- Viti 2016- Një ngjarje e cila do të mbetet në histori është shenjtërimi i Nënë Terezës…../
- ndërkohë që për Kishën katolike shqiptare do të ketë edhe dy lajme të tjera me peshë: Lumturimi i 38 martirëve të saj dhe…./ emërimi Kardinal I Dom Ernest Troshanit…/
Nga Armand Mero*/Si rrallë ndonjëherë, një çështje e vetme mbizotëroi që nga fillimi deri në fund të vitit: Reforma në Drejtësi kushtëzoi debatin e brendshëm, ndërsa pesha e saj do të jetë përcaktuese për një marrëdhënie të re me Brukselin. Por ndërsa tema të tjera si dekriminalizimi, përhapja e marijuanës, apo dhe zhvillimet e përplasjet brenda forcave politike do të lënë gjurmët e tyre, një ngjarje që do të mbetet në histori do të jetë shenjtërimi i Nënë Terezës.
REFORMA NE DREJTESI
Në fillim të vitit palët kishin në tavolinë opinionin e ndërmjetëm të Komisionit të Venecias. Ekspertët e nivelit të lartë në Komisionin e posaçëm parlamentar ishin angazhuar për të rishikuar ndryshimet. Por opozita e kundërshtoi duke folur për një tekst të njëanshëm dhe hodhi idenë e një zgjidhjeje politike mbi çështjet e debatueshme. Kjo ide u mbështet nga Presidenti Bujar Nishani, por dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili më 5 Janar deklaroi: “Ne jemi në Republikën e Shqipërisë dhe jo në Republikën e ekspertëve”. Pak ditë më pas edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta do të këmbëngulë për të njejtën tezë: “Eshtë koha e çeljes së dialogut politik parlamentar”.Por socialistët kërkuan që puna të vazhdojë me ekspertët, të cilët më 11 Janar, deklaruan se kishin përfunduar rishikimin e ndryshimeve kushtetuese. Opozita këmbënguli në rrezikun e kapjes së sistemit nga qeveria. Më 15 Janar Komisioni i posaçëm votoi dërgimin në Venecia të tre drafteve, përfshirë variantin e PD por dhe një tjetër të LSI-së.
Opinioni përfundimtar i Venecias
Përpara se të shpreheshin përfundimisht, një grup ekspertësh të Komisionit të Venecias ishte në Tiranë në Janar. Opinioni u bë publik më 27 shkurt, ndërsa u miratua përfundimisht më 12 Mars. Komisioni vlerësoi pozitivisht variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, i cili sipas tij, ishte “gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane”. Ndërsa la në zgjedhjen e palëve në Shqipëri të problemit të debatueshëm 2/3 apo të 3/5, duke ofruar dhe formula alternative.
Për kryetarin e komisionit të Posaçëm Fatmir Xhafaj, opinioni “qartësisht dhe pa asnjë ekuivok, ka rikonfirmuar pozitivitetin e iniciatovës kushtetuese për të reformuar sistemin e Drejtësisë”. E kënaqur dhe opozita sipas së cilës shqetësimet e saj “adresohen gjerësisht pothuajse në të gjithë paragrafet e draft-Opinionit të Komisionit të Venecias”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.Palët do të debatojnë fort për mënyrën se si do të ecet më tej, ndërkohë që opozita renditi të paktën 10 pika të cilat sipas saj duhet të merreshin parasysh. Ideja e negociatave në nivel politik u rishfaq. Por për kryetarin e Komisionit Fatmir Xhafaj, duhet të ishin sërish ekspertët që të bënin rishikimin sipas Komisionit të Venecias
Trysnia ndërkombëtare
Më 26 Janar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu do të saktësojë dhe një herë se “unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë se përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri, është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin europian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme në këtë proces? Qartazi është Reforma në Drejtësi”.Edhe në vizitën e tij në Tiranë më 14 shkurt sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje: “Jam shumë i inkurajuar nga paketa e Reformës në Drejtësi që është duke u shqyrtuar për të përmirësuar gjyqësorin dhe për të lejuar një goditje më të madhe ndaj korrupsionit”. Një temë e cila u trajtua dhe në takimet e kryeministrit Edi Rama në Shtëpinë e Bardhë në Prill.Në Tiranë ambasadori amerikan Donald Lu, do të njoftojë se “Qeveria e SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara disa gjykatësve të korruptuar, duke u refuzuar apo anulluar vizat. Ky është vetëm fillimi”.Së bashku me homologen e tij të Bashkimit europian Romana Vlahutin ai u angazhua gjatë gjithë vitit në përpjekjen e vështirë për të afruar qëndrimet e palëve. Brukseli dhe Uashingtoni janë në sintoni për çështjen e Reformës. Në 3 Mars, në parlamentin shqiptar, Përfaqësuesja e Lartë e BE Federica Mogherini duke vlerësuar reformën, ju referua dhe opinionit të Komisionit të Venecias duke bërë thirrje që “bazuar në të, miratojeni reformën”.
Por komunitetit ndërkombëtar do t’i duhet të harxhojë shumë energji në muajt që do pasojnë, ndërsa çështja e Reformës ndërthurret dhe me problemet e politikës së ditës. Në fillim të Majit ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS-it dhe OPDAT-it do të paraqesin tekstin e shkruar prej tyre mbi bazën edhe të propozimeve të palëve. Ambasadorët Lu e Vlahutin do të jenë në krah të tyre. “Do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë Reformë”, u shpreh ambasadori Lu duke ju drejtuar anëtarëve të Komisionit. Në të njejtën linjë dhe ambasadorja Vlahutin: “BE dhe SHBA-ja janë këtu sepse jemi të interesuar për Shqipërinë e nuk do të lejojmë që politika e ditës të cënojë të ardhmen e vendit”.
Pak ditë më pas, me një lëvizje të paprecedent, të dy ambasadorët do të organizojnë takime me grupet parlamentare shqiptare, ndërsa në Komisionin e Posaçëm u miratuan në parim ndryshimet kushtetuese.
Megjithatë, një javë më vonë, më 18 Maj, PD paraqiti një draft paralel” Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar që do të përbëjë dhe bazën e negociatave tona”, pohoi kryetari demokrat, Lulzim Basha. Por për shumicën kjo lëvizje është kthim në pikën ZERO. Dhe dy ditë më pas, propozimet do të rrëzohen në Komision.
Më 27 Maj, kryeministri Edi Rama ftoi sërish kreun e opozitës për një takim, i cili do të mbahet më 6 qershor. Opozita ofroi ndërkohë formulën e “Vendeve të Rezervuara” sipas së cilës emërimet nga parlamenti në institucionet e drejtësisë të kryhen sipas përfaqësimit të palëve në sallë. Kryeministri Rama nga ana e tij deklaroi se do të pranonte propozimin fillestar të opozitës, atë të formulës së 2/3-ve.
Sytë dhe vëmendja u përqëndruan në takimin e 6 Qershorit, ku ekspertët ndërkombëtarë kishin ofruar një formulë kompromisi. Por dhe ky takim nuk do të sjellë asnjë rezultat. “Pas këtij takimi Reforma do të niset drejt e për në sallën e Parlamentit”, tha në përfundim të bisedimeve kryeministri Rama. Por kreu i opozitës paralajmëroi, pak minuta më pas se “çdo akt i njëanshëm i dërgimit në parlament i një pakete të parakorduar me opozitën, do të takohet atje me dështimin e sigurt”.
Dy ditë më pas ambasada amerikane do të shprehet e zhgënjyer për dështimin duke theksuar se “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë” e duke mbështetur dërgimin në parlament të ndryshimeve. Sërish në sintoni me të dhe Bashkimi europian. Të dyja palët i bëjnë thirrje përgjegjësisë personale të deputetëve. Opozita reagoi duke deklaruar se varianti i vendeve të rezervuara ishte ofruar nga ekspertët ndërkombëtarë
Më 10 Qershor do të zhvillohet dhe një takim mes zotit Meta dhe Basha. Edhe ky pa rezultat konkret. Ndërsa më 14 Qershor Komisioni i posaçëm miraton pa opozitën projektin e ndryshimeve kushtetuese. Ambasada amerikane do të përshëndesë miratimin, ndërsa reagimeve të mëpasshme të opozitës ambasadori Lu do t’i përgjigjet më 27 Qershor, duke deklaruar se “tri herë që prej 4 majit SHBA-t e BE-ja, kanë ofruar propozime të arsyeshme për kompromis . Shumica i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithnjë dicka për të refuzuar”. Ky i fundit reagon duke u shprehur se “propozimet kanë qenë e njejta prerje por me veshje të ndryshme”
Drejt votimit
Në seancën e 30 Qershorit parlamenti përfshiu në rendin e ditës miratimin e reformës me 21 korrik, ndërsa vazhdojnë përplasjet përmes variantesh të ndryshme që hidhen në diskutim
Më 10 Korrik në Tiranë mbërrin ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland. Pas takimeve mes palëve ajo njofton për “një propozim hybrid i cili përmban elementë nga idetë e qeverisë dhe elementë nga idetë e opozitës, i cili është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”
Ndërsa e majta pranoi formulën e ofruar, demokratët, më 13 Korrik, kundërshtuan kompetencat që i njihen misionit ndërkombëtarë i cili do të angazhohet për vleresimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Jo kompetenca kushtetuese dhe as quasi kushtetuese”, u shpreh kryetari Basha. I menjëhershëm reagimi i kryeministrit Rama: “Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo ‘të huajt’ nëpër këmbë”.
Ambasada shprehet sërish e zhgënjyer dhe dy ditë më pas ambasadori Lu do të deklaronte: ”I thashë zotit Basha se propozimi I tij ishte i papranueshëm për Shtetet e Bashkauara dhe se tregon se ka thyer zotimin e tij të dielën ndaj ambasadores Nuland”. Ai i bëri thirrje udhëheqësve politik të mbyllen deri në gjetjen e një zgjidhje, përndryshe parlamenti të votonte në favor.
Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, i cili në të kundërt këmbënguli gjatë për nevojën e miratimit me konsensus bëri më 17 Korrik, një propozim të papritur: “Rruga më e mirë do të jetë ndërtimi I një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të Reformës e çon vendin në zgjedhje”.
Me ftesë të zotit Meta të nesërmen zhvillohet një takim tresh me kryeministrin Rama dhe zotin Basha. Pas takimit palët angazhuan përfaqësuesit e tyre të rinisnin bisedimet. Ambsadorët nuk morën pjesë “ përsa kohë në tryezë nuk ishte përfshirë propozimi i zonjës Nuland”, dhe një ditë më pas, më 19 Korrik, ambasadori Lu, bëri një paralajmërim të fortë: “Do të ketë pasoja specifike negative nga SHBA-të për ata udhëheqës politik që do të votojnë kundër kësaj Reforme”.Një ditë para votimit, palët brohorasin për arritjen e një marrëveshjeje pas ndërmjetësimit të Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn. Ngërci u rikthye sërish në mbrëmje ndërsa elementët e dakortësuar do të duhet të integroheshin në tekstin e ndryshimeve kushtetuese.Seanca për votim nisi me tone të acaruara. Zoti Meta deklaroi se nëse opozita nuk e voton reformën “unë do të iki nga Kryetar i parlamentit. Do të votoj Reformën dhe do të iki, Pse do të iki? Sepse nuk mund të qëndroj në një parlament që voton nën presione, nën shtanzhe, me sms-ra, një Reformë që duhet ta votojë me bindje”. Më pas kryetari i parlamentit ftoi palët të vazhdonin bisedimet: “Duke filluar nga unë, ambasadori Lu të sqarojmë me zotin Basha dhe të gjithë aktorët e tjerë çështjen”.Zgjidhja do të vijë në mbrëmje vonë kur në favor të reformës do të ngrihen të 140 kartonat e deputetëve. Duartrokitjeve që mbushën sallën i bashkohen nga llozha dhe ambasadorët Lu e Vlahutin të ngritur në këmbë për të përshëndetur rezultatin e shumëpritur.
Beteja e re për ligjet
Miratimi i reformës nuk mbylli hendekun mes palëve. Një betejë e re nisi për paketën e ligjeve që i hapnin rrugë zbatimit të Reformës. I pari në listë ishte ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Opozita paraqiti që në fillim të Gushtit një sërë vërejtjesh të cilat u morën në shqyrtim nga ekspertët e Euralius-it dhe OPDAT-it. Përgjigja e tyre erdhi me 17 Gusht. Ata vlerësuan t’i qëndronin tekstit të tyre duke i mëshuar faktit se “roli e misionit ndërkombëtar nuk mund të reduktohet” si dhe duke përcaktuar vijat e kuqe, tejkalimi i të cilave do të bënte të pamundur angazhimin financiar dhe teknik të BE-së.
Në mbledhjen e radhës më 23 GUSHT Komisioni miraton variantin e ekspertëve ndërkombëtarë. Opozita parlajmëron ankimim: “Ky projektligj që kaloi sot shumica në Komisionin ad hoc është antikushtetues. Ne jemi të sigurt se nuk do të mund t’i qëndrojë dot testit kushtetues përpara Gjykatës”, deklaroi zoti Bylykbashi.Seanca e votimit do të jetë më 30 gusht. Opozita paraqet një dokument të plotë me vërejtjet e saj duke njoftuar se nuk do e votojë “këtë projektligj i cili ka ardhur pa konsensus, që dhunon kushtetutën dhe standartet më të mira euroatlantike. Ju faleminderit. Ne po largohemi”, tha deputeti Eduard Halimi.Ligji kalon me 88 vota. Gjatë muajit shtator do të diskutohen dhe 6 ligjet e tjera. Opozita dha konsensusin vetëm për ngritjen e Prokurorisë speciale antikorrupsion, dhe Byrosë kombëtare të Hetimit, ndërsa më 5 Tetor ankimoi në Kushtetuese vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për kryeministrin Edi Rama ky veprim opozitës ishte “në aleancë të hapur me korrupsionin dhe me krimin e mafian që mban peng sistemin e Drejtësisë”.Gjykata Kushtetuese do të vendosë më 25 Tetor, pezullimin e ligjit dhe ju drejtua Komisionit të Venecias për një opinion. Në përgjigjen e cila mbërriti në Dhjetor theksohej se sipas Komisionit “dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata shqiptare”. Vendimi i Kushtetueses u mor më 22 Dhjetor. Me 6 vota kundër dhe 2 pro, kërkesa e opozitës u rrëzua.Në ndërkohë, po në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar edhe dy ligje të tjera, pjesë e paketës emergjente për zbatimin e Reformës, njëri i ankimuar nga dy shoqata e gjyqtarëve dhe një tjetër po nga Partia Demokratike.
HAPJA E BISEDIMEVE ME BRUKSELIN
Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit europian kishin përsëritur disa herë se miratimi i Reformës në Drejtësi do të ishte shtysa e nevojshme për një rekomandim pozitiv nga ana e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve më Shqipërinë.Në shtator, duke përfituar nga mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asocimit, kryeministri Edi Rama shkoi vetë në Bruksel për të marrë pjesë në takimin ku ndodhej edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria e kishte kryer pjesën e saj dhe se i takonte tanimë Komisionit të mbante premtimin.
Më 9 Nëntor Komisioni vlerëson miratimin e Reformës në Drejtësi dhe përparimet e qëndrueshme për 5 prioritetet kyçe, duke theksuar se mbetet ende punë për të bërë. “Kjo është arsyeja pse rekomandimi ynë është i kushtëzuar me progresin e besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në këtë kontekst, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë thelbësor për besueshmërinë e procesit, dhe ne këtu duhet të shohim rezultate”, nënvizoi komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn.
Fjala përfundimtare i takon vendeve anëtare. Autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje për të siguruar mbështetjen e tyre. Italia dhe Austria organizuan më 14 Nëntor, një takim me Grupin e Miqve të Shqipërisë, ku shumica e 28-shes përfaqësohej me ministrat e Jashtëm. Në fund të Nëntorit Kryeministri Edi Rama do të pritet dhe nga kancelarja Angela Merkel.
Më 13 Dhjetor, vendet anëtare, rikonfirmuan rekomandimin e Komisionit dhe lanë të hapur mundësinë e një raporti të ri, pa pritur paketën e zakonshme të Zgjerimit, nëse vendi do të dëshmojë se ka bërë përparim. “Ka një marrëveshje të qartë. Ne nuk do të kemi nevojë të presim raportin e ardhshëm të komisionit, në pranverë të vitit 2018, por ka një angazhim të Komisionit që të informojë apo të rishqyrtojë ecurinë e Shqipërisë, sa me shpejt apo kur të ketë përparim të prekshëm. Pra unë mendoj se ky është një rezultat i qartë dhe pozitiv dhe se Shqipëria duhet të jetë e kënaqur”, deklaroi ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, në emër të presidencës së BE-së.Ndërkohë Këshilli, kërkoi që vendi “të garantojë zbatim të qëndrueshëm, të gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës të 5 prioriteteve kyçe përpara hapjes së negociatave”
RIKTHIMI I MARIJUANES
Ndërsa u duk se ndërhyrja në Lazarat dy vjet më parë do të mjaftonte si një sinjal i fortë kundër kultivimit të marijuanës, në verën e këtij të viti fenomeni u rikthye me një përhapje të gjerë thuajse në të gjithë vendin.“Droga është kthyer në minierën e floritit të zyrtarëve kanabist, të partisë kanabiste, të qeverisë kanabiste”, do të akuzonte me 15 shtator në sallën e parlamentit ish kryeministri Sali Berisha. Përgjigja e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nuk vonoi: “Tani kusht është karteli i drogës në këtë sallë? Ne që sot që shkatërrojmë 99.6 për qind, apo këta që shkatërronin 7 përqind?”, u shpreh zoti Tahiri duke ju drejtuar opozitës.
Debatet për kultivimin e marijuanës do të jenë thuajse të zakonshme në sesionet e parlamentit gjatë vjeshtës, ndërsa njoftimet e policisë flisnin çdo ditë për mijëra rrënjë të shkatërruara, fakt i cili sipas saj, ishte dëshmi se fenomeni po goditet. Opozita në disa dalje të njëpasnjëshme akuzoi me emra drejtuesë policie të përfshirë drejtpërdrejtë. Ministria e Brendshëme I hodhi poshtë akuzat por përmendi dhe hetime brenda radhëve të uniformave blu.
Raporti Guardia di Finanza-s italiane, mbështetur në të dhënat nga vrojtimet ajrore, ishte një konfirmim i shtrirjes së fenomenit. Në vitin 2013 vetëm sipërfaqja e mbjellë në Lazarat llogaritej të ishte 319 hektarë. Dy vjet më pas, në 2015, kur ky fshat ishte fshirë nga harta e marijuanës, sipërfaqja ishte 44,7 hektarë, ndërsa këtë vit mbi 213 hektarë. Edhe sasia e shkatërruar nga policia, mbi 2.4 milion rrënjë, deri në tetor, ishte tre herë më e madhe se ajo e vitit të kaluar.
“Qeveria është brenda, Edi Rama dhe Saimir Tahiri, janë brenda në organizatën më të madhe të drogës që është vetë qeveria”, deklaroi zoti Basha duke reaguar pas raportit të Guardia di Finanza-s.
Për përfaqësuesit e policisë italiane fushata e fluturimeve ajrore duhet të vijojë edhe vitin e ardhshëm duke nisur me herët që në maj.
Shqetësim për përhapjen e fenomenit do të shprehë dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, sipas të cilit nëse do të ishte e nevojshme në luftën kundër fenomenit mund të përfshihej dhe ushtria: “Ose do të ndahemi tani, sa ka filluar, ose kur të ndahemi pastaj do të jetë shumë vonë dhe shumë e dhimbshme”, u shpreh zoti Manjani më 14 Tetor.
Në javët që do pasojnë deri në fund të vitit njoftimet për sasi të tjera marijuana të sekuestruara apo zbulime dhe magazinash ku depozitoheshin tonelata të tëra, do të jenë të shpeshta, sikundër dhe përpjekjet për trafik drejt Italisë dhe Greqisë. Një fakt që u konfirmua në dhjetor dhe nga prokurori i antimafias italiane në Lecce Cataldo Motta gjatë vizitës në Tiranë më 1 Dhjetor: “Situata është e tillë që kërkon një intensifikim të bashkëpunimit më shumë se në të kaluarën sepse është rritur trafiku si, ai me origjinë nga Shqipëria ashtu dhe nga rajone të tjera”
SHENJTERIMI I NENE TEREZES
Por nuk ishte vetëm politika ajo që dominoi përgjatë vitit 2016. Një ngjarje e cila do të mbetet në histori është shenjtërimi i Nënë Terezës, ndërkohë që për Kishën katolike shqiptare do të ketë edhe dy lajme të tjera me peshë: Lumturimi i 38 martirëve të saj dhe emërimi Kardinal I Dom Ernest Troshanit.Ishte ora 10.40 e së dielës së 4 shtatorit kur Papa Francesco lexoi në latinisht formulën e shenjtërimit të Nënë Terezës përpara më shumë se 100 mijë të pranishmëve që kishin mbushur Shehin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi kishte bërë botën të fliste për të dhe veprën e saj, duke u thyer në një simbol të dhembshurisë dhe ndihmës ndaj të braktisurve. E për këtë dhe Papa Francesco u shpreh se “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta therrasim e Shenjta Terezë. Shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur e bujare san ë mënyrë spontane do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.Më 5 Nëntor në një ceremoni të posaçme në Katedralen e Shkodrës, do të kryhet Lumturimi i 38 martirëve të Kishës katolike, të vrarë gjatë rregjimit komunist, ndërsa me herët në tetor, të vetmin dëshmitar të gjallë që i mbijetoi burgjeve të diktaturës, dom Ernest Troshanin, Papa Francesco e kishte emëruar Kardinal. Ceremonia do të mbahet në Vatikan në 11 Nëntor.
Në dhjetor ai do të jetë i ftuar i parlamentit shqiptar. Në fjalën e tij të shkurtër ai do t’u kujtojë deputetëve: Bëni që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim. Dhe vetëm atëherë keni për të patur respektin e thellë të njerëzve të thjeshtë që kanë patur besim te ju”.* Zeri i Amerikes.