MIT’HAT FRASHËRI/
Nga kreu i Dangëllis dalloj me mall/
Pullazë e Frashërllinjve dhe teqenë/
Samin’ prej bronxi, Abdylë e Naim benë,/
Po, ti, Mit’hat, pse nuk je, aty, vallë?/
Ti, Lumo, u prive burrave të rrallë,/
Në Manastir, e bëre alfabenë;/
N’Europë, Ti, e mbrojte mëmëdhenë,/
Të gjuhës shqipe shpuzë, mbajte gjallë./
Ti, n’Vlor’ me Ismail ngrite flamurë;/
Makutve fqinjë, maskën, ua çore/
Dhe çamët muhaxhir në mbrojtje i more./
I Ajkës Kombit, prijs, o Lumo, o burrë,
Që nga të kuqtë u shave, t’hodhën gurë,
Ti, ngel profet. Medet, s’ke një shtatore!
SAFET BUTKA
N’Atdhe u ktheve o Safet shkollari
Me dituri europe i pajisur.
I mbolle dije n’mendje çdo shqiptari
E afsh për komb çdo shpirti të molisur.
Kur hasmi u dynd, revoltë u çove i pari
Në burgje larg u pate degëdisur
Në krye çetash, Safet kumandari
Me armë n’dorë, qylaf shkab- qëndisur,
I re pushtuesit, egër, më çdo ças,
Po skota ku Dushani prijës qe
Të ra me pushkë, o Safet, nga pas.
Ti, kur tradhtinë e të kuqve pe,
Një çast me ankth e brengë e plot maras
The: – Jo vllavrasje! – e vetes tënde i re.
ABAZ KUPI
Kur besa e lidh’ në Mukje, u shkel nga djaj,
Kjo tradhëti nga Bazi u dënua;
Të kuqtë Atdhen’ përçanë, e krodhën në vaj,
Abazin shanë e vetë u fryn’ pallua.
Medet, Kosova shkjaut iu dorëzua
Po kuqot festë bënë e berihaj.
Që n’Durrës, luftoi Bazi, u harrua.
Përmendej lufta, jo kush i priu asaj.
Po trimat që ranë, atje, për lirinë,
Jetim, në varre, ngelën si mjeranë …
Ata me gjeneralin kan’ lavdinë,
Siç ka ky me ata që pas, i vanë.
Abazi më shtat’ prill nderoi Shqiprinë.
Heronjve u priu, plumb derdhi mbi dushmanë.
LEF NOSI
Tek shoh, tani, shtatoren tënde ngritur
Përlotur them-Mirse na vjen, Lef Nosi!
Po sikur po më dukesh i mërzitur!
Zemruar je me ne? Pash Zotin, mos!
Se ne, gjitmon, kush je e kemi ditur
Po ishim aq në hall e në kaos,
Sa gjallë gjer më sot qysh kemi mbritur;
T’i n’Vlorë flamurë e ngrite e bëre çmos
I mbrojte t’shenjtat firma:amanenë:
Le libra, arshiva, le filatelinë;
U rreke me Antonë e Mehdi benë
Ta nxirrje nga humnera Shqipërinë,
Po djajtë e kuq, o Lef, kokën ta prenë
E s’dijmë as kockat ku i ke, as hinë.
NACIONALISTI I MERGUAR
Kur dimri i pleqërisë … të mbërtheu,
E le mërgatën dhe si shpend në erë
Drejt çerdhes fluturove edhe njëherë …
Te vatra e lashtë të thërriste … dheu!
Sa ja pe malet, shpirti ngazëlleu;
Dikur atje për shkabën me dy krerë
Luftove me Safetin sy-sqifterë
Të sprapsje atë yll që vendin gjak e ngjeu.
Brengosur Shqipërinë e vatrën gjete!
Po s’di pse flaka e vatrës të kujtoi
Kolonjën e qëmoçme e të sëmboi.
– Ah, Zot! – psher’tive e kokën e mbështete
Te shiltja, ne oxhaku e ashtu … mbete;
At’çast një shkëndij’vatre… fluturoi.
LUFTËTARI I LIRISË
(Diversanti)
O, ti, ushtar i lashtë që altar
Flamurin pate e faleshe mbi të
Kur shum’kërthinj gogsisnin në shullë!
Ti, që për komb u hodhe shpesh në zjarr.
E predha “hëngre” si peshqesh qyqar,
Po lavde kurrë s’lype për këtë,
Si nuk u tha, o plak, për ty një gjë ?
Se për Atdheun’ kur dreqi … e pat marrë
Ti, pushkën more e kaptove kufinë.
Kaçak u fute atje kur ishte zi.
Në mal, në terr, në borë e suferinë
U ndoqe nga koshadhe e polici.
Mes plumbave e çave shpesh pusinë
Përzhitur flakësh, komit për Liri!
KËNETA E VLOCISHTIT
Je thar’ nga skllevër o kënetë e zezë
E shumë aty u groposën gjallë!
Moçal që katandise në varrezë,
U mpikse me gjak robi e me kokallë.
Ç’nur paske, o Vloçisht, këtë mëngjes
O fush’që pjell panxhar, ndonëse jo rrallë
Çukitin kocka, plisave, ca shpezë!
Po kur turistë vijnë, u thuhet vallë
Që robër t’fjalës lirë at’moçalishte
Me thonj e thanë uritur e cullak;
Gjiht’baltë e duke hequr … osh kërbishte
Llucë anash hidhnin, zhytur në batak;
Gjakosur nga shushunja e kallamishte,
Nga t’rojeve goditje me dajak! …
PENËS
Kur dielli u err n’agim të avenirit
Dhe jeta varej mu në fije t’perit
Prej ftohmës, prej urisë, prej zinxhirit;
Nën ankthin e kërbaçit të kapterit
E të hafijes Judë syvampirit;
Kur gjendesha pa mbrojtje midis tmerrit
E mendja ish në pragun e delirit,
Veç pena më dha forcë t’i bëj ball ferrit.
S’më la në baltë! N’atë burg mizor,
Me penë e sfidova tiraninë.
Midis betonit akull në dhjetor
Sa mbyllte roja i kuq me dryn qelinë,
N’at varr të gjallësh, un’me laps në dorë
I thurja komunizmit telendinë.