
Rafael Floqi – Kryeredaktor/
Te dashur teleshikues, të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës! Mirë se vini mirë në ketë 25 vjetor në një ditë të shënuar për të gjithë ne. Më 20 maj 2025, TV i Shqiptarëve të Amerikës — ALBTVUSA — mbush plot 25 vjet jetë! Një çerek shekulli përkushtim. Një jetë e tërë dashuri. Një rrugëtim i vështirë, por fisnik. Të lindësh si një media në diasporë është një sfidë. Aq me tepër që njё media televizive mungonte në atë kohë. Të mbijetosh për 25 vjet dhe të rritesh si zëri dhe pasqyra e një kombi në mërgatë — kjo është një arritje. Një arritje që kërkon më shumë sesa dëshirë. Kërkon përkushtim ndaj rrënjëve tua, ndaj gjakut tënd, ndaj gjuhës, këngës, dhe zemrës shqipe.
Kërkon që peshën e fjalës së lashtë pellasgjike ta përcjellësh përmes teknologjisë më moderne, me mjete kompjuterike, me vizion, përkushtim dhe dashuri. Kërkon që fryma kuq e zi të mos shuhet kurrë, pavarësisht se sa larg janë brigjet tona nga brigjet e vendlindjes. Ne jemi krenarë sepse ALBTVUSA është televizioni i parë dhe i vetmi në kohë dhe në hapësirë, në gjithë diasporën shqiptare, kudo në botë.
Ky çerek shekulli e vërteton këtë, sepse ALBTVUSA nuk është një biznes përfitues, por është më shumë një biznes i përkushtimit për komunitetin shqiptar – për të tjerët.
Jo më kot, një portret i Nënë Terezës ndodhet në ballë të studios sonë, si simbol i shërbimit pa kushte dhe dashurisë për njerëzit tanë. Atdhedashuria dhe pasioni janë gërshetuar me punë të palodhur dhe sakrifica të mëdha, për të arritur objektivin që ALBTVUSA t’u shërbejë sa më profesionalisht bashkatdhetarëve në emigracion. Kështu, pra, TV i Shqiptarëve të Amerikës u themelua në një kohë kur ekzistonte një zbrazëti mediatike televizive, një boshllëk në pasqyrimin e jetës shqiptare në emigracion – një nevojë e vërtetë për një zë të përbashkët, për një dritare që do të pasqyronte më gjerësisht dhe më nga afër realitetin, sfidat dhe triumfet e komunitetit tonë. Dhe kjo dritare ishte – dhe mbetet – ALBTVUSA.
25 vjet janë një jetë pune dhe përkushtimi. Por, që fatkeqësisht, ndonjëherë nuk është vlerësuar si duhet, megjithatë në këtë udhë të gjatë, kemi hedhur çdo hap me guxim, me bashkëpunim, me idealizëm.
Sepse ALBTVUSA është fryt i dashurisë për kombin, është frymëzim i bashkimit kombëtar. Por është edhe arritje e një drejtuesi dhe e një stafi që e bëri mision jetësor shërbimin ndaj komunitetit. E një stafi që, pavarësisht kushteve, qëndroi gjithmonë në krah të kauzës. Dhe është mbi të gjitha, arritje e një komuniteti që besoi dhe e mbështeti këtë ekran. TV i ynë ka jetuar për 25 vjet — dhe do të jetojë edhe 100 të tjera! Për aq kohë sa do të ketë shqiptarë që i thonë bukës “bukë”, që e ndjejnë shqipen në zemër, që krenohen me flamurin tonë.
Ne jemi bazuar ne strategji dhe mbështetur ne një strukture programore në nivelet e mediave bashkëkohore që e realizon misionin nëpërmjet programeve tona të shumëllojshme që mbulojnë të gjitha fushat e jetës në emigracion dhe vendlindje.
Emisionet tona “Thank You!”, Argument, Dhimbje-Lotë-Shpresë, Horizont, Univers, Fjala e Specialistit, What’s New, Hitparada, Hapësirë pa kufi, Kur bie fyelli çiftelia, Dëgjoni këngën time, ALBTVUSA në bizneset shqiptare, Kombi Ynë, Memo, Kronika Informative e Lajmeve, Speciale, Rubrika Sportive, Emisioni për fëmijë “Shqiponjat Flasin Shqip”, etj. na bëjnë të ndihemi krenarë pasi ndiqen dhe parapëlqehen nga ju.
Ndaj sot ALBTVUSA ofron një platformë për shqiptarët që jetojnë në Amerikë për të qëndruar të lidhur me vendlindjen dhe rrënjët e tyre kulturore. Nëpërmjet një sërë programesh, duke përfshirë lajme, dokumentarë, muzikë dhe emisione argëtuese. ALBTVUSA ofron një dritare në mënyrën e jetesës shqiptare, duke shfaqur historinë, traditat dhe zhvillimet moderne të vendit.
Ajo shkon përtej ruajtjes kulturore. Ai shërben gjithashtu si një burim informacioni për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke ofruar lajme dhe përditësime mbi çështjet shqiptare dhe amerikane që janë të rëndësishme për komunitetin.
Kështu komuniteti mbahet i informuar dhe të angazhuar, duke i lejuar shqiptarët të marrin pjesë aktive në shoqërinë amerikane duke ruajtur identitetin e tone unik kulturor. Ne sot jemi një arkivë e gjallë e historisë çerek-shekullore të diasporës së Amerikës në video. Ndaj, me krenari mund të themi, se ‘Jemi i pari dhe i vetmi televizion shqiptar me transmetim ditor në Prime Time në SHBA, me dy orë çdo ditë në Comcast Miçigan, me 24 orë live në mbarë botën përmes TV Over IP, në ShqipTV, TV Alba, TIBO dhe live-stream në websajtin zyrtar www.ALBTVUSA,com. Jemi në social media me mijëra ndjekës që na motivojnë çdo ditë. Po ashtu Tani në sajë të angazhimi tonë Facebook, Youtube, Instagram, Twitter/X e Tik Tok,kemi rritur dhe arritur numra të paimagjinueshëm shikuesish dhe likes nga e gjithë bota dhe vlerësuar nga agjencitë përkatëse me mbi 7 milionë shikues. Tani së fundi në bashkëpunim me kompaninë Lightcast, TV ynë mund të shihet të gjithë botën 27/7 në aplikacione në Smart TV, në platformat OTT Rroku Apple TV, dhe Fire TV, si dhe në aplikacionet brenda Smart TV: Samsung, LG dhe Vizio pa pagesë për të gjithë shikuesit. Si dhe në çdo celular aplikacionet tona për celular Apple dhe Android kudo në botë. Natyrisht dhe radion tonë që mund ta dëgjoni shqip në çdo makinë.
Me krenari themi se kemi qenë gjithmonë një hap përpara me teknologjinë: Produksione në High Definition 4K, filmime në natyrë, transmetime live, studio moderne dhe në modernizim të vazhdueshëm.
Ne jemi zëri i të gjitha moshave, i të gjitha krahinave, i çdo shqiptari që frymon shqip në Shqipëri Kosove Mali Zi e Maqedoni e Çamëri. Ne kemi dokumentuar jetën e komunitetit në Miçigan, në Nju Jork, dhe më gjerë, falë edhe lidhjeve me video direkte. Synimi ynë është i qartë: të jemi pasqyra më përfaqësuese e shqiptarëve në Amerikë dhe më gjerë. Dhe kemi bërë këtë pa u lidhur me asnjë parti, pa u kapur pas interesave politike apo ekonomike. Sepse partia jonë është Shqiptaria. Ndaj kemi krijuar programe dhe cikle unike — si “Malësia pëllëmbë e thesar”, që zgjuan krenarinë e Malësisë së Madhe. Kemi sjellë figura të shquara dhe njerëz të thjeshtë në ekran. Kemi krijuar një seri dokumentarësh për figura dhe aktiviste në zë të komunitetit, bëjmë filmime eventesh personale, krijojmë reklama dhe videoklipe. Kemi prodhuar një mozaik emisionesh: nga “Argument” tek “Thank You”, nga “Dhimbje, lot e shpresë” tek “What’s Up”, nga “Këndi i emigrantit, nga “Memo Informative” tek “Hapësirë Pa Kufij”, etj. unike për mediat shqiptare.
Dhe ndryshe, nga çdo TV tjetër që mund ta shihni në shtëpi, ne ju sjellim atë që nuk e gjeni askund tjetër: Jetën, portretin, vitalitetin dhe historinë e diasporës shqiptare të Amerikës në 25 vite ! Kjo është arsyeja pse jemi unikë. Dhe pse kemi besimin tuaj. Dhe ja pse reklamat tona ndihmojnë bizneset tuaja. Pasi edhe audienca jone është shndërruar ne klientelë të bizneseve reklamuese shqiptare dhe për shqiptarët.
Pse jemi ura mes jush dhe vendit tuaj të origjinës.
Me ne, identiteti shqiptar në vend që të shkrihet në “tenxheren e përzierjes”, në SHBA ka treguar se mund të mbijetojë dhe të lulëzojë kur ka instrumente për ta mbajtur gjallë dhe të njohur si ALBTVUSA.
Të nderuar miq,
Ajo që kërkojmë nga ju është vetëm mirënjohje dhe mirëkuptim. Mirënjohje për gjithçka kemi dhënë.
Mirëkuptim për mangësitë që mund të kemi pasur.
Sepse përtej çdo vështirësie, zhvillimi ynë është dëshmi e përditshme e një pasioni që nuk shuhet.
Në diasporë, identitetit shqiptar është një akt i ndërgjegjshëm – një përpjekje për të ruajtur lidhjen me origjinën, ndërkohë që përfshihesh në një shoqëri të re.
Në këtë proces, roli i medias komunitare është jetik. ALBTVUSA, për më shumë se dy dekada, ka ndihmuar jo vetëm në informimin e diasporës, por në ndërtimin dhe ruajtjen e një vetëdijeje kolektive shqiptare në një tokë të huaj. Kjo media nuk funksionon thjesht si një dritare që transmeton lajme nga vendlindja, por si një strukturë përfytyrimi komunitar. Ne e kemi krijuar Shqipërinë natyrale me nesh ne e kemi bashkimin kombëtar mes nesh, pasi ju teleshikuesit tanë jeni të bashkuar nga një gjuhë nga një gjak. ALBTVUSA ndihmon shqiptarët e Amerikës të “imagjinojnë veten” si pjesë e një komuniteti që shtrihet përtej gjeografisë dhe përditshmërisë së re.
Krahasojeni me çdo media tjetër — dhe do ta kuptoni çfarë do të thotë të punosh për një komunitet, jo për një treg. Ndaj për ne nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të dëgjojmë nga ju: “Na kënaqët! ” Ndaj sot, pas këtyre 25 viteve, ne nuk ndalemi. Por hyjmë në kapitullin e ardhshëm me më shumë vullnet, me më shumë dashuri, me më shumë guxim. Kur e nisëm këtë rrugëtim, nuk kishim një skenar në dorë. Kishim vetëm një ide të thjeshtë — që fjala shqipe të mos shuhej, që zëri ynë të mos tretet në heshtjen e emigrimit.
Nga kjo buron dhe vullneti dhe angazhimi i stafit: i drejtorit Gani Vila, i imi RafaeL Floqi, Valentina Vila, i Jola Rexhos, Lidia Balajt. Astriti Kalibashit gjer tek montazhierët a kameramanët tanë ndër vite si Ilir Myftari, Fatjon Boprati, Kola Vasili dhe se fundi z Rafael , Hajdini, të korrespondentëve tanë ne malësi vendlindje dhe deri tek i kurdogjenduri Beqir Sina në NY.
Shpesh ndërsa kam punuar me net pa gjumë, me zemrën në dorë dhe me mendjen tek një pyetje: “A do t’ia vlejë?” Sot, ndërsa shoh fytyrat tuaja, mesazhet që na dërgoni, përqafimet që na jepni në çdo takim, e di me bindje: Po. Ia ka vlejtur. Ia ka vlejtur për çdo fëmijë që mëson shqip përmes ekranit tonë. Ia ka vlejtur për çdo të moshuar që ndihet më afër atdheut kur sheh festat tona. Ia ka vlejtur për çdo biznes që rritet falë besimit tuaj tek ne. Ia ka vlejtur sepse nuk jemi vetëm një televizion — jemi një shtëpi shqiptare në çdo shtëpi shqiptari.
Faleminderit që jeni pjesë e kësaj historie. Faleminderit që na besoni, që na përkrahni, që na kritikoni kur duhet, dhe që na falni kur gabojmë. Faleminderit që jeni zemra e ALBTVUSA. Ndaj ne nuk do ndalemi. Do të vazhdojmë. Sepse sa herë që na thoni “Na kënaqët” — ne ndiejmë se misioni vazhdon. “Për ju. Me ju”. Kjo është motoja jonë. Sepse e ardhmja është një ditë e re që na pret të gjithëve. Gëzuar 25-vjetorin, ALBTVUSA!
Rroftë komuniteti shqiptar!