Nga Harry Bajraktari/
Urime komunitetit shqiptar dhe Federatës Vatra për emërimin e një rruge në Morris Park, New York, si “Rruga Fan Noli”.
Është një nderim i merituar. Noli themeloi Vatrën dhe Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptaro Amerikane. Ai ishte shkrimtar, studjues, përkthyes, diplomat e burrështeti. Shërbeu në parlamentin shqiptar dhe si kryeministër i Shqipërisë. Puna e tij si organizues i komunitetit dhe si lobues për çështjen shqiptare ka frymëzuar shumë gjenerata shqiptaro-amerikanësh që të ecin në gjurmët e tij.
Kjo vlen edhe për gjeneratën time dhe miqtë e mi. Sa herë që mblidheshim në New York apo në Washington për lirinë e Kosovës, për demokracinë e Shqipërisë, apo për të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë, na dukej se po vazhdonim punën e Nolit dhe Konicës. Na e shtonte bindjen edhe miqësia dhe bashkëpunimi me një njeri që e kishte njohur e ndihmuar Nolin nga afër, biznesmeni dhe veprimtari i paharruar Anthony Athanas.
Meritën më të madhe për emërimin e kësaj rruge e ka pa dyshim, Mark Gjonaj, i cili punoi shumë dhe me vendosmëri për ta realizuar. Ai ka qenë një fanar ndriçues për komunitetin tonë, në këto 8 vitet e fundit. Mes arritjeve të shumta kanë qenë Qendra e Komunitetit dhe Mirëqënies “Illyria” në Qendrën Mjekësore “Jacobi”, miratimi i mësimit në gjuhën shqipe në Bronx, dhe veprimtaritë e përvitshme të Festës sonë Kombëtare.
Komuniteti ynë i është mirënjohës Markut dhe familjes së tij për këtë punë të madhe në këto vite.
Unë uroj që këta shembuj të frymëzojnë gjeneratën e re të shqiptaro-amerikanëve që po shërbejnë apo kandidojnë në poste publike.
Jam shumë optimist për Vedat Gashin, i cili po kandidon për Kongresin Amerikan. Nëse zgjidhet ai do të mbajë vendin e dikurshëm të mikut tonë të madh, kongresistit Eliot Engel.
Vedati po ecën në gjurmët e shqiptaro-amerikanëve që kanë mbajtur poste publike në të kaluarën: si Mark Gjonaj në Asamblenë e Shtetit dhe Këshillin Bashkiak të New York-ut, Konstantina Lukes, Kryetare e Bashkisë në Worcester, Dona Brady Këshilltarja e Bashkisë në Cleveland, Ohio, apo Lisa Milica, Këshilltare e Bashkisë në Pleasant Valley, New York (gjithashtu gruaja e parë shqiptare e zgjedhur në New York) e të tjerë.
Nga koha e Fan Nolit te brezat e rinj të kohës sonë, flaka e atdhedashurisë dhe e shqiptarizmës po mbahet gjallë në Amerikë. Zoti i bekoftë Kombin Shqiptar dhe Kombin Amerikan!