Nga cikli: “Zbulimi im i Amerikës”/
Dr. Andon Dede, Nju York/
Një moment tjetër që unë rashë në kontakt me Amerikën, pak më direkt, qe kur filluan të lejohen të vijnë për vizitë në Shqipëri, të mërguarit. Kurreshtja qe tepër e madhe; nuk e tepëroj po të them se ata ne na ngjanin jo sikur vinin nga një kontinent i largët i përtej oqeanit, por nga një planet tjetër. Propaganda kishte bërë efekt të madh, deri aty sa t’i parafytyronim ata edhe me pamje të ndryshme nga e jona. Hë, pra, si do të jenë ata? Ne sikur harronim se ardhja e tyre nuk qe tabu: unë e kam edhe më parë se ne kishim takuar e kishim biseduar edhe më parë me pleq që patën qënë në Amerikë e që na kishin foluar për atë vend e atë popull; por, mbase tani, kur në vendin tonë po ndërtohej socializmi, “sistemi më i përparuar në botë” e që njerëzit do të “hanin me lugë floriri”, siç u kishin premtuar partizanët gjatë Luftës, në këto kushte të reja,pra ku kishte hyrë tashmë Shqipëria, kishte ndryshuar dhe Amerika për së mbrapshti: qe bërë shumë e keqe,agresive dhe donte që të na pushtonte e të na shkatërronte të gjithëve. Atje punëtorët vuanin e të tjera si këto. Ja pra, pse qemë aq kurreshtarë t’ i shihnimdirekt njerëzit e ardhur prej andej.
Dhe ky rast nuk vonoi të vijë. Kur isha në konvikt e vazhdoja Shkollën Unike, siç quhej atëhere tetëvjeçarja e sotme, morëm vesh se kishte ardhur një shqiptar nga të Amerikës, në fshatin Qilarisht. Nga ai fshat ne kishim disa konviktorë dhe filluam t’i pyesim ata tërë kuriozitet. E ç’ mund të na thoshin ata të gjorë? Ku ta dinim ne se si kishin punuar organet e Partisë e të Sigurimit për t’i mbyllur gojën popullit e sidomos të afërmve: asnjë llaf dhecmë të tjerët për çfarë do të rrëfenin ata që vinin. Neise, kjo nuk na e largonte sadopak kurreshtjen për të parë atë “njeriun e çuditshëm” që kishte ardhur nga Amerika e largët. U mobilizuam e morëm masa që sapo të merrnim vesh se ai kishte zbritur nga fshati në qytet, të lajmëronim njeri tjetrin për ta parë. Koha kalonte me rrjedhën e saj të zakonshme dhe kjo mundësi nuk po na jepej. Pak nga pak gati po e harronim fare atë.
Kur, një ditë, tek po bëheshim gati për të vajtur në shkollë, më thotë një nga qilarishtjotët e konviktit: “Sot ai do të iki; po deshe që ta shohësh, përpiqu të jesh kur të niset autobuzi i Tiranës…”. Kaq desha unë. E vendosa: o do ta shoh atë o s’ ka! Po si t’ ia bëja shkollës? Duhej sajuar diçka për t’i bërë bisht orës së parë të mësimit dhe për t’ia arritur kësaj, nuk e pata të vështirë: u them shokëve që t’ i thonë mësuesit kujdestar si dhe atij që kishim orën e parë se mua më duhej të shkoja tek autobuzi për të nisur një letër me rëndësi për në Tiranë, me ndonjë të njohur apo dhe me shoferin, Fotin, që ishte nga fshati ynë. U tha e u bë.
Në atë kohë linjën Tiranë-Përmet e bënin disa autobuzë të vegjel italianë që ne iu thoshim “Sata”. Unë e dija se ku kishte qëndruar ai; nga do të vinte për të zënë vend atje, pranë konviktit, prej nga do të nisej për në rrugën e gjatë; unë po vrisja mendjen se nga mund të vinin ata nga Qilarishti, në mes të cilëve do të qe edhe ai “njeriu i çuditshëm” i ardhur nga Amerika e largët. Por ora e nisjes po afronte e autobuzi nuk po dukej. Si prita dhe ca, pyes një burrë,“se si qe puna”, duke e gënjyer se po prisja për të takuar një të njohur që do të nisej për Tiranë. “A mor bir, do të presësh se autobuzi ka një difekt e vonohet!”, – më tha ai me shumë dashamirësi. Sa inat që më erdhi! Po më ikte dhe e vetmja mundësi për të parë një shqiptaro-amerikan(!). Më duhet të shkoja në shkollë se vetëm për një orë kisha marrë lejë. U nisa drejt saj por mëndjen e kisha përherë tek autobuzi e burri i çuditshëm. Hyj pa qejf në klasë. Por, krejt ndryshe nga ç’ kisha menduar të bëja, i dal përpara mësuesit tjetër e i them jo vetëm se pse isha vonuar deri atëhere por edhe se akoma nuk kisha mbaruar punë se autobuzi do të vonohej, duke e gënjyer si dhe më parë. Mësuesi më pa si me dyshim, por edhe me një buzëqeshje dashamirëse dhe më lejoi. Aq doja unë për t’ u lëshuar me vrap drejt vendnisjes së autobuzave. Rrugën pë atje e bëra me vrap. Por “Sata” kish vajtur në vend e, me sa dukej qe gati për nisje. Kjo më shqetësoi shumë dhe e rrita edhe më tej vrapin.
Nuk e pata vështirë të merrja vesh se cilët qenë njerëzit që po përcillnin mysafirin e largët: disa burra e gra po qanin si të vegjël jashtë autobuzit; të tjerë, me sytë e skuqur nga lotët, bisedonin me njeri tjetrin pak më tej. Me sa dukej, udhëtari i largët qe futur brenda. Rëndësi kishte që autobuzi jo vetëm nuk qe nisur por as nuk qe ndezur akoma. Si u qetësova pak, me marifet që të mos bija në sy, hipa në autobuz. Për çudi nuk më tha njeri gjë, ndofta duke më pandehur si të afërm të atij që po kërkoja të shihja unë. Dhe ja ku e pashë. Ai qe ulur në një nga karriget e para. Një burrë mesatar, i shëndoshë, buçko, me një lëkurë krejt të ndryshme nga ajo e gjithë njerëzve të tjerë që kisha parë e po shihja unë: tepër e lëmuar, pa rrudha, si ajo e grave apo e fëmijve të vegjël, por aspak si e një burri të moshuar. Pranë tij qe ulur një plakë, e fishkur dhe e rrudhur, si tërë gjyshet tona. “Me siguri, e ëma”, – thashë unë me vete, por qeshë gabuar rëndë. Ajo rrinte e gjora aty, pa folur e pa lëvizur, madje edhe si e tronditur pak, si të kishte frikë se mos ndodhte ndonjë gjë. Më vonë mora vesh se ajo qe e shoqja e tij që ai e pat lënë të re e po e gjente si gjyshe. Pranë tyre qe ulur një burrë tjetër, me fytyrën tërë rudha e të rreshkur nga dielli që ngjante në mos më i vjetër të paktën në një moshë me të. Për mua qe një fytyrë e njohur se e kisha parë dhe herë tjetër nëpër rrugët e Përmetit. Qe i biri. I jati i kishte sjellë një pardesy të re që ai kishte disa javë që e vishte dhe që e dallonte nga gjithë të tjerët si kalin e kuq, që prej së largu, paçka se veshjen tjetër e kishte si gjithë të tjerët.
Ky qe për mua një tjetër zhgënjim i madh për Amerikën e amerikanët. Ai nuk m’u duk as i lig e as i varfër e për të ardhur keq, siç na thoshin ne; përkundrazi, mua më erdhi shumë keq për njerëzit e afërm të tij e sidomos për të shoqen që unë e mora për të jëmën.