H E R M A N N H E S S 1877 – 1962/Hermann Hesse lindi më 2 korrik 1877 në një qytet pranë Calw dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime./
NJË BOTË TJETËR/
Në gjoksin tim ndizet
në vetmi dhimbja e madhe e poetit,
shpejt do të jem i lodhur nga këngët,
sepse e shoh kaq të zymtë botën.
Vizioni im njeh një tjetër botë,
ku lule të kuqe janë në stuhi
dhe një stinë e vërtetë me dritë të zjarrtë.
Të lumtur pashë ata
që në këtë botë të zymtë
i kam njohur si shumë meskinë.
Si zota ecnin të lirë dhe krenarë,
dhe mbanin kurora në flokët e tyre.
Dhe pashë veten të shkoja duke qeshur bashkë me ta
i lirë dhe krenar mes luleve të kuqe.
Kur i tharë dhe i vdekur
do t’më sjellin në arkivol të ngushtë,
atëherë do të dëgjoj njerëzit të thonë:
tani është mirë, u kthye në shtëpi.
Pa e ditur thonë të vërtetën.
Atëherë dëshira ime për dashuri
me krahë të përjetshëm do të shtrëngojë në zemër,
jetën e dashur, atëherë do të këndoj
këngë të reja dhe do të luftoj me stuhitë,
duke mbajtur mbi flokë kurora të zjarrta,
të rrethuara nga një dritë tingëlluese.
Digjet ende në gjoksin tim
në vetmi dënimi i madh i poetit,
s’kam më dëshirën për të kënduar,
sepse e shoh kaq të trishtuar botën.
nuk e di ç’të bëj me dëshirën për të kënduar,
Duke gënjyer më duhet të kaloj ditët e mia,
nuk duhet të besoj, as në dashuri, as në vetëpërmbajtje
deri sa i vdekur dhe faqebardhë
do të më sjellin në arkivol.
Atëherë njerëzit do të thonë:
tani është mirë, u kthye në shtëpi.
NATË ME RE
O ti e dashura nata ime me re
me majat e tua të tronditura nga stuhia,
si djegiet papritur madhështia
e vdekjes në ritmin tënd frenetike.
O ti, kënga e mundimit, o ti, këngë e dënimit,
e dridhmave dhe mendimeve të vdekjes,
e njoh mirë stimulin e ashpër, tinëzar
të melodive të tua të përditshme të nostalgjisë së sëmurë!
Si atëherë në fëmijërinë time
mbusha me pikëllim të mugët zemrën time.
Dhe dhimbja e vjetër shumë e njohur e atëhershme,
është brengë e vjetër,
vetëm më trishtë dhe pa ëmbëlsi.
NË RRUGË
Dhe duke ecur e duke u ngjitur mbi retë,
deri lart në mbi mal, në arjrin e hollë,
para meje hapej mbretëria e të vdekurve:
një re parardhësish të largët,
një vetëtimë shpirtrash të panumërt,
dhe i çuditur e pata perceptimin
që unë nuk jam as një i izoluar, as një i huaj,
që shpirti im, e shikimi i syve të mi,
goja ime dhe veshi dhe kadenca e hapave të mia
nuk janë as të rinj dhe as tamam të miat,
as nuk është i imi vullneti që e pandehja sovran.
Një rreze e dritës jam, një gjethe mbi pemë
e fiseve të panumërta, njerëzit e parë të të cilëve
jetonin në pyll dhe emigruan,
dhe fise të tjera u hodhën nga lufta në luftë,
dhe fise të tjerësh, banesat e të cilave
të ndërtuara me dru të çmuar, ar dhe xhevahire
shkëlqenin mrekullisht në qytete të bukura.
Që nga ata e deri në vështrimin e heshtur
të nënës sime, që më ka vdekur,
ka pasur vetëm një rrugë të pashmangshme dhe të sigurt
dhe i njëjti shteg largohet nga unë
në kohë pa ndenje në tokë,
drejt njerëzve stërgjysh të largët i të cilëve janë a
dhe jeta e të cilëve përfshin edhe timen.
Dhe duke ecur mbi retë, lart mbi mal,
në ajër të lehtë, jeta ime,
vështrimi im soditës dhe rrahja e zemrës sime,
ishin për mua një mbështetje të cilën e pranova me mirënjohje,
Vlera dhe bukuria e së cilës, megjithatë, s’janë të miat
dhe për këtë arsye nuk do të harrohen.
Dhe fllad i butë malor
më fshiku ballin.
Përktheu: Faslli Haliti
