NGA FLUTURA ACKA/
Diku nga fillimi i gushtit, tek shoqëroja një grup të huajsh në një udhëtim nëpër Shqipëri, këmbëngula të ndalnim edhe në ishullin e Zvërnecit, me ç’rast edhe në manastirin “Fjetja e Hyjlindesës”. Nga shkujdesja dhe vapa që ishte në zenit, nuk e kisha vënë re një tabelë rregullash në hyrje të urës, ku mes të tjerash kërkohej me lutje që vizitorët të kenë “veshje të hijshme”, gjë që ma kujtoi sapo shkela në lëndinën para kishës, njëri prej mbikëqyrësit aty, i cili më kërkoi t’u hidhja diçka përmbi supeve të mi të zhveshur, pasi veshja ime nuk “shkonte me Nderin e kishës”.
premtova se nuk do të hyja dhe se do t’ia ruaja Nderin kishës, edhe për faktin se kisha qenë edhe herë të tjera, ndonjëherë duke ndeshur edhe me refuzimin e tyre për t’u sjellë rrotull në atë vend që perëndia e ka bekuar me aq bukuri. Por për çështjen e Zvërnecit, dua të ndalem një herë tjetër më gjatë. Kjo ndodhi m’u kujtua këto ditë kur ia bëri beft çështja “kisha e Përmetit”. Dhe akoma më shumë pas meshës së disatë të sajuar në rrugë të madhe nga priftërinjtë e Kishës Ortodokse të Përmetit.
A cënon në fakt nderin dhe autoritetin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptarë incidenti me kishën e Përmetit dhe të tjera ngjarje me prapaskenë urët e zgjatura të zjarrit prej saj? Sa dorëzani dhe përgjegjësi ka në gjithë këto vetë z. Janullatos, emri i të cilit është lakuar nëpër të gjithë spiralen e marrëdhënieve shqiptaro-greke gjatë gjithë tranzicionit shqiptar?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe e të gjitha hamendjeve të ngritura, janë thënë e shpjeguar shpesh, edhe ditët e fundit madje janë evokuar sërish, kështu që unë nuk kam ç’t’i shtoj aq këtij diskursi publik. Pyetja ime si një qytetare e këtij vendi, si një qytetare as ateiste dhe as ritualiste, si mbesë e një ortodokseje të përbetuar, e cila sillej fshehur rrotull mureve të manastirit të Shën Gjonit çdo fillimqershori, është: Përse nuk ikën zoti Janullatos nga drejtimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare edhe pas gjithë këtyre bëmave që po ndodhin me kishën që drejton ai? Sepse, siç po shkruhet dhe siç po ndodhin ngjarjet, ai nuk po e drejton siç duhet Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe në demokraci, kur nuk drejton siç duhet, duhet të japësh dorëheqjen dhe të largohesh. Ndryshe je një “diktator”, qoftë edhe në hije, qoftë edhe i veshur me petk fetar, qoftë edhe po të mos e lëçisësh siç duhet gjuhën e një vendi mikpritës.
Unë nuk i lëviz asnjë presje të gjithë mirënjohjes shqiptare mbi kontributin e z. Janullatos në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe i bashkohem asaj pjese të arsyeshme që e nderojnë atë, por besoj ka ardhur një kohë kur vetë z. Janullatos duhet ta bëjë këtë akt (le të gjejë një arsye të përafërt me të Papës, arsye ka sa të duash) dhe ta çlirojë Kishën Ortodokse Shqiptare nga tremba jonë mbi Autoqefalinë të rreme apo të vërtetë. Por që të mos e lë argumentin në mes, po rendis disa nga arsyet përse z. Janullatos, do të duhej ta rishikonte (sa më shpejt aq më mirë në të mirë të të gjithëve) statusin e tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare:
– Me incidentin “kisha e Përmetit”, z. Janullatos e përzieu Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare në një incident diplomatik mes dy shteteve dhe vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë, marrëdhëniet e brishta mes të cilëve shpesh janë agravuar ose qëllimisht ose nga shkujdesja edhe nga faktori Kishë Ortodokse. Ndërhyrja e shtetit grek në marrëdhëniet shtet-kishë shqiptare, cënoi shumë rëndë pavarësinë e pretenduar nga krerët e saj. Nga kjo logjikë, po aq të drejtë do të kishin edhe maqedonët, edhe serbët, edhe rusët, të protestonin për “keqtrajtimin” të sivëllezërve të tyre ortodoksë. Dhe në këtë incident diplomatik, ai (z. Janullatos) ka përgjëgjësi personale, sepse e vuri në dyshim këtë pavarësi dhe nuk e dimë tani më i shërben Zotit apo të zotërve. Kjo do të dojë ca kohë të qartësohet dhe unë lutem që koha të jetë në favor të Nderit të z. Janullatos dhe të Kishës që drejton ai.
– Me incidentin “kisha e Përmetit”, z. Janullatos nuk mundi t’u drejtojë dhe orientojë siç duhet as vartësit e tij (Themollarin me shokë), as delet e tij të perëndisë, por i la të ngrenë krye dhe të venë dorë mbi shtetin, shtetin për të cilin predikon çdo ditë, se duhet mbajtur në këmbë me ligje e rregulla. Nuk është e tepër t’ia ripërsërisim z. Janullatos se shteti shqiptar është shtet laik dhe feja (çdo fe, në një vend si ynë që shquhet për harmoni fetare) nuk ndërhyn në punët e shtetit, e respekton shtetin dhe është transparente me shtetin për të gjitha veprimet e saj.
– Në këto 20 e kusur vite të drejtimit të tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nuk është bërë aq sa duhet (për të mos thënë fare) për nderimin e figurave të ndritura të Auoqefalisë si të Fan Nolit, Visarion Xhuvanit, Papa kristo Negovanit dhe të tjerëve figura të vyera, emrat e të cilëve dalëngadalë po i çrregjistrohen listës së kontributeve në Kishën tonë Ortodokse.
– Në videon e shpërndarë këto ditë (në greqisht) nga z. Janullatos mbi historikun e kishës së Përmetit, qendra kulturore që i është rikthyer tashmë bashkisë së qytetit të Përmetit, që ka një emër shumë simblok për këtë qytet dhe për kulturën kombëtare, cilësohet si një vend ku do të luhet kumar dhe bilardo. Sigurisht, z. Janullatos e di se në një shtet të varfër ka pak para për kulturën, por kjo nuk do të thotë që ta rrënojmë atë për fenë, sikurse as fenë për shtetin, siç ndodhi në diktaturë. Siç edhe e vërejti faqe dheut e gjithë Shqipëria, një kishë e përmasave aq të mëdha sa u nis të ngrihej, do t’u shërbeka vetëm 20 e 30 vetëve (aq ishin në meshën e fundit në rrugë), siç edhe u shërben 100 a 150 vetëve e gjithë ajo bina betoni kitch që u ndërtua në mes të Tiranës.
Megjithatë, për mendimin tim, më mirë ngremë kisha se sa gradaciela që ia kanë marrë frymën Tiranës. Unë do të kisha dëshiruar që ngjitur me kishën të ngrihej edhe një bibliotekë dinjitoze për Tiranën. Në pallatin e kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, më e pakta që do të bëhet, do të ngrihet një bibliotekë dinjitoze apo një kurs të rinjsh muzikantë që të ndjekin përvojën e njërit prej gjenive të kabave shqiptare, Laver Bariut. Por z. Janullatos nuk e di këtë, dhe s’është faji i tij që google earth i tij nuk ia kap kuq e zi këtë zonë të Ballkanit. Dhe më tej, pa dashur kurrsesi të përflas Nderin e Kishës Shqiptare, ca punëra që bëhet fshehurazi nën veladon, nuk janë ndonjëherë më të ndershme se kumari, aq më pak se bilardoja, ku shpesh të rinjtë e papunë shqiptarë vrasin kohën, a thua se kanë ndonjë zgjedhje tjetër?
– Me vite, prej Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është shpallur një betejë e hapur ndaj një prifti të vetmuar në Elbasan, at Nikollë Marku i kishës së Shën Marisë, i cili është përndjekur dhe persekutuar në mënyrë të vazhdueshme prej saj. Edhe drejtuesit e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare janë prononcuar shpesh me fjalë, edhe fyese, ndaj këtij prifti për një fakt fare të thjeshtë: Ai mendon ndryshe nga krerët e Kishës Ortodokse mbi çështjen e pavarësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pikëpamje të cilat i shkojnë më afër së vërtetës. Edhe pse i pambrojtur nga shteti, i lënë dhe i përbuzur në devotshmërinë e tij, At Nikollë Marku ka gëzuar simpatinë e besimtarëve që frekuentojnë kishën e tij dhe të shqiptarëve që mendojnë si ai dhe që nuk arrijnë ta shpjegojnë dhe ta pranojnë gjithë atë mllef nga njerëz të perëndisë ndaj njeriut të perëndisë.
– Në kaq vite në drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, z. Janullatos është gjendur shpesh në qendër të debateve, siç edhe ky i fundit mbi kishën e Përmetit, që për fatin e tij të keq, kanë cënuar edhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Më mirë se kushdo, ai e di vetë, se pa këtë shpurë politikanësh puthadorës ndaj Greqisë, ai nuk do të ishte aty ku është. Ka ardhur një kohë kur Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare të flasë shqip, dhe që të ndodhë kjo, z. Janullatos duhet të ikë me Nder që të mbetet i Nderuar mes nesh. Ne kemi detyrimin ta nderojmë dhe t’i jemi mirënjohës për çfarë ka bërë deri tani. Tani ka ardhur koha të kthehet në atdheun e tij dhe ta lërë kishën të ecë vetë, e pavarur.
Misioni i Anastas Janullatosit ka mbaruar. Nëse për të shkuar në Evropë, na duhet të falim detin, të shesim dhe blejmë eshtrat e të parëve tanë, të heshtim kur na i ndërrojnë emrat, të detyrohemi të flasim joshqip për një pension europe, më mirë të mos e kemi këtë Evropë, ku duhet të hyjmë pa identitet. Shqiptarët do të dinë t’ia bëjnë të gjitha nderet dhe t’i jenë atij mirënjohës pas largimit z. Janullatos.
Detyrimi fetar dhe i perëndishëm i z. Janullatos është kryer. Ai vetë duhet të ikë, që të mbetet i nderuar dhe të mos i lërë Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare njollën e punëve jopatriotike dhe antishqiptare. Nëse do të qëndrojë deri në fund, i paepur dhe i mbrojtur nga palopolitikanët shqiptarë, na jepet e drejta të besojmë se po ëndërron të na lërë ndonjë kular zvarrë mbi dhe, të tillë që, saç do të na i ngatërrojë këmbët, po aq edhe do të mbledhë mallkimin tonë sa herë të ngatërrohemi me të. Kjo është një zgjedhje e tij (edhe e jona, që ta themi më qartë), e varrosur në ndërgjegjen e tij. Ne kemi të drejtën vetëm t’ia kujtojmë.(kortezi- Shqiptarja.com)
Hasi says
Me kete ne radhe te par Falenderoj shume shume Gazeten Dielli qe na jep mundesi qe te lexojm ndonje artikull te mire e me vend , por me fal per kshillimin te lumet per shkrimin e gjat e pa kuptim fare po ty at kan lane mete ne koke qe nuk e kupton se per qka ka ardhe janullatos ne SHqiperi , ata e ka pru miku I serbis sali berisha me degjeneru vendin e popullin shqiptar e bashk me kishen e cka te kese me vjedhe e placket fotot historike se ne datojm me mire shekij se greket-jefgjit aziatik me kriju nje verjo-epir pa kane kure me vjedhe e me cvarrose edhe te deknit e shume te tjera perceto ka ardhe oj shoqja e mire me thane se nese je ortodoks je grek nese je katolik je italjan nese je Mysliman JE turke e ku jane shqiptaret Ata te mjeret Zoti I ndimofte s jane ne gjume ,kjo pra
Hasi says
———-nga shkrimi I siperm -vijojm –= e ti tani kerkon dorheqjen ata do vare e pastaj me I fute flaken, janullatos me anti-shqiptari ne ket bot sote kete te keqe e kemi nga sala qeverija jon qe punon per interest sllavo-ortodokse ,.
Nik says
Znj. Açka,shkrimtare dhe botuese teper cilesore e koheve tona me shkrimin interesant qe ka bere rreth problemeve te Kishes Ortodokse Shqiptare, u jep nje leksion jo vetem hiresise se tij Janullatos, por dhe shume njerezve te tjere te Kultures Shqiptare qe per interesa te vogla s’guxojne te shprehen per problemet e medha qe ka vendi yne.