Nga Gani Qarri/Nuk është traditë e njerëzve të këtij vendi kjo, askush nuk jep dorëheqje kaq lehtë në këtë shtet…edhe ata që mbajnë mbi supe nga disa dënime,nuk dorëzojnë pushtetin me të parën as vullnetarisht deri në vendimin përfundmitar dhe burgosje. Pse pra u dashka vetëm Ramadan Muja të jap dorëheqje, çfarë bëri ai më tepër se të tjerët që ta dorëzoj qysh në goditjen e parë,postin e fituar me votën e lirë të qytetarëve. Cili funksionar shtetëror apo komunal, veproj deri më tani në këtë mënyrë. Se mos dha dorëheqje Bujar Bukoshi nga pozitat e tij ministrore… Edhe Muja i bjeshkëve tona, si shumë të fuqishëm të tjerë deri më tani, ndoshta edhe për shumë kohë mbetet vetëm i dyshuar, pas parashtrimit të ankesës që planifikon mbrojtja e tij….Kjo tanimë është bërë traditë gjyqësore për shumë raste në Kosovë…
Madje, si ka mundësi që të gjithë bashkëpartiakët e Mujës të ngarkuar me nga dy e tri vepra penale, të dënohen poashtu me vetëm nga dy-tre vjet burgim, apo kohëzgjatje pothuajse të njëjtë sa edhe ajo e Ramadan Mujës me vetëm një precedencë të supozuar. Sikur nuk e di njerëzimi se homologët e tij, bënë vepra shumë më të rënda. Bajrush Xhemajli me kolegët e dehur i mori jetën në lulen e rinisë një djalosh 19 vjeçar, dhe me gjithë dënimin tragji-komik, prej vetëm dy vjet e gjysmë,ai për më tepër se dy vjet pas vendimit të parë, jo vetëm që nuk shkoi asnjëherë në burg por tanimë i erdhi edhe “bakshishi” i radhës nga gjykata, duke zbritur dënimin “kapital” nga 2 vjet e gjysmë në vetëm dy vjet.Kjo është forca ,ky është pushteti,ndaj me sa mend në kokë duhet të jenë ata “misionar” të vetmuar që mund të dorëzojnë aq lehtë pozitën dhe funksionin me të cilin shalojnë ligjin e pjerrin edhe mbi shtetin duke shpëtuar veten nga gjithçka…
Njerëzit pyesin me habi,çfarë nënkupton vendimi i fundit. Asgjë, apo ndoshta edhe një udhëtim më tepër jashtë, i njëjtë me atë të homologut Zharku.
Edhe Bajrushit tashmë mund ti jetë prerë bileta dhe përgatitur valixhet për ikje nga vendi, në mënyrë që të mos e vuaj as dënimin e zbritur.
Xhabir Zharku, tash e sa kohë,kalon vitet i lirë dhe i pa cenuar në Suedi?!
Madje ai, jo për një, por për disa vepra penale ishte dënuar me vetëm dy-tre vjet burgim, të cilat as ato nuk i mbajti kurrë. Përkundrazi, i veshur me kostum të shtrenjtë dhe kravatë të zgjedhur si njeriu “më i pafaj” i pikur nga qielli i paqësor në tokën tonë të varfër, kaloi i lirë përmes dyerve të hapura të Aeroportit “turko-kosovar” me lejen e Hashimit dhe bekimin e Erdoganit, pa therrë në këmbë për në Suedi ku sot bën kokrrën e sefasë.
Ndoshta edhe nga atje ai tani ndjen sesi vendlindjen e thërret që të vij e ta vuaj dënimin, ndaj edhe heq mërzitë restoranteve të huaja,për lehtësimin e dhembjeve të atdheut me “serenata” patriotike mbrëmjeve të veçanta muzikore,organizuar enkas për te dhe sponsorizuar nga buxheti i Kosovës,me pagën që sigurisht ende merr, njëjtë si ish ambasadori ynë në Shqipëri.
“Mirë” të gjithë, po Sylejman Selimit, ç`ju desh të vinte në Kosovë, apo nuk e dinte ai se çfarë e priste këtu?!
Të paktën,luftëtari i orëve të para, duhej të mësonte nga veprimet e varësit të tij, Xhabirit i cili edhe me grada ishte më i vogël se Komandanti, apo ndoshta Gjeneralin e “lidhën” shokët me tradhti.
Sidoqoftë, para se të vazhdojmë me “arsyetimin” e Ramadan Mujës,kujtojmë se edhe për Sami Lushtakun sikur është kërkuar ndalimi i ushtrimit të “funksionit”.
Megjithatë, sipas shtypit vendor, ai jo vetëm se nuk e la pozitën e “fituar” me ” aq djers e mund” dhe 96 % të votave të “merituara”, por së pari atij i`u mundësua që edhe nga “azili” ku ishte dërguar për precedencë penale të kthehej për pak kohë në objektet e komunës dhe “betohej me tërë qenien, për korrektësi para ligjit”, mënyrë e “drejtë” kjo të cilën më vonë kërkoi ta shfrytëzonte edhe Oliver Ivanoviqi të cilin tanimë EULEX-i, e ktheu në Mitrovicë ti vazhdoj atje pushimet me flladitje kondicionale nëse nuk është liruar krejt.
Sidoqoftë,ajo që është më kryesore, “heroi i popullit” vazhdoi të mbetet kryetar i “nderuar” komune- në Skënderaj, lartmadhëria e të cilit përveç benificioneve tjera, sa herë i ng…. ups nevojitet atij, shfrytëzon edhe “dramafilin” e kryetarit, për të shkuar “urgjent” në Spital.
E po pse u dashka tani të jap dorëheqje vetëm Ramadan Muja pra, i cili për krahasim me të tjerët u dënua vetëm me kusht, padrejtësisht dhe për asgjë, madje po aq “rëndë” sa edhe homologët nga partia, me shumë precedenca penale.
Për aq më keq,kryetari i Prizrenit, gati se u dënua kot dhe siç thotë populli vetëm për një “kerr kashtë” të cilën siç dëshmohet edhe nga gjykimi, nuk e hëngri të gjithën vet, por më tepër i`a hëngrën shokët e këqij e të pa hajr, ata që e morën në qafë edhe Mujën plak.
Dorën në Zemër, ai si kryetar i Prizrenit mjaft ka punuar, bile më tepër se shumë udhëheqës tjerë komunal anë e mbanë Kosovës. Me këto që po them mund të bindet secili, sidomos banorët e trevës sonë, për çka do të bëjë vetëm një krahasim të thjeshtë.
Për shembull, jo vetëm vendlindja ime Demjani që kufizohet me fshatrat e komunës së Prizrenit, por edhe në të gjitha fshatrat hasjane që shtrihen në hartën komunale të Gjakovës, prapambetja në infrastrukturë vërehet kudo, bile që nga paslufta, përveç asfaltimi të rrugës kryesore, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë.
Për dallim nga fshati parë fqinj (pjesë e komunës së Prizrenit) Kushnini, i cili njëjtë si të gjitha fshatrat tjera të kësaj komune, vetëm gjatë udhëheqjes së Ramadan Mujës, ka të rregulluar të gjithë infrastrukturën rrugore, kanalizimet përfshi edhe shtrimin e rrugicave me pllaka deri para dyerve të çdo institucioni dhe shtëpie banimi.
Pra, edhe nëse kryetari i dënuar detyrohet në këtë hap të vështirë dhe mëse të padëshiruar për te, ai para se të jap dorëheqje duhet që së pari të kërkoj me këmbëngulje shkarkimin e plotë ose të paktën ndalim kandidimin e batakgjiut Eqrem Kryeziu nga LDK, për postin e kryetarit,i cili poashtu pritet të dal para gjyqit për keqpërdorime.
Muja këtë duhet ta vej si kushtin kryesor për dorëheqje, ngase po ndodhi rastësisht,që mu meselexhiu Eqrem të vij si kryetar, mund ta degradoj gjithë punën dhe arritjet e deritashme në komunën e Prizrenit.
Pa u zgjatur shumë në fjalë, duhet theksuar fort dhe me zë, se shumica e fshatrave hasjane nën administrimin komunal të Gjakovës, përveç ekonomive private, kanë ngelur si mos më keq, derisa në pjesën e administruar nga Komuna fqinje e Prizrenit që nga fshati Gjonaj, Zymi, Krajku, Romaja, Lugishtë e Hasit, Kushnin e deri në pjesët më të thella malore mbi Pashtrik si Mazrekë e Planejë, e tërë infrastruktura rrugore, ujërat e zeza, përrenj e kanalizime, janë rregulluar që të gjitha në mënyrën më bashkëkohore të mundshme për kushtet tona.
Duke u nisur nga këto sa u thanë më lartë, në Kosovë puna me kryetar e funksionar të dënuar tanimë është bërë modë, ai nuk është i vetëm,ka shumë të tillë këtu, njerëzit sikur i kërkojnë vet ata, bile ekziston rreziku që me kohë të infektohen edhe komunat tjera të cilat deri më tani nuk patën fatin ti kenë kryetarët e dënuar, dhe tash e tutje të rebelohen edhe ato dhe vejnë si kusht të parë, vendosjen e kryetarëve me vendime dënimi nga njëra prej gjykatave të vendit, kurse gjithë kandidatët pa precedencë ligjore, të shpallen të padëshirueshëm për poste udhëheqëse dhe funksione komunale apo shtetërore.
Kjo është moda më e re,këto janë prodhimet vendore me të cilat ne duhet të “krenohemi”,ndaj hiq animet partiake,me vet faktin se pozita as opozita, nuk kanë ndonjë kandidat serioz dhe më premtues për mbarëvajtjen e komunës me rrethinë,nuk do të preferoja që Ramadan Muja të dorëhiqej as shkarkohej nga posti i udhëheqësit të cilin,shikuar nga perspektiva momentale dhe rezervat e përgjithshme fraxhile të kuadrove partiake, me gjithë fajësinë e “dëshmuar”,tani për tani edhe nga kandidatët sot për sot-të padënuar,në Prizren ende nuk ka kush ta bëjë si duhet, punën e të parit të komunës….
Cyrih, 15 Mars 2014