Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Tiranë binte shi kur besimtarët myslimanë me rastin e festës të Kurban Bajramit falën Namazin. I gjithë riti fetar u zhvillua si zakonisht në bulevard – në mënyrën më të pameritueshme dhe më të paemancipuar të mundshme në mungesë të objektit fetar.
Ceremonia u zhvillua e shkurtuar për shkak të kushteve atmosferike, me difekte në foni, të cilat bënin që lutjet të vinin të cunguara, ndërsa njerëzit faleshin mbi asfalt, pak të mbuluar nga tapetet e gjithkund lisho bulevard.
Për 23 vjet tranzicion, politika u tall me këtë komunitet, i cili dallohet për tolerancën fetare, duke qenë një nga faktorët që i ka siguruar shtetit laicitetin e tij. Sa e rëndësishme është kjo kur shohim se diskordancat fetare e kanë kallur në flakë botën mbarë. Politikanët shqiptarë duhet të shkojnë për çdo vit në Mekë e t’i kërkojnë Zotit t’i falë për mëkatet si ikonoklastë. Jo se kryejnë sulme direkte kundër objekteve të kultit, porse blasfemojmë duke i lënë besimtarët myslimanë të shfaqen në publik si të jenë një komunitet tribal – pa shtëpinë e Zotit – kur në fakt janë një komunitet i qytetëruar, me bonsens dhe tolerancë shembullore.
Toleranca fetare që ekziston në Shqipëri, padyshim që i dedikohet edhe shumicës. Ajo është në shërbim të vëllazërimit dhe harmonisë midis shqiptarëve. Harmonia fetare ndikon pozitivisht edhe në harmoninë kombëtare, të cilën e prish vetëm politika.
Komuniteti mysliman në kryeqytet meriton që të ketë Tempullin ku të falet. Shqipëria është vendi ku identiteti fetar apo krahinor vetëm se e plotësojë identitetin tonë kombëtar, sipas thënies së përherëshme të Vaso Pashës se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ashtu si e pohon edhe Fishta „si t’kshtenë, si muhamedan / Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë/.“ Apo: „Bini, Toskë, ju, bini Gegë! /Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!/A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë! / »
Toleranca fetare është në gjak të shqiptarëve. Jo më kot jemi i vetmi vend në Europë, me shumicë myslimane që i morëm në mbrojtje hebrejtë. Islamizmi shqiptar është unik dhe kombëtar. Im atë, poeti Vehbi Skënderi, më tregonte se i jati i tij dhe gjyshi im, Imam Demir Efendiu, i shkolluar në Stamboll me një bibliotekë të jashtëzakonshme, kishte pikpamje të tilla liberale, sa njërin djalë të tij, dmth xhaxhain tim, e dërgoi të studionte në Shkollën e Fullcit, ndërsa tim atë, duke i parë vokacionin e çoi të ndiqte studimet fetare në Medresenë e Lartë të Tiranës, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj etj.
E pra ta lësh këtë komunitet pa objekt kulti është mëkat. Ndërtimi i Xhamisë do të plotësojë simetrinë fetare në metropolin e Tiranës, pasi dy komunitetet e tjera tashmë i kanë ndërtuar Tempujt e Zotit. Në zemër të Tiranës ndodhet Katedralja e besimit katolik që mban emrin e apostullit të Shën Palit, një nga figurat më të rëndësishme të Krishtërimit, që e ka vizituar Durrësin, kur daton edhe komuniteti i parë krishterë, rreth viteve 50 të erës sonë. Po në zemër të Tiranës ka dy vjet që është inauguruar edhe Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, me një arkitektonikë madhështore, duke mbuluar një hapësirë rreth 2000 metra katrorë, me një kosto rreth 50 milionë $. Një objekt kulti i rëndësishëm është edhe Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë, gurin e themelit të të cilit e vendosi Ibrahim Rugova, me besim fetar mysliman, por me një vetëdijë shkencore europiane për rrënjët e identitetit kulturor shqiptar, që kërkon respekt të ndërsjelltë fetar prej palëve. Toleranca nuk pranon intolerancën e cila i bën besimtarët myslimanë të kenë 23 vjet që, në festën e Kurban Bajramit, t‘i falen Zotit në mes të bulevardit kryesor të Tiranës nën tempullin e qiellit të hapur.