PRISHTINË, 23 Tetor 2015/ “Opozita është duke e mbrojtur sovranitetin e cënuar të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar kryeparlamentari kosovar i mandatit të kaluar, Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nisma-s, subjektit të tretë opozitar kosovar.
“Të gjitha marrëveshjet e bëra deri më tani me Serbinë janë të dëmshme”, ka vlerësuar ai.
“Marrëveshja me Serbinë, Zajednica (Bashkësia e komunave serbe), është sikur me vendos “mina” (bomba) nëpër Kosovë, që kur të dëshiron pastaj Serbia mund ta çajë Kosovën”, është shprehur kryetari i Nisma, Fatmir Limaj.
Këto deklarata drejtuesit e Nisma për Kosovën i bënë në një takim me strukturat e NISMA-s në Prishtinë, derisa opozita e bashkuar, ku bëjnë pjesë edhe LVV e AAK, në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka paralajmëruar edhe sot bllokim të seancës së Kuvendit të thirrur për pasdite./b.j/