Nga Mimoza Dajçi/
Si një pasardhëse e famijes së Boletinëve të Kosovës martire, e ndjej për detyrë të hedh disa rreshta në letrën e bardhë me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. U preka e u emocionova pa masë, kur lexova e pashë në internet bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës, që kishin marë rrugën më këmbë, me flamurin e shqipes dy krenare në krah, për të arritur në Vlorë më 28 Nëntor. Të angazhuar në “Maratonën e Pavarësisë”ata ishin bashkuar në këtë udhë të gjatë ashtu sikurse Isa Boletini me djem, nipër e luftëtarë të tjerë të lirisë, trima e sokola, për të arritur në Vlorë 100 vjet më parë, e për të qenë përkrah Ismail Qemalit e patriotëve të tjerë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Lajmi i ndërrmarjes së “Maratonës së Pavarësisë” nuk më çuditi aspak, pasi të gjithë e njohim besën, zgjuarsinë, karakterin, trimërinë e guximin e shqiptarëve të atyre anëve, prandaj u ndjeva krenare dhe u gëzova shumë përçka ata janë duke realizuar me sukses.
Nga Kosova, Presheva, Maqedonia, prirë nga simbolet kombëtare kishin arritur dje në Kukës 11 persona. Shumica e tyre emigrantë nga Suedia, Zvicra e Gjermania, të cilët do të jenë pjesë e festimeve në këtë jubile madhështor. Megjithëse dimër e moti i keq, e disa prej tyre edhe të moshuar, përsëri nuk janë ndalur, por pas një jave udhëtimi ishin ndalur dje në doganën e Morinës, duke vazhduar udhën si të parët e tyre. E sigurisht askush nuk mund të qëndrojë indiferent pa i përgëzuar qoftë edhe me një falenderim zemre këta heroj e patriotë të ditëve të sotme që duan paqen, e vlerësojnë historinë e kombit tonë.
Maratonës sot i prin një bashkatdhetar nga Gilani, Ekrem Avdia e quajnë. Kam patur rast të vizitoj me tim atë, e vajzën time Gilanin. Të ulem në një sofër me miq e të afërm të familjes time. Shumë bujarë e mikëpritës ishin të gjithë, gra, burra, djem e vajza, nuk gjej fjalë për ti falenderuar, aq dashamirës janë treguar me ne. Për të gjithë atë zonë si dhe për të gjithë Kosovën ku kam shkelur ruaj kujtimet më të mira, për ata njerëz që na pritën e na mbajtën në shtëpitë e tyre me zemër të hapur, gjatë qëndrimit tonë atje. E ndërsa sot heroi nga Gilani, Ekrem Avida është në krye të këtij rrugëtimi të gjatë me flamurin tonë kombëtar.
Duke sfiduar moshën e motin e keq, ata i janë bashkuar idealit të të parëve tanë, që dhanë jetën për liri e pavarësi kombëtare. I kanë dhënë besën njëri tjetrit, ashtu si 100 vjet më parë heroi ynë kombëtar Isa Boletoini i dha shqiptarëve për pavarësinë e Shqipërisë që gëzojmë ne sot, duke mos u ndalun nga serbi, turku e shkjau, por të vendosur për të arritur në Vlorën e Ismail Qemalit. E sot ky udhëtim vijon përgjatë rrugës së shtruar e autostradës së re, e do të përfundojë në ora 10.00 më 28 Nëntor në “Sheshin e Flamurit”.
Një sihariq tjetër është gjithashtu për trashëgimtarët e familjes Boletini edhe takimi i tyre në Mitrovicë me rastin e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit e luftëtarëve të tjerë, vrarë pabesisht në Podgoricë. Lajmi është shpërndarë me kohë që, ata kudo qofshin të bashkohen në këtë ditë të veçantë, e të paharuar, për të qenë të pranishëm në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave. Këtë lajm ma përcolli gjithashtu edhe patriotja e veprimtarja e pandalur shqiptare Rita Saliu nga te afermit e mi atje, pas vizitës së saj në Kullën e Boletinëve në Kosovë.
Ju qoftë rruga e mbarë vëllëzer, e qofshi të bekuar në këtë udhëtim historik, në rrugën që ndoqi Isa Boletini me trimat e tij për në Vlorë. Faleminderit nga zemra e gëzuar 100 Vjetorin e Pavarësisë!
Me shumë respekt për ju, një pasardhëse e Isa Boletinit
Mimoza Dajçi
New York, Nëntor 2012