Nga B.Kastrati/-Qendra e Botimeve Zyrtare botoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmëri të Aktit Normativ të Qeverisë për “Ligjin e nëpunësit civil”. Publikimi i vendimit në fjalë u paralajmërua një ditë më parë nga Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, gjatë një prononcimi për mediat në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, ku u përcaktua kalendari tre javor i punimeve të Kuvendit. Celibashi shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të respektuar vendimet e Gjykatës si detyrim Kushtetues. Referuar publikimit të pritshëm të vendimit në fletoren zyrtare, Konferenca e Kryetarëve, në mbledhjen e djeshme, e cila u braktis nga opozita, mori vendim për shtyrje të shqyrtimit të amendamenteve në seancë dhe në komisionet përkatëse parlamentare. Opozita në vijimësi ka denoncuar mospublikimin në fletoren zyrtare të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese.