
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Po lexoj librin e ambasadorit amerikan Christopher Hill, “Në shërbim larg vendit”(Outpost: A Diplomat at Work). Hill është një prej diplomatëve më të njohur amerikanë, i angazhuar drejtpërdrejt në çështjen e Kosovës dhe me përvojë si ambasador në Tiranë, Shkup dhe Beograd. Më ka bërë përshtypje mënyra se si ai rrëfen sfidat e diplomacisë, negociatat dhe takimet me personalitete të ndryshme botërore.
Teksa e lexoj, shpesh më rikthehen në kujtesë përvojat e mia si diplomat, dhe përgjegjësitë që kam pasur në shërbimin diplomatik të Kosovës. Ky lexim nuk është vetëm një kënaqësi intelektuale, por edhe një udhëtim nëpër kujtimet e një pjese të rëndësishme të jetës sime profesionale. Bashkë me to më rikthehen në mendje edhe shumë njerëz të dashur e të veçantë, me të cilët pata privilegjin të ndaj rrugëtimin tim diplomatik.
Diplomacia nuk është thjesht një profesion apo një vend pune; ajo është një pasion, një mënyrë jetese dhe një formë e veçantë e shërbimit ndaj atdheut. Pikërisht këtë frymë e gjen edhe në një episod që Christopher Hill e përshkruan në libër. Ai rrëfen një bisedë me diplomatin e shquar amerikan dhe ish-zëvendëssekretarin e Shtetit, Lawrence S. Eagleburger, i cili, edhe pasi ishte larguar nga detyra, e pyeste me interes të sinqertë: “Si po shkon Shërbimi i Jashtëm?” Kjo pyetje e thjeshtë shprehte shqetësimin e tij se nuk ishte më pjesë e përditshmërisë së diplomacisë amerikane dhe e zhvillimeve të mëdha ndërkombëtare.
Pikërisht ky është dallimi ndërmjet një profesioni dhe një misioni. Diplomacinë mund ta ushtrosh si detyrë, por nuk mund ta jetosh pa pasion. Pa dashuri për vendin që përfaqëson dhe pa përkushtim ndaj shërbimit publik, pa njohje të thellë kulturore, histore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, është e vështirë të bëhesh diplomat në kuptimin e plotë të fjalës. Vendet e vogla, siç është Kosova, e kanë vështirë ta ndërtojnë një shërbim pa interferime partiake dhe politike!