
Fabul nga Ezopi – E shqiperuar
Naum Prifti
Një ditë të nxehtë mullixhiu dhe i biri e morën gomarin ta shpinin në
pazar për ta shitur. S’kishin bërë shumë rrugë kur rastisin tek
një grup me vajza që po llafoseshin dhe qeshnin:
– Shiko këta,- tha njëra prej vajzave duke i treguar me gisht – “sa pa mend duken kur shkojnë rrugës në këmbë në vend që të shkojnë kaluar.”
Kësisoj mullixhiu hypi djalin mbi gomar dhe vetë vazhdoi udhën në krah
të tyre.
Nuk kaloi shumë kur arritën te një grup fshatarësh që kishin
hyrë në diskutim serioz mes tyre. Njëri nga burrat, kur i pa të kalonin pari, doli para të
tjerëve dhe thërriti:
-Shihni, kjo provon atë që thashë më parë. Nuk ka më respekt për moshën e vjetër. E shihni sesi djali dembel është ulur vetë mbi gomar ndërsa babai ecën në këmbë.
-Zbrit more djalë dhe lëre babanë plak t’i çlodh pak këmbët.
Me të dëgjuar këto fjalë qortuese, mullixhiu i tha të birit të zbriste dhe hypi vetë mbi gomar.
Kështu bënë një copë rrugë, djali në këmbë dhe mullixhiu kaluar, derisa arritën pranë një grupi me gra dhe fëmijë.
-Pse ti plak njeri, – i bërtiti një grua, -je ulur mbi gomar dhe ky vocërrak mezi hedh hapat pas gomarit.”
Mullixhiu u mendua pak për ato që tha gruaja. E mori djalin dhe të dy u ulën mbi gomar. Ndërsa po i afroheshin qytetit, një fshatar u tërheq vërejte:
-Sa keq! Ky me siguri nuk është gomari juaj, – i qortoi fshatari.
Mullixhiu e siguroi se ishte i tij.
– Nuk mund ta besoja se është kafsha juaj kështu si e keni ngarkuar,- ia ktheu tjetri. Asnjë nga ju nuk duket i ligësht. Në fakt ju të dy jeni aq të fortë sa më mirë ta mbartni ju gomarin se sa gomari t’u mbartë ju.
Atëherë mullixhiu dhe djali zbritën nga gomari. Ia lidhën këmbët me një copë litar dhe e vunë në një trung, të cilin e hodhën mbi shpatulla si vig. Të tre tani iu afruan urës për në qytet. Banorët aty pari që nuk kishin parë diçka të tillë nisën të qeshnin me të madhe. Shamata e trembi gomarin aq sa nga frika filloi të hidhte shqelma. Litari që kishte të lidhur tek këmbët u këput dhe gomari ra nga ura në lumë.
Mullixhiu dhe djali u kthyen mbrapsht duarthatë sepse “Ai që dëshiron t’i kënaqë të gjithë, nuk arrin të kënaqë asnjë!”…