TIRANË, 5 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Presidenti Bujar Nishani vlerësoi sot Nënkomisarin Simon Gjeta (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit.”
Nënkomisarin Simon Gjeta, ra dëshmorë ditën e shtunë në mbrëmje, në përpjekje për të kapur një shtetas në kërkim. Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij. Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë.
Trupi i pajetë i nënkomisarit Simon Gjeta mbërriti pranë familjes në Tiranë i shoqëruar nga policia. Ishte vetë kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako që i dorëzoi me përulje familjarëve të afërmin e tyre për t’i dhënë lamtumirën e fundit, edhe pse do të donin që Simoni të vinte gjallë nga triumfi i tij i radhës në detyrë. Kryepolici Çako udhëhoqi operacionin ku u vra dhe personi që i mori jetën efektivit Gjeta.