
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/
Për gruan shqiptare në vite e shekuj është shkruar e folur dhe përsëri e përsëri do të shkruhet e flitet. Në këtë rrjedhë të jetës, për rolin e gruas shqiptare në histori është rreshtuar me dinjitet dhe kulturë dhe një historiane, një mësuese, një edukatore e përkushtuar në jetë për formimin dhe edukimin e brezit të ri me historinë e gruas shqiptare në shekuj. Nefize Hoxha me guxim dhe kurajo sjell para lexuesit emblem të gruas shqiptare të cilat nën qiellin e Europës kanë lënë gjurmë të thella në histori ndër shekuj. Pas librit “Gra që i bëjnë dritë Shqipërisë”, historiania Nafize Hoxha del para lexuesit me librin “Gra shqiptare nën qiellin e Europës”. Është një libër për gratë shqiptare, të cilat në histori kanë lënë dijet, punën, sakrificat dhe trimërinë e tyre, për arsimin, kulturën, edukimin dhe përparimin e shoqërisë, por në veçanti të gruas dhe vajzës shqiptare.
Të gjithë e dimë që gruaja shqiptare në historin e luftërave shekullore të popullit tonë ka luajtur një rol të rëndësishëm për liri dhe pavarësi, si dhe për ruajtje të individualitetit të vet. Nga burime historike dhe folklorike kemi mësuar dhe mësojmë për heroizmin e gruas shqiptare, e cila në rrugën e historisë ka dhënë kontribut të çmuar në mbrotjen e vendit, në të drejtat njerëzore dhe në përparimin shoqëror.
Me këtë mision dhe qëllim të madh për gruan shqiptare, në një këndshikim ndryshe, vjen natryrshëm nga Nefize Hoxha një rrëfim për disa grave të shquara në jetë, që kanë lënë gjurmë në qiellin blu të Europës. Në këtë tribunë me të drejtë janë vendosur me plot dinjitet dhe ëmbëlsi gra që kanë bërë emër dhe kanë lënë gjurmë të dukshme në jetën e popullit shqiptar, por dhe në popuj të tjerë të Europës, ku ato kanë punuar, jetuar dhe luftuar për të drejtat dhe liritë e gruas.
Duke u shtyrë në vite e shekuj gjenden dëshmi, gojëdhana, kronika dhe ngjarje, nxjerrin krye dhe ja përcjellin kohëve tona moderne rolin e madh të gruas shqiptare në luftërat dhe përpjekjet për mbrojtjen e trojeve amëtare, si dhe jetën zakonore, tradicionale, familjare e sociale, në shërbim të shoqërisë njerëzore.
Në ngjarjet madhore të vendit tonë shfaqet princesha Donika Araniti Kastrioti dhe një varg grash në Veri e Jug të viseve shqiptare, si luftëtare të shquara popullore në qëndresën kundër pushtuesve otomanë. Deri në ditët tona, këngët dhe kronikat e kohëve të largëta, përcjellin një informacion të pasur, se si në krahë të luftëtarëve shqiptar, gratë dhe vajzat gjendeshin në ballinat e luftimeve, apo në prapavijat e luftëtarëve, për të transportuar ushqimet dhe armët e luftës.
Ishte Bubulina, kjo arvanitase me gjëmime të mëdha në historinë e Greqisë e të Mesdheut, që u bë një shenjë e shpërthimit të ndjenjave të lirisë. Laskarina Bubulina në penën e Nefize Hoxha sillet si një figurë që ia shton respektin racës shqiptare, duke dëshmuar kështu për personalitetin e një gruaje, që mbi të gjitha mbetet një shembëlltyrë e madhe në universin e së drejtës së popujve për liri.
Elena Gjika në këndvështrimin e autores vjen si një urë lidhëse midis kulturës lindore dhe perëndimore. Ajo qëndron si një figurë e madhe e Rilindjes Kombëtare, si një grua erudite dhe atdhetare, duke dhënë kontribut në folklorë, në studime arti, në letërkëmbime, në fushën estetike dhe në studimin e etnogjenezës shqiptare. Penën e saj deri në fund ajo e përdori për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e Shqipërisë, Atdheut të saj të nderuar…
Urani Rumbo në penën e historianës vjen si një poete, publicist dhe pioniere e arsimit kombëtar shqiptar. Si një grua e shkolluar, e civilizuar, poliglote dhe publicist, e cila u bë shembull frymëzimi i dijes dhe guximit, me bindjen e thellë se gjithsesi dija çan rrugën përmes errësirës. Duke shpalosur kulturën dhe botën e grua shqiptare, në gjysmën e parë të shek. XX, Urania vjen si një punëtore e shquar e shkollës shqipe dhe jep kontributin e saj për zhvillimin dhe përparimin e Atdheut.
Motrat Qiriazi në libër paraqiten si një model i shkëlqyer në historinë e kulturës dhe arsimit shqiptar, duke dhënë shumë në drejtim të ndërgjegjësimit të kombit përmes dijes dhe arsimit. Motrat Qiriazi treguan për shoqërinë, atdheun, njerëzit, për gruan e lirë, pa paragjykime, e mbi të gjitha, diturinë e tyre që nga vlera individuale të çojnë e materializojnë në vlerë kolektive, duke i dhënë dimension shoqëror, atdhetar dhe universal. Ato kanë ngelur yje në qiellin e kulturës dhe të atdhedashurisë shqiptare.
Shote Galica ishte një heroinë legjendare e heshtur, që mbante brenda vetes luftëra, plagë, dhimbje për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ishte guximi i Shotës që theu një koncept të fortë patriakal për gruan, por shpirti liridashës i saj përparoi mbi çdo gjë. Ajo doli në mal përkrah burrit, si një akt trimëror, por dhe dashuri për burrin. Trimëria e saj përflak qiellin e Dukagjinit, ku malësoret dhe malësorët i bëhen krah në luftime. Ajo në jetë shfaqi madhërishëm genin e fortë të rracës shqiptare, e frymëzuar nga ideali i jetës dhe i lirisë.
Bule-Persefoni janë heroina që mbetën në altarin e lirisë. Jeta dhe veprimtaria antifashiste e tyre dëshmojnë qartë shpirtin liridashës që ato kishin. Të dyja u torturuna në qelitë e kalasë së Gjirokastrës, pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre i varën te Rrapi i sheshit të Çerçizit. Edhe në kohët tona, të derdhura në bronz, të dy heroinat duket sikur na flasin dhe përcjellin mesazhe të mëdha lirie dhe atdhedashurie.
Zonja Çurre, heroina e Labërisë shtegëton në mjaft vende të betejave kundër nazifashistëve në Zagori, Përmet, Skrapar, Gramsh, Kurvelesh, Mesaplik, Dukat, Tiranë e gjetkë. Akti i Zonja Çurres dëshmon për qëndresën e lartë morale, për trimërinë e rrallë që dëftoi në luftë. Nëpërmjet kujtimeve të luftëtarëve të lirisë heroina vjen e gjallë në shkrimin e historianes.
Tefta Tashko është artistja që solli artin europian në Shqipëri, ndaj sa herë dëgjojmë këngët lirike e ato popullore të saj, portreti i kësaj këngëtarje të madhe shqiptare në shfaqet madhërishëm. Autorja shkruan se Tefta Tashko deri në në fund të jetës së saj të re mbeti një zë i artë i muzikës shqiptare, dhe bashkë me Vaçe Zelën e Nexhmije Pagarushën ngelën meteor në qiellin e kulturës sonë kombëtare e europiane.
Nënë Tereza në shkrimin e Nefize Hoxha vjen thjeshtë e me një pasuri të madhe informacioni, për jetën e shenjëtores së madhe shqiptare, ku jetën e saj e vuri në dispozicion të njerëzve të mjerë. Nënë Tereza shëndrit dhe i jep lartësi humanizmit përmes ndihmës si sakrificë dhe guxim për të shpëtuar njerëzit nga luftërat, padrejtësitë, egot dhe diferencat e mëdha sociale.
Vaçe Zela përshkruhet me tërë ngrohtësinë e zërit të saj të magjishëm, që i bëri shqiptarët dhe europianët të ngrihen në këmbë e të adhurojnë artisten e madhe. Zëri i saj jehon në sfondin e artë të çdo skene shqiptare dhe kulmon në Lushnje e Tiranë për të ngelur përjetësisht në kujtesë…
Edit Durhani është anglezja që zbuloi botën zakonore e kulturore të shqiptarëve dhe ja bëri të ditur të gjithë Europës, dhe askush si tjetër njeri. Ajo ishte intelektuale, publiçiste, diplomate, studiuese, albanologe, që mori informacione konkrete dhe shkroi e botoi për doket, zakonet, jetën dhe historinë e shqiptarëve. Me nderime për Mis Durhanin, për veprën e saj, shqiptarët ndihen krenarë për miken e tyre të pazëvendësueshme, analizon autorja.
Gruaja smokthinjote në LANÇ është një syth i veçantë, por konkret dhe me fakte tregohen përpjekjet e gruas fshatare në luftë. Ishin mbi 250 gra dhe vajza smokthinjote që u përfshinë në luftë, që dhanë kontribut në ndihmë të partizanëve, ndihmuan në prapavijë, por dhe u rreshtuan në çeta, batalione e brigade sulmuese. Ranë në luftë nga Smokthina Heroina e Popullit Qeriba Derri, partizania Rakibe Dervishaj, si dhe u masakruan e tani janë dëshmore të Atdheut: Sartë Gabaj, Male Kokallaj, Hajdine Zogaj dhe Rubie Shyti (Bocaj).
Libri është një prurje e re për gruan shqiptare e cila me fuqinë e saj, ka bërë që zëri i Shqipërisë të dëgjohet në Europë, duke u rreshtuar kraha për krah, e plot dinjitet e merita me burrat. Këto gra dhe qindra të tjera Shqipërisë i kanë rritur dinjitetin dhe kanë bërë që zëri i saj të dëgjohet në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Libri vjen si një pikënisje për gratë që kanë bërë dhe shkruar histori në jetën shqiptare. Në këtë madhështi të gruas shqiptare, Nefize Hoxha vjen si një zë i veçantë dhe me përmasa, që lartëson dhe i jep dinjitet gruas shqiptare, ku fama e saj është dëgjuar dhe në kontinentin Europian dhe më gjerë.