Busti i Fan Nolit është vendosur në hyrje të rrugës që mban emrin e tij dhe pranë Kishës Ortodokse të Durrësi, dhe është një vepër e çmuar e skulptorit të njohur Idriz Balani./
TIRANË, 15 Korrik/ – Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përuruar sot, e Premte 15 Korrik, bustin e personalitetit të madh kombëtar, Fan Noli, i cili është vendosur në hyrje të rrugës që mban emrin e tij dhe pranë Kishës Ortodokse të Durrësit.
Busti i Fan Nolit është një vepër e çmuar e skulptorit të njohur Idriz Balani.
Në fjalën e tij, Dako deklaroi se nëpërmjet vendosjes së këtij busti, por edhe dhënies së titullit qytetar nderi, Bashkia dhe i gjithë qyteti i Durrësit nderon Fan Nolin, një personalitet kombëtar dhe një prej figurave emblematike të historisë dhe kulturës shqiptare, si dhe frymëzuesin e themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Durrësit.
Pas ceremonisë pranë Kishës Ortodokse është zhvilluar edhe një simpozium i organizuar nga klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, ku merrnin pjesë historianë, shkrimtarë dhe studiues dhe ku personalitete të letrave si, Nasho Jorgaqi apo shkrimtarë dhe historianë të tjerë, kanë folur gjerësisht rreth figurës dhe personalitetit të shquar kombëtar Fan Noli.
Në këtë simpozium është dorëzuar edhe titulli “Qytetar Nderi i Durrësit” për këtë figurë të shquar me motivacionin: “Personalitet i shquar kombëtar, mitropolit i Durrësit dhe një ndër kontribuesit më kryesorë në drejtim të ringjalljes dhe ringritjes kishtare në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, meshtar, predikues dhe lider shpirtëror që zgjodhi qytetin tonë për mbajtur meshën e parë në gjuhën amtare.”
Fan Noli një nga personalitetet më të shquar të kombit shqiptar ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur në Durrës ku ai mbajti edhe meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli mbante titullin kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë dhe gjithë Shqipërisë. Mitropolia e ngritur pranë vendit ku ndodhet sot kisha ortodokse u bë selia zyrtare dhe shtëpia e tij në vitet 1921-1924 ku ai jo vetëm do të banonte, por edhe do të zhvillonte veprimtarinë e tij kishtare dhe social politike.(Kortezi- Ilir Vata-ATSH)
Thanas L. Gjika (USA) says
Urimet me te ngrohta per Dursin dhe durrsaket per inagurimin e ketij busti te Imzot Fan Stilian Nolit.
Durrsi ka qene dhe nje nga qendrat me te rendsesishme te Krishterimit te hershem. Aty predikoi Shen Pali ne qershor e korrik te vitit 56 mbas Krishtit dhe po aty ai shkroi letren kryesore per besimtaret e krishtere te Romes (Letren ROMAKEVE kap. 1-15). Per kete arsye ne Durres duhet te ndertohet dhe nje monument i plote ku te jepet Shen Pali ulur duke shkruar, ndryshe nga monumenti i ndertuar ne Veria te Greqise, ku ai eshte ne kembe duke ecur.
Me respekt, Thanas L. Gjika