në botë!”
Ky vëllim “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884 – 1999”, botimi i gjashtë i plotësuar, është një faktologji e pamohueshme, me fjalë, me të dhëna, me emra, mbi të gjitha me fotografi rrënqethëse dhe tmerruese, që doemos prekin mendjen, trondisin zemrën, mjegullojnë arsyen dhe shtrojnë shumë pyetje pa ndonjë përgjigje. E vetmja përgjigje për ne është kjo: kush udhëhiqet nga e keqja, jeton vetëm për të bërë keq, tejkalon çdo kufi dhe shndërrohet në çmenduri dhe fatkeqësi për ne dhe për të tjerët. Dhe e keqja, sado që duket e fortë dhe, sunduese, është gjithmonë më e dobtë se e mira, e drejta, e vërteta, jeta dhe dashuria. Shi për këtë ne jemi të përcaktuar për vlera dhe virtyte dhe në asnjë mënyrë nuk e pranojmë logjikën dhe sfidat për të keqe, urrejtje, hakmarrje. Mos-harresa dhe kujtimi është parakusht për pastrimin e memorjes historike dhe aktuale.
Prishtinë, 23 dhjetor 3015 Prof.dr.Don Lush GJERGJI