
New York, Dhjetor 2025
“Nuk jam politikan – tha republikani Diamant Hysenaj, i cili kandidon për Kongresin Amerikan 2026 – por fqinji juaj, i ardhur nga asgjë, duke luftuar për gjithçka”.
Në një nga ambjentet e Restorantit “The Waterfront NYC”, kandidati republikan Diamant Hysenaj hapi zyrtarisht fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e ardhshme 2026 në SHBA. Në këtë takim ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij Tereza Hysenaj, fëmijët si dhe familjarë të tjerë. Të pranishëm gjithashtu ishin ish kongresmeni republikan Joseph J DioGuardi me bashkëshorten Shirley Cloyes DioGuardi, veprimtarë të njohur të komunitetit shqiptar, gazetarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe përfaqësuesë të komuniteteve të tjera në New York.
Shqiptaro – amerikani Diamant Hysenaj kandidon në Distriktin 14-të në New York, ku i gjithë komuniteti shqiptar është angazhuar për fitoren e tij. Ai garon sot (siç shprehen amerikanët) për kauzën e çështjes sonë kombëtare edhe për vazhdimësinë e palëkundur të marrëdhënieve më të mira mes popullit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në zgjedhjet e përgjithshme, ai ka përballë kongresisten demokrate Alexandria Ocasio-Cortez (AOC) — sigurisht, nuk do ta ketë të lehtë, por asgjë nuk është e pamundur dhe kjo garë i jep atij mundësinë për t’i treguar komuniteteve në New York, e mbarë opinionit amerikan vlerat e virtytet e tij të çmuara si shqiptar, si patriot edhe si një bashkëshort e prind i mrekullueshëm.
I tillë njihet Diamanti edhe në shoqëri, i respektueshëm me të gjithë dhe human, veti këto që i reflekton më së miri në familjen e tij, punën e biznesin e tij, si dhe krejt rrethin shoqëror. Edhe pse në SHBA ka ardhur fëmijë, ku ka përjetuar krimet serbe në Kosovë, ai u rrit dhe edukua ne atdheun e dytë SHBA, në gjirin e familjes së tij, prindërve të tij të dashur patriotë dhe punëtorë, në djepin e lirisë dhe demokracisë amerikane. Sot, ai është një familjar i përkushtuar, biznesmen i suksesshëm e mbi të gjitha, një patriot që kurrë s’e harron vendlindjen, e për këtë ndihet krenar.
Përballja elektorale e të riut nga Kosova, Diamant Hysenaj me Alexandria Ocasio Cortez, ka marrë vëmendje të gjerë në shtypin shqiptar dhe median amerikane. Përkrahja dhe mbështetja që mund t’i japim të gjithë ne si shqiptarë kandidimit të tij promovon jo vetëm suksesin e Diamant Hysenajt, por edhe të krejt shqiptarëve. Suksesi i tij do të jetë edhe suksesi ynë i përbashkët. Zëri i tij në Kongresin Amerikan është i domosdoshëm për Kosovën nga ai ka ardhur, Shqipërinë e të gjitha trojet shqiptare.
Kandidimi i tij për zgjedhjet e ardhshme të 2026 në Amerikë shpreh edhe një herë qartë mirënjohjen e falenderimin që shqiptarët kanë për mbështetjen që SHBA i kanë dhënë Kosovës për të qenë e lirë, e pavarur dhe larg pushtimit serb. Dhe historikisht përpjekjet amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.
Slogani i kandidatit republikan Diamant Hysenaj në festën e lançimit të fushatës së tij elektorale flet për një të ardhme më të mirë që duhet ta ndërtojmë së bashku. Pikat e referimit të fushatës së tij i ka përqëndruar kryesisht tek emigracioni, shkollimi, strehimi, rendi dhe qetësia publike. “Emigrantët – thotë ai – nuk janë numra, janë motorë të Amerikës. Për kostot e jetesës tha se familjet e thjeshta nuk e përballojnë dot më jetesën në New York dhe se fëmijët tanë duhet të ecin të lirë, jo me frikë. Disiplina dhe ekselenca duhet të kthehen nëpër shkolla. Duke i dhënë rëndësi bizneseve të vogla tha se, në New York, biznesi i vogël po humbet shpirtin e tij si sipërmarrës.
Z. Hysenaj kujdesin shëndetësor me kosto të ulët për fëmijët e shikon si prioritet të veçantë dhe rrugët e lagjet në Distriktin 14-të në New York, premtoi se “së bashku do t’i mbajmë të pastra e të sigurta”.
“Distrikti 14-të në New York – tha ai – meriton një udhëheqës që ka ecur në këto rrugë, është përballur me vështirësitë dhe e di se çfarë duhet për tu ngritur. Së bashku mund të rregullojmë atë që është prishur dhe të ndërtojmë një të ardhme për të cilën jemi krenarë.”
“Bashkohuni me mua – vijoi ai – për të rivendosur premtimin e NY-14: Foli për strehim të përballueshëm që i lejon familjet të marrin frymë më lehtë, për politikat e emigracionit që të funksionojnë edhe për komunitetin tonë. Vende pune dhe rritje ekonomie. Jam gati të përvesh mëngët dhe të filloj punën për ju. Le të bëjmë NY-14 të shkëlqejë përsëri.”
Menaxhere e fushatës elektorale të kongresmenit të ardhshëm amerikan Diamant Hysenaj është e reja nga Kosova, Ana Mani, e cila bëri edhe prezantimin e kandidimit të tij. Hymnet Kombëtare u kënduan nga Dea Kërliu. Ky takim u shoqërua me këngë e muzikë live nga grupi muzikor i artistëve të famshëm shqiptarë Faton Macula dhe Mira Konçi. Në fund të takimit të tij elektoral në “Waterfront NYC”, duke falenderuar të gjithë të pranishmit, kongresisti ynë i ardhshëm republikan Diamant Hysenaj tha: “Kjo nuk është një betejë e së majtës apo e së djathtës. Kjo është beteja midis të drejtës dhe të gabuarës”.