
Elmi Berisha/
Muzli Isufi do të mbetet përherë në kujtesën e familjes e krejt Rrafshit të Dukagjinit si një ndër njerëzit e veçantë të trevës sonë që u shqua gjithmonë për urtësinë, mirësinë, zgjuarsinë dhe kontributin e madh në dobi të bashkëvendasve të tij në veçanti dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Muzli Isufi dhe grupi i tij i pleqve kanë qenë një strukturë e fuqishme që kanë ndihmuar në mbajtjen e bashkuar të frymës patriotike në Rrafshin e Dukagjinit, kanë luftuar për çështjen kombëtare, arsimin shqip, paqen, dhe mbi të gjitha promovimin e trashëgimin e vlerave më të larta të kombit tonë. Roli i Muzli Isufit dhe pleqve ka qenë tepër i madh në shuarjen e konflikteve apo armiqësive të ndryshme duke promovuar paqen, zhvillimin e kohezionin e brëndshëm social të trevës sonë në Rrafshin e Dukagjinit e më gjërë. Muzli Isufi këmbënguli gjithmonë për një shkollë shqipe tipike kombëtare duke mos lejuar që të ndërrohen emrat e shkollave dhe institucioneve nga emra shqiptar në emra serb. Ai u bëri thirrje të gjithë patriotëve dhe dha një rol specifik në ndihmë të demostratave në mbrojtje të Minatorëve të Trepqës. Muzli Isufi ka pasur një angazhim të fuqishëm humanitar në lëvizjen ‘Familja ndihmon Familjen’ edhe pse vetë i kishte kushtet e vështira ekonomike duke lehtësuar sadopak dhimbjen e vuajtjet e famileve në nevojë. Muzli Isufi është shquar gjithmonë për oratori të spikatur dhe intelekt të veçantë duke lënë gjurmë të pashlyeshme në logun e odave shqiptare. Muzli Isufi do të kujtohet me nder dhe respekt për gjithë veprimtarinë e tij në shërbim të komunitetit dhe kombit tonë. Burra si ai i lindin pak Kosovës. Vepra, mirësia dhe urtësia e tij do jenë shembull edhe për brezat që vijnë.